LAJMI I FUNDIT:

Teatri Kombëtar shkon në Evropë, Rama jo

Teatri Kombëtar shkon në Evropë, Rama jo

Nga: Gentian Gaba

Ndërsa efekti i shampanjës së derdhur një vit më parë për negociatat u venit prej dushit të ftohtë evropian, shkak i pamjaftueshmërisë së qeverisjes së tij gjashtë vjeçare, nga matanë Adriatikut Ramës i erdhi një tjetër shuplakë.

Organizata prestigjioze Evropa Nostra (Evropa Jonë), më e madhe me shtrirje në hapësirën mbarë evropiane që merret me ruajtjen e trashëgimisë kulturore, e cila funksionon si një federatë me pjesëmarrës nga e gjithë Evropa dhe ka status këshillimor për UNESCO-n dhe Bashkimin Evropian, do të përfshijë Teatrin Kombëtar në listën e Federatës Pan-Evropiane për Trashëgiminë Kulturore.


Lajmi u bë i ditur nga delegacioni shqiptar që përfaqëson Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit në konferencën e Evropa Nostra, e cila u zhvillua fundjavën e porsambyllur në Paris, dhe kishte për qëllim identifikimin e 7 siteve kulturore më të rrezikuara të Evropës. Përfshirja në këtë grupim të ngushtë, përkthehet në angazhimin e Evropa Nostra për të përdorur gjithë rrjetin e saj për të sugjeruar mundësi për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar përmes projekteve restauruese.

Sihariqi i dhënë nga Guy Clausse, zv. Presidenti ekzekutiv i Evropa Nostra, erdhi në vijimësi të qëndrimeve të organizatës për çështjen e Teatrit Kombëtar. Korrikun e shkuar, pasi mazhoranca votoi ligjin antikushtetues për tjetërsimin e truallit publik, që hyri në historinë aspak të lavdishme të Rilindjes si ligji Fusha sh.p.k., Presidenti ekzekutiv i organizatës Prof. Dr. Hermann Parzinger iu drejtua me një letër Ramës. Në brendinë e saj shprehej shqetësimi për ‘vendimin alarmues për shembjen e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, një objekt trashëgimie me rëndësi kulturore dhe arkitekturore të madhe për Evropën.’ Duke mos u pajtuar me mendimin e kryeministrit se ‘kjo ndërtesë ka pak ose aspak vlerë historike, kulturore apo sociale. Përkundrazi, Evropa Nostra beson se vlera e spikatur evropiane e kësaj prone publike tejkalon çdo përfitim afatshkurtër që mund të vijë nga shkatërrimi i saj.’

Një shuplakë nga ato që të bën të shohësh gjithë yjet e flamurit të BE-së, sidomos kur për të njëjtën godinë, kryeministri dhe shpura e tij, kanë thënë fjalët më të turpshme. Diferenca e frikshme midis qëndrimeve të Evropa Nostra dhe atyre që godinën e kanë quajtur stallë kuajsh, karakatinë apo dopo lavoro, është një tjetër ilustrim pse ‘Evropa Jonë’ i thotë ‘Po’ Teatrit Kombëtar dhe Evropa politike i thotë ‘Jo’ Ramës.

Por, kjo nuk ka qenë e vetmja mbështetje ndërkombëtare që ka marrë kauza e Teatrit Kombëtar. Vetëm ditët e fundit mund të numërohen disa. Si për shembull miku i presidentit Macron, gazetari dhe shkrimtari Stephan Bern gazetar, i cili vitin e shkuar ka fituar çmimin e Evropa Nostra, i cili u solidarizua me cështjen duke i shprehur mbështetjen regjizorit Robert Budina me fjalët: ‘Për Robertin, bashkë punojmë për të shpëtuar Teatrin Kombëtar Shqiptar dhe mbrojmë trashëgiminë evropiane. Është urgjente.’ Apo senatori italian Roberto Rampi, i cili të hënën deklaroi se “Godina e Teatrit Kombëtar Shqiptar është me rëndësi kulturore, artistike dhe arkitekturore. Do të ishte e drejtë që të restaurohet, të rinovohet në shenjë respekti të trashëgimisë kulturore”. Duke theksuar se çështja e Teatrit duhet biseduar edhe me qeverinë italiane, pa përjashtuar mundësinë që kjo e fundit të kontribuojë për restaurimin e godinës.

Për mos të harruar solidarizimin e teatrit të Hamburgut, ‘Thalia’. Ekipi i këtij teatri, një prej kryesorëve në Gjermani, iu bashku përpjekjeve të artistëve dhe qytetarëve shqiptarë për të mbrojtur godinën e Teatrit Kombëtar. Jo vetëm me një deklaratë mbështetëse, por u bë pjesë e ‘Festivalit në Mbrojtje të Teatrit’, duke sjellë në skenë shfaqjen “Amerika”, i pari produksion gjerman për skenën teatrore shqiptare. Një vepër që u interpretua nga aktori Bekim Latifi, të cilin gazetarja e kulturës Fatmira Nikolli e përshkroi si ‘fëmija që iku si emigrant, kthehet si artist për të mbrojtur teatrin’.

Këto ngjarje, deri diku të paimagjinueshme dhe frymëzuese, janë produkt i një rezistence që tashmë është pjesë e historisë moderne shqiptare, si protesta më e gjatë e ndodhur ndonjëherë. Ajo vijon prej më shumë se 1 vit e 8 muajsh. E përditshme prej qershorit 2018, e papushimtë, 24 orë në 24, prej mesit të korrikut.

Një përpjekje titanike, plot besim, kreativitet dhe vullnet, e një grupi jo dhe aq të madh qëndrestarësh, që nuk po mbrojnë vetëm shtetin e të drejtës dhe trashëgimisë kulturore, të një qyteti që rrezikon të mbetet pa kujtesë, por po krijojnë një model të ri të reagimit qytetar. Nga ato që nuk lindin kur kërcënimi i pushtetit apo keqqeverisjes të vjen te dera e shtëpisë, por kur reagimi tejkalon interesin e drejtpërdrejtë.

Gati një revolucion Kopernikan; i vështirë, por jo i pamundur. Nëse doni ta provoni, ju presin në Teatër, fjalëkalimi është i thjeshtë dhe tashmë e di gjithë Evropa: #MBROTEATRIN.