LAJMI I FUNDIT:

Fishtën ende nuk e duam, sa ai na ka dashtë ne

Fishtën ende nuk e duam, sa ai na ka dashtë ne

Fjala e mbajtur në hapjen e veprimtarisë përkujtimore për 148-vjetorin e lindjes së Gjergj Fishtës.

Së bashku jemi mbledhë për Fishten sot. Jemi mbledhë për ta përkujtuar atë në përvjetorin e tij të lindjes. Falemnderit të gjithëve që jeni këtu.

Homazhi ynë në përvjetorin e lindjes së tij sot është ndërkohë edhe një “mea culpa”, besoj unë. Një kërkim ndjese i ne të gjithëve që jemi këtu. Po edhe i mbarë shqiptarëve kudo janë, për detyrimin që ende i kemi Fishtës.


Ende sot Gjergj Fishtes nuk ia kemi kthyer gjithë respektin për çfarë ai bëri për ne shqiptarët. Ende sot Fishta e ka shtëpinë e lindjes në qerthullin e fjalëshkëmbimit bosh dhe tjetrën shtëpi, atë të viteve të fëminisë pak pa u rrëzue përdhe. Ende sot Fishtën nuk e duam sa ai na ka dashtë ne. Nuk e duan poet, kur thonë se Fishta është vetëm “Lahuta…” Dhe e çmojnë folklorizante. Edhe pse ajo është kryevepra e tij. Nuk e duan as prozator kur nuk e përmendin si të tillë; as dramaturg nuk e duan. Nuk duan atë që themeloi teatrin e kultivuar në sallat e kuvendit të françeskanëve në Shkodër, me 35 a 36 melodramat e pjesët e tjera dramaturgjike që shkroi e përshtati. As satirik nuk e duan ata që thonë se “Gomarin e Babatasit ” e kishte shkruar me mllef…! As publicist jo… Atë, themeluesin e drejtuesin e “Posta e Shqypnisë” e “Hylli i Dritës”, tribuna padyshim më e spikatura e mendimit publik e kulturor shqiptar të kohës.

Edhe pse në bashkëkohësinë e vet, ai ishte par excellence… siç e çmonin të gjallët e kohës së tij. Njëri prej shqiptarëve të mëdhenj, Faik Konica sqimatar, do të thoshte për të: Fishta i ka lëvruar të gjitha gjinitë dhe në të gjitha ka shkëlqyer.

Fishta mbetet ende i padashtun përderisa vepra e tij trumbetohet si e pakuptueshme në viset e jugut, sot. Teksa poeti i Liqerit, Lasgushi në toskëri, do të thoshte për të 80 vjet më parë: Shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar. Kurse për satirat e tij, duke i krahasuar ato me të Molierit do të thoshte: ”Kombi ynë në Fishtën ka më të madhin satirik botëror”. Ose ditunari i madh Eqrem Çabej, në atë kohë gjithashtu do t’i shkruante Lasgushit – lirikut të papërsëritshëm në një kartolinë, e cila ruhet ende sot: “Lexova ‘Lahutën…’ dhe u mahnita. Jam gati të bëhem katolik për hir të Fishtës”.

Po nuk e duan as si atdhetar Fishtën. Ca që e ngulmojnë medeomos bashkëpuntor të fashizmit. Ani pse ai qe i vetmi ndër të mëdhenjtë që madhështinë e shërbesën për kombin i ndërtoi këtu në Shqipëri, me “zavalle krejet” [halle, telashe] të panumrueme. E jo i mërguar…

E as si diplomat disa s’e duan Fishten. Ani pse pak kush si ai punoi për “shqiptarët dhe të drejtat e tyne.”

“Shqyptarët e të drejtat e tyne”, fjalimi historik i mbajtur në Universitetin Katolik të Parisit më 1919, që është cilësuar edhe si shërbesa e tij më e vlertë që ai i bëri Shqipërisë dhe shqiptarëve në fushë të diplomacisë, kemi ndarë të jetë përbashkuesja jonë sot përreth Fishtës.

Kanë kaluar 100 vjet ç’prej është shkruar e kumtuar kjo fjalë në aulat evropiane e për mesazhet e asoherëshme kemi nevojë ende sot.

Dhe ne duhet të shpresojmë se nga sot, nga ky takimi ynë do të marrë udhë një përpjekja jonë e re, një zotim i ri edhe i autoriteteve që e drejtonë Lezhën dhe Shqipërinë se do t‘i shpejtojnë ritmet për të kapë medeomos kohën e humbur të vendosjes së Fishtës në panteonin e vlerave të kombit.

Në trend Kultura

Më shumë
Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Kulture
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Fjalimi i Skënderbeut!?

Fjalimi i Skënderbeut!?

Fjala+
GJUHA SHQYPE

GJUHA SHQYPE

Poezi
Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?

Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?

Kulture
Historia e çuditshme dhe befasuese e këngës “Non, Je ne Regrette Rien”

Historia e çuditshme dhe befasuese e këngës “Non, Je ne Regrette Rien”

Kulture
Kalo në kategori