LAJMI I FUNDIT:

Lufta tregtare në fokus të tregjeve botërore

Lufta tregtare në fokus të tregjeve botërore

Nuk është më probabilitet, por realitet – përshkallëzimi i luftës tregtare mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës si dhe forcimi i dollarit po shkaktojnë dëme të mëdha te prodhuesit amerikan të cilët mbështeten në tregjet botërore.

Pjesëmarrësit e tregut do të kenë një pasqyrë më të qartë të pasojave të luftës tregtare gjatë kësaj jave, pasi të martën do të publikohet indeksi PMI për prodhimin në Shtetet e Bashkuara.


Ky indeks do të tregojë realisht se sa janë dëmtuar prodhuesit amerikanë nga kjo luftë e cila s’po di më të mbarojë. Të dhënat e muajit gusht tregonin se, sektori i prodhimit, që zë edhe 12 për qind të ekonomisë së vendit, u tkurr për të parën herë në më shumë se tre vite e gjysmë, ndërkohë që eksportet prekën minimumin 10 vjeçar.

Ekspertët thonë se, eksportuesit janë një hap larg recesionit të paralajmëruar. Vetëm gjatë muajit gusht porositë e reja ranë me 43.3 për qind, që është edhe niveli më i ulët që prej prillit të vitit 2009. Asokohe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin nën thundrën e recesionit të madh.

Pra, e marta do të jetë dita e të vërtetës për prodhuesit e sidomos për tregjet, që presin çdo lloj sinjali të mundshëm për të kuptuar diçka. /Telegrafi/