LAJMI I FUNDIT:

Ademi: Do të ketë rritje të pagave për mësuesit, por na duhet kohë

Ademi: Do të ketë rritje të pagave për mësuesit, por na duhet kohë

“Deri tani kemi treguar se jemi të interesuar për përmirësimin e statusit material të të punësuarve në arsim dhe kemi besueshmëri kur themi se do të ketë rritje të pagave në të ardhmen, por sa do të jetë përqindja dhe kur do të ndodhë, varet nga shqyrtimi i parametrave. Na duhet pak kohë, pasi në qeveri akoma nuk kemi filluar diskutimin për buxhetin e vitit të ardhshëm. Duhet t’i bëjmë të gjitha projeksionet dhe së bashku të vendosim për rritjen e të pagave për mësuesit”.

Këtë sot e theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi, i cili shtoi se me Sindikatën e Pavarur për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SPASHK) flasin hapur dhe kanë bashkëpunim të shkëlqyer, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Paga e shtatorit për mësuesit këtë vit, në krahasim me pagën gushtit të vitit 2018, është rritur për 10.8 përqind. Për herë të parë pas disa viteve, edhe në arsimin e lartë edhe në institutet mësimore paga është rritur për pesë përqind”, tha Ademi.


Ndërsa në lidhje me paralajmërimet e SPASHK për grevë të përgjithshme në muajin e ardhshëm, Ademi tha se sjellja e vendimeve një javë më herët ose një javë më vonë, nuk duhet të ketë pasoja në organizimin e procesit arsimor, duke shtuar se të dy palët duhet të kenë mirëkuptim./Telegrafi/