LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj takon Ambasadorin e ri të Norvegjisë, merr mbështetjen e tij

Haradinaj takon Ambasadorin e ri të Norvegjisë, merr mbështetjen e tij

“Norvegjia ka treguar përkushtim dhe mbështetje të plotë për Kosovën, në sferat më të rëndësishme për jetën në vend dhe ne jemi mirënjohës për këtë fakt, siç jemi të interesuar ta vazhdojmë këtë partneritet të mirë”, kështu ka thënë Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, pasi priti në takim ambasadorin e ri të Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grondahl.

Sipas njoftimit për media duke e uruar për detyrën e re në vend, Kryeministri në detyrë Haradinaj ka theksuar se Kosova ka qenë me fat që në periudhat kyçe të shtetndërtimit ka pasur në krah vende si Norvegjia që e kanë mbështetur kauzën tonë për liri dhe shtetndërtim.

“Ne besojmë se rrugëtimi ynë në rrafshin ndërkombëtar, në konsolidimin e mëtutjeshëm është më i sigurt kur kemi në krah partner si Norvegjia dhe ne jemi të fokusuar ta fuqizojmë këtë dhe të kërkojmë mbështetjen e mëtutjeshme për avancimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit, anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale në ekonomi, edukim dhe në fusha të tjera”, ka thënë Haradinaj.


Haradinaj, e ka njoftuar Ambasadorin Grondahl për të arriturat e Kosovës, fuqizimin e rendit dhe ligjit, reformat në administratë, rritjen ekonomike të vendit dhe progresin në fusha të tjera, si hapa të rëndësishëm drejt një rruge të pakthyeshme të integrimit euro – atlantik dhe avancimin e shoqërisë në vend.

“Norvegjia i ka dhënë shumë Kosovës, qoftë si ndihmë të drejtpërdrejt ekonomike, duke dhënë donacione milionëshe dhe duke mbështetur me programe direkte institucionet e vendit dhe shoqërinë civile dhe kjo ndihmë është bazë e respektueshme për një partneritet afatgjatë me vendin mik, për të cilin partneritet jemi tejet të interesuar”, ka thënë ai

Në njoftim thuhet se Haradinaj ka përmendur faktin që Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe ky proces është një e drejt e fituar e Kosovës, për të cilën presim vendimin nga BE.

“Kosova nuk do të prodhojë refugjat dhe as telashe për vendet e BE-së. Me lëvizjen e lirë këto vende, përfshirë edhe Norvegjinë do të përfitojnë më shumë mundësi të këmbimit të përvojave, ekspertizave dhe më shumë konsumatorë. Ne jemi të vetëdijshëm për përgjegjësitë që kemi dhe në këtë drejtim kemi punuar fuqishëm në forcimin e institucioneve të rendit, ligjit dhe sigurisë”, ka theksuar ai, duke kërkuar mbështetjen e Norvegjisë në këtë proces dhe në anëtarësimin e Kosovës në NATO, si një veprim i nevojshëm për paqe të qëndrueshme në Ballkan.

“Ne jemi të gatshëm dhe kemi kapacitete për të ofruar shumë për sigurinë në rajon dhe botë. Me institucionet tona, kredibile dhe me parametrat ndërkombëtare, ne mund të ofrojmë më shumë për paqen në botë, përmes NATO-së”, është shprehur ai.

Në këtë takim është diskutuar edhe për rritjen e bashkëpunimit dypalësh mes Kosovës dhe Norvegjisë, në fushat e interesit të përbashkët, veçmas në fushën e edukimit, këmbimeve tregtare dhe në atë të shëndetësisë.

“Të rinjtë tanë janë në hap me të rinjtë e Europës, sa i përket njohurive dhe shkathtësive për fusha specifike dhe rritja e bashkëpunimit me Norvegjinë mund të jetë interes i të dyja vendeve”, ka deklaruar ai.

Ambasadori Grondahl e ka falënderuar Kryeministrin në detyrë Haradinaj për pritjen, duke theksuar se Norvegjia do ta vazhdojë mbështetjen për vendin, në konsolidimin ndërkombëtar dhe se është e interesuar të thellojë bashkëpunimin mes dyja shteteve./Telegrafi/