LAJMI I FUNDIT:

Greqia kundër hapjes së bisedimeve për Shqipërinë në BE

Greqia kundër hapjes së bisedimeve për Shqipërinë në BE

Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis ka paralajmëruar gjatë një konference për shtyp në Selanik, se vendi i tij do të bllokojë fillimin e negociatave të Tiranës me BE-në nëse qeveria shqiptare nuk respekton të drejtat e minoritetit grek.

“Sa i përket Shqipërisë do të them këtë: nuk bëhet fjalë që Greqia të bjerë dakord me fillimin e negociatave BE-Shqipëri nëse nuk shoh me vepra, masa të cilat do të zhdukin diskriminimet që bëhen në dëm të minoritetit kombëtar grek në Shqipëri”, tha ai.

Kreu i qeverisë greke shtoi se për këtë çështje ka biseduar gjatë vizitave të tij të fundit me presidentin francez Macron, kryeministrin holandez Route dhe kancelaren gjermane Merkel.


Deklarata e Mitsotakit vjen vetëm disa javë pas paralajmërimeve të bëra nga ministri i Jashtëm Nikos Dhëndias gjatë prezantimit të programit të qeverisë së re greke, ndërsa burime qeveritare shprehen se ndjekin me kujdes dhe vëmendje zhvillimet politike të muajve të fundit në Shqipëri./tch