LAJMI I FUNDIT:

Arben Gashi tregon disa nga pikat e programit qeverisës të LDK-së

Arben Gashi tregon disa nga pikat e programit qeverisës të LDK-së

Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës e ka paraqitur programin qeverisës që kjo parti e ka për zgjedhjet e 6 tetorit.

Ai në Zona Zgjedhore të Klan Kosovës ka treguar më në detaje të gjitha shtyllat që programi qeverisës i LDK-së i përmban.

“Problemi i parë që është vërejtur në qeverisjen e kaluar ka të bëjë me konceptin e qeverisje. Kemi pasë një qeverisje të madhe me mbi 20 ministri. Kemi pasë një ndërhyrje të rëndë institucionale duke prezantuar për herë të parë Koordinatorët Nacionalë dhe Rajonalë që janë rrezikim i sistemit qeverisës dhe kapje të institucioneve të pavarura ligjore, kushtetuese dhe të tjera”.


“Kjo shtyllë e parë e qeverisjes është baza mbi të cilën do të ndërtohet qeverisja tonë. Elementi i parë i qeverisjes ka të bëjë me qeverisje të vogël që është koncept i qeverive të partive të djathta. Qeverisja e vogël nuk nënkupton përjashtim nga puna të zyrtarëve që punojnë, por do të thotë fuzionim i ministrive dhe institucioneve të panevojshme dhe shkrija e institucioneve fantome të krijuara si Koordinatorët Nacionalë dhe Rajonalë”.

“Shtylla e dytë ka të bëjë me sundimin e rendit dhe ligjit. Problemi kryesor që sot hasim në Kosovë ka të bëjë me sundimin e rendit dhe ligjit, qasjen në drejtësi, gjykimi i lëndëve dhe të tjera”.

“Këtu kemi disa elemente që ne i marrim në konsideratë. Elementi i parë ka të bëjë me reformën në drejtësi në aspektin e çkapjes të sistemit nga ndikimet politike, elementi i dytë me luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, ndërsa elementi i tretë ka të bëjë me efikasitetin e dhënies së shërbimeve në aspektin e drejtësisë dhe sigurisë”.

“Shtylla e tretë ka të bëjë me zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale. Zhvillimi ekonomik jo gjithmonë është numra absolutë, por ka të bëjë me sa mirë shpërndahet mirëqenia dhe sa kemi zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social”.

“Elementi tjetër ka të bëjë me arsimin, rininë dhe kulturën. Në këto fusha kemi parë që është investuar shumë në infrastrukturë për të përfituar materialisht në format e korrupsionit”.

“Hapja e universiteteve publike pa kriter për të përfituar nga futja e rinisë nëpër këto universitete dhe tash jemi në një situatë ku shumica e tyre nuk kanë arritur të kalojnë procesin e certifikimit”.

“Mënyra se si do ta trajtojmë ka të bëjë me ridizajnimin e sistemit duke u orientuar në universitetet e specializuara dhe jo mbyllja e tërësishme e tyre”.

Gashi ka deklaruar se programi qeverisës është një nga shtyllat më të rëndësishme për të cilën LDK-ja ka edhe trashëgimi dhe ka të bëjë me qeverisjet e kaluara kur kjo parti ka qenë në pushtet.