LAJMI I FUNDIT:

Lëvizja Besa: Arsimi po ngulfatet çdo ditë, sidomos ai shqip

Lëvizja Besa: Arsimi po ngulfatet çdo ditë, sidomos ai shqip

Partia shqiptare opozitare Lëvizja Besa e ka mbështetur grevën një ditore të Sindikatës për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, duke thënë se kërkojnë kushte më të mira për arsimtarët.

Kastriot Rexhepi nga Lëvizja Besa sot në konferencë për shtyp tha se arsimi në Maqedoninë e Veriut po ngulfatet çdo ditë, e sidomos ai shqip, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Edhe ky fillim i vitit të ri shkollor 2019/2020 e gjen sektorin e arsimit me problemet e vjetra. Pagat e të punësuarve në arsim janë nën dinjitetin e jetës profesionale dhe njerëzore, institucionet arsimore po shkojnë drejt rrënimit, tekste me përmbajtje skandaloze dhe fyese për shqiptarët, problem shqetësues paraqesin objektet arsimore, edhe pse u premtua programi i Kembrixhit ende nuk është hequr”.


“Pra, problemet në arsim janë shumë të mëdha, prandaj Renata Deskoska u largua nga MASH, prandaj dha dorëheqje Petar Atanasov, por jo edhe të pazgjidhshme. Në mungesë të vizionit dhe planit afatgjatë po ngulfatet çdo ditë arsimi në Maqedoninë e Veriut e në veçanti arsimi shqip”.

“Lëvizja Besa e mbështet grevën njëditore të mësimdhënësve dhe kërkesat e tyre për një pozicion më dinjitoz në shoqëri. E drejta për grevë është e drejtë elementare në çdo vend të botës dhe është e garantuar me ligj. Mësimdhënësit e Maqedonisë së Veriut me vite kanë qenë viktimë e keqpërdorimeve dhe lojërave në mes pushtetit dhe SASHK-ut, por kjo nuk duhet të jetë demotivuese, sepse greva nuk bëhet për SASHK-un, por për mësimdhënësit”.

“Të ardhurat mesatare personale në Maqedoninë e Veriut janë 26 000 den, a për mësimdhënësit 22 000 den. Për momentin mësimdhënësit, as nuk mund të ëndërrojnë për një pagë të barabartë me mesataren e vendit. Në qoftë se qeveria do ta kthej dinjitetin e humbur të mësimdhënësve, atëherë duhet që ta barazoj rrogën minimale me sektorët tjerë, sepse mësimdhënësit janë hallka më e rëndësishme të cilët me kontributin dhe mundin e tyre e ndërtojnë të ardhmen e shtetit dhe të shoqërisë”.

“Kryeministri dhe ministri shumë mirë e dinë se me 360 euro nuk ruhet dinjiteti i familjes dhe nderi i mësimdhënësit. Ju sot mund edhe ta anashkaloni grevën, por duhet ta dini se greva e heshtur është shumëfish më e rrezikshme dhe rezultati shihet çdo ditë me analfabetët praktikë që na përfaqësojnë në institucionet e ndryshme shtetërore. Mësimdhënësit nuk kërkojnë më shumë, ata duan të jenë të barabartë me administratorët e BDI-së që rrinë në shtëpi dhe marrin rroga mesatare 26 000 den”.

“Duke qenë të vetëdijshëm se arsimi është shtylla kryesore e zhvillimit shoqëror, Lëvizja Besa me përkushtim dhe vendosmëri do të insistoj në përmirësimin e kushteve, ashtu siç e ka të paraparë në programin dhe platformën e saj, me qëllim që shkolla të bëhet një vend i dashur për fëmijët dhe dinjitoz për mësimdhënësit. Të gjithë nxënësve dhe mësimdhënësve të shkollave fillore dhe të mesme ju urojmë një vit të mbarë shkollor”, tha Rexhepi./Telegrafi/