LAJMI I FUNDIT:

Osmani: Shtetin e kapur t’ua kthejmë qytetarëve, në këtë detyrë na ndal veç vdekja

Osmani: Shtetin e kapur t’ua kthejmë qytetarëve, në këtë detyrë na ndal veç vdekja

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, ka premtuar sot para qytetarëve të Mitrovicës se ka vetëm një detyrë kryesore, që shtetin e kapur nga partitë në pushtet, t’ua kthejë qytetarëve përfundimisht.

Ajo gjatë këtij tubimi ka siguruar të gjithë se në këtë detyrë nuk ka askush dhe asgjë që e ndal, pos vdekjes.

“Kam ardhur t’ju them një porosi këtu në Mitrovicë e gjithandej. Ky vend, ky është dhe kjo republikë është e qytetarëve dhe pikë. Ky shtet nuk është i asnjë politikani, i asnjë partie politike, e as i Vjosa Osmanit, nuk është as i LDK-së. Ky vend, ky shtet, pra Mitrovica dhe republika jonë Kosova, është e juaja dhe vetëm e juaja. Ta kemi një detyrë kryesore, një detyrë, një e kemi, që shtetin e kapur nga partitë në pushtet t’ua kthejmë juve përfundimisht. Dhe në këtë detyrë të dashur bashkëvendës të jeni të sigurtë dhe mbajeni në mend, nuk ka askush dhe asgjë që na ndalë pos vdekjes”, theksoi Osmani, duke u betuar se qytetarët nuk do t’i lë kurrë vetëm.


E nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, bëri të ditur se rreshtimi pas një gruaje e ka bërë LDK-në më burrërore, që sipas tij, të tjerët nuk mund ta kuptojnë, ndërsa potencoi se Mitrovica ka vetëm një emër për kryeministër të vendit, që është Vjosa Osmani.

“Të tjerët nuk e kuptuan, sepse nuk mund ta kuptojnë, dhe nuk mund ta imagjinojnë një Vjosë përpara. Kosova ka tre, katër, pesë emra, për kryeministër, por Mitrovica nuk ka, Mitrovica ka veç një emër e ai është Vjosa Osmani”, tha Haziri.

Edhe kryetari i LDK-së në Mitrovicë, Safet Kamberi, ka mbështetur fuqishëm Osmanin, duke u zotuar se mitrovicasit do të bëjnë të pamundurën që ajo të jetë fitimtare në këto zgjedhje.

Ndryshe, në sallën e mbushur me qytetarë, të pranishëm ishin edhe struktura të larta të kësaj partie, si Arban Abrashi, Ismet Beqiri, Armend Zemaj etj, ndërsa mungesa e liderit të LDK-së u arsyetua për shkaqe shëndetësore. /kp/Telegrafi/