Nga: Gabriel Garcia Marquez
Përktheu: Valbona Selmani
Dera lëvizëse u hap. Në këtë orë, në restorantin e Hozesë, nuk gjeje këmbë njeriu.
Ora sapo kishte shkuar gjashtë dhe burri e dinte që vetëm rreth orës gjashtë e gjysmë do të fillonin të vinin klientët e përditshëm.
Kaq e rregullt dhe e përpiktë ishte klientela e tij, saqë kur akrepi i orës po i afrohej gjashtës, hyri një grua e cila vinte si çdo ditë në po të njëjtën orë. Pa folur asnjë fjalë, u ul në karrigen rrotulluese. Midis buzëve shtrëngonte një cigare të pandezur.
– Përshëndetje, mbretëreshë! – tha Hozeja, kur e pa të ulej. Më pas, ai shkoi deri në anën tjetër të banakut, duke pastruar sipërfaqen e xhamit me një leckë të thatë.
Gjithmonë, kur dikush hynte në restorantin e tij, Hozeja sillej po njëlloj. Madje, edhe me gruan me të cilën kishte arritur të fitonte një lloj konfidence, hanxhiut bullafiq dhe faqekuq i pëlqente të tregohej i zellshëm dhe i kujdesshëm. Foli që nga ana tjetër e banakut:
– Çfarë dëshiron sot?
– Në rradhë të parë, dua të të mësoj të sillesh si kavalier. – tha gruaja.
Ajo ishte ulur në fund të rreshtit të karrigeve rrotulluese, me bërryla në banak dhe cigaren e fikur midis buzëve. Kur foli, shtrëngoi buzët që Hozeja të vërente cigaren e pa ndezur.
– Nuk e vura re. – tha Hozeja.
– Ende nuk ke vënë re gjë. – tha gruaja.
Burri e la leckën në banak, eci drejt dollapëve që vinin erë katran e tallash, dhe më pas u kthye me shkrepësen në dorë. Gruaja u përkul të arrinte flakën që digjej midis duarve leshatake e prej fshatari të burrit. Hozeja vështroi flokët e dendura të gruas, të ngjyera me vazelinë të trashë dhe të lirë. Pa supin e saj të zhveshur, mbi bustin me lule. Pa se si u ngrit gjoksi i varur, kur ajo çoi kokën, tashmë, me cigaren e ndezur në buzë.
– Je bërë shumë e bukur sot, mbretëreshë! – tha Hozeja.
– Lëri këto budadallëqe! – tha gruaja. – Mos mendo se me këto, do të më bësh që të të paguaj.
– Nuk e kisha fjalën këtu, mbretëreshë, – tha Hozeja. – Më duket se sot të paska bërë dëm dreka.
Gruaja thithi fort tymin e dendur të duhanit, kryqëzoi duart, bërrylat vazhdonte t’i mbante mbi banak, dhe shikimi i humbi tek rruga, që dukej përmes xhamit të restorantit. Kishte një pamje melankolike. Një melankoli e lodhur dhe vulgare.
– Do të të përgatis një biftek të mirë. – tha Hozeja.
– As sot s’kam pará.
– U bënë tre muaj që nuk ke para, po unë gjithnjë të përgatis diçka të mirë – tha Hozeja.
– Sot është ndryshe – tha gruaja shkoqur dhe vazhdoi të shihte nga rruga.
– Të gjitha ditët njëlloj janë. – tha Hozeja. – Çdo ditë, sapo ora shënon gjashtë, ti hyn, thua se ke një uri të tmerrshme, dhe atëherë unë të përgatis diçka të mirë për të ngrënë. I vetmi ndryshim është, që sot nuk po thua se ke një uri të tmerrshme, por se kjo ditë është ndryshe.
– Është e vërtetë. – tha gruaja. U kthye të shohë më mirë Hozenë, që ndodhej në anën tjetër të banakut, duke kontrolluar frigoriferin. U ndal dhe e vëzhgoi rreth dy-tre sekonda.
Më pas, pa orën mbi dollap. Ishte gjashtë e tre minuta. “Është e vërtetë Hoze, sot është ndryshe”, tha. Lëshoi tymin dhe vazhdoi të fliste me fjalë të shkurta, plot pasion: “Sot nuk erdha në gjashtë, prandaj është ndryshe, Hoze”.
Burri pa orën.
– Pres kokën, nëse kjo orë ngec, qoftë edhe një minutë. – i tha.
– Nuk është këtu çështja, Hoze. Por, sot unë nuk erdha në orën gjashtë. Erdha një çerek ore më përpara.
– Sapo kishte shkuar gjashtë, mbretëreshë. – tha Hozeja. – Kur ti hyre, ora sapo kishte shkuar gjashtë.
– U bë një çerek ore që po rri këtu. – tha gruaja.
Hozeja iu drejtua vendit ku rrinte ajo.
I afroi gruas fytyrën e vet të stërmadhe, të kuqe, ndërkohë që me gishtin tregues tërhoqi një nga qepallat e tij.
-Më fryj pak këtu. – i tha.
Gruaja e çoi kokën pas. Ishte serioze, e bezdisur, e ëmbël, ndërkaq, një hije trishtimi dhe lodhjeje, vetëm sa ia zbukuronte fytyrën.
– Mos fol marrëzira, Hoze! Ti e di se u bënë gjashtë muaj që nuk vë pije në gojë.
– Këtë thuaja dikujt tjetër , jo mua. Vë bast që keni marrë, të paktën, një litër të dy bashkë.
– Piva vetëm dy gllënjka me një shok. – tha gruaja.
– Ah, tani e kuptova – tha Hoze.
– S’ka asgjë për të kuptuar – tha gruaja. – Kam një çerek ore që rri këtu.
Burri mblodhi supet.
– Mirë, në qoftë se është kjo ajo që do ti, edhe unë po të them se ke një çerek ore që rri këtu. Në fund të fundit, askujt nuk i interesojnë dhjetë minuta më shumë, dhjetë minuta më pak.
– Ka edhe që iu interesojnë, Hoze … – tha gruaja, dhe shtriu krahët mbi banak, mbi sipërfaqen e xhamtë, me një fytyrë ku dukej fare qartë shpërfillja dhe indiferenca.
– Hoze, – tha pastaj, – çështja nuk është se kështu dua unë, po u bë vërtetë çerek ore që jam këtu”. Pa edhe një herë nga ora dhe e verifikoi: “Çfarë po diskutojmë ne, tashmë u bënë njëzetë minuta”.
– Në rregull, mbretëreshë. – tha burri. – Një ditë të tërë do të të falja unë për të të parë të lumtur.
Gjatë gjithë kësaj kohe, Hozeja vazhdonte të lëvizte pas banakut, duke zhvendosur gjëra, duke hequr diçka nga njëri vend për ta vendosur në tjetrin. Ishte brenda karakterit të tij.
– Dua të të shoh të lumtur. – përsëriti ai. Pastaj, papritur, ndaloi, dhe u kthye andej nga ishte gruaja dhe tha:
– A e di që të dua shumë?
Gruaja e pa ftohtë.
– Me të vërtetë?! Çfarë zbulimi, Hoze! Mendon se do të flija me ty për një milion peso?
– Nuk doja të thoja këtë, mbretëreshë – tha Hozeja. – Vë dy herë bast që dreka të ka bërë dëm.
– Nuk po ta them për këtë, – i tha gruaja, dhe zëri i saj u bë pak më i vrazhdë. – Por, asnjë grua nuk do të mund të duronte një peshë si tënden, as për një milion peso.
Hozeja u skuq. U kthye me kurriz nga gruaja dhe vazhdoi t’ua hiqte pluhurin shisheve të dollapit. Foli pa kthyer kokën:
– Je shumë nervoze sot, mbretëreshë! Them, se do të ishte më mirë të haje biftekun dhe të shkoje të flije.
– Nuk kam uri. – tha gruaja. Dhe i mbërtheu sytë sërish tek rruga, duke parë kalimtarët e turbullt të qytetit në muzg. Për një çast, restoranti mbeti në heshtje, në mjegull. Një gjendje e amullt që u ndërpre nga zhurma që shkaktoi Hozeja në dollap. Papritur, gruaja e hoqi shikimin nga rruga dhe foli me zë të mekur, të butë, të ndryshëm:
– Është e vërtetë që më do, Pepijo?
– E vërtetë është. – tha Hozeja, thatë, pa e parë në sy.
– Pavarësisht nga ajo që të thashë? – pyeti gruaja.
– Çfarë më the? – tha Hozeja, ende pa e parë në sy dhe ende pa marrë emocionin që bartnin ato fjalë.
– Atë muhabetin e një milion pësove, – tha gruaja.
– Unë atë e harrova fare. – tha Hozeja.
– Atëherë, më do? – tha gruaja.
– Po, – tha Hozeja.
Pati një pauzë. Hozeja vazhdoi të lëvizte, po me fytyrë të kthyer drejt dollapëve, dhe përsëri pa e parë në sy. Ajo lëshoi një tjetër shtëllungë tymi, mbështeti bustin tek banaku dhe më pas, me kujdes, dinakëri e duke kafshuar gjuhën përpara se të fliste, sikur të ishte në majë të gishtave, pyeti:
– Edhe po të mos flija me ty?…
Vetëm atëherë Hozeja u kthye ta shihte sërish:
– Të dua aq shumë, sa edhe po të mos flija me ty, prapë do të doja. – tha ai.
Pastaj Hozeja eci drejt saj. U ndal ta shihte përballë. Krahët e fuqishëm i mbështeti në banak, përpara saj dhe duke e vështruar në sy i tha:
– Të dua aq shumë, sa çdo pasdite do ta vrisja atë burrë që shkon me ty…
Në çastin e parë, gruaja u duk dyshuese. Më pas, e pa burrin me vëmendje dhe me një shprehje të lëkundur keqardhjeje dhe talljeje. Në vazhdim bëri një pauzë të vogël, e shpërqendruar. Dhe, më pas, qeshi me sa fuqi kishte.
– Je xheloz, Hoze! Fantastike! Je xheloz!
Hozeja u skuq përsëri, dhe në fytyrë iu vizatua një turp i pafajshëm, si i një fëmije, të cilit, papritur, i kanë zbuluar të gjitha sekretet.
– Këtë pasdite nuk kupton asgjë, mbretëreshë! – tha – dhe fshiu djersët me leckë. Më pas, vazhdoi:
– Jeta e keqe, po të shëmton, më duket …
Por gruaja kishte ndryshuar shprehje. “Mirë, Hoze, nuk je xheloz.” – tha. Dhe vazhdoi ta shihte, por tani në sytë e saj kishte një shikim të çuditshëm, sfidues dhe njëkohësisht të trishtuar.
– Mirë, Hoze, atëherë nuk je xheloz. – përsëriti ajo.
– Në një farë mënyre, po, – tha Hozeja. – Por, jo ashtu siç mendon ti. – Liroi qafën dhe vazhdoi ta pastronte, duke e tharë me leckë.
– Atëherë? – pyeti gruaja.
– Çështja është se unë të dua aq shumë, sa nuk më pëlqen që ti të bësh këtë gjë.
– Çfarë? – tha gruaja.
– Këtë … Që shkon me burra të ndryshëm çdo ditë. – tha Hozeja.
– Është e vërtetë që do ta vrisje një burrë vetëm që të mos shkonte me mua? – tha gruaja.
– Që të mos shkonte, jo. – tha Hozeja. – Do ta vrisja, po të shkonte me ty.
– Është e njëjta gjë – tha gruaja. – Bashkëbisedimi kishte arritur në një pikë tepër ngacmuese. Gruaja fliste me zë të ulët, të ëmbël dhe si e magjepsur. E kishte fytyrën pothuajse ngjitur me faqen e shëndetshme dhe paqësore të burrit, i cili qëndronte i palëvizshëm, si i mahnitur nga avulli i fjalëve.
– Të gjitha këto janë të vërteta. – tha Hozeja. – Atëherë… – tha gruaja, dhe zgjati dorën për të përkëdhelur krahun e ashpër të burrit. Me dorën tjetër hodhi bishtin e cigares.
– Atëherë, ti vërtetë do të mund të vrisje një njeri?
– Për atë që të thashë, po. – tha Hozeja. Zëri i tij mori një nuancë gati dramatike.
Gruaja shpërtheu sërish në gaz, dhe u duk haptazi që po tallej me të.
– Çfarë tmerri, Hoze! Çfarë tmerri! – tha duke u shkrirë së qeshuri. – Hozeja duke vrarë një burrë! Kujt do t’i shkonte ndërmend që pas një burri kaq babaxhan dhe të ndershëm, që asnjëherë nuk më merr para, që çdo ditë më përgatit një biftek dhe hutohet duke biseduar me mua, deri sa gjej një klient, fshihet një vrasës. Çfarë tmerri, Hoze! Po më fut frikën!
Hozeja u çorodit. Ndoshta u ndie pak i fyer. Ndoshta, kur gruaja nisi të qeshte, u ndie dhe pak i zhgënjyer.
– Ti je e dehur, budallaqe! – tha ai. – Shko të flesh. As mos të të shkoj në mendje që ka për të të ardhur oreksi e të mund të hash diçka. – Por tani, gruaja, me bërryla të mbërthyer në banak, kishte pushuar së qeshuri dhe ishte bërë përsëri serioze, e menduar.
E pa burrin tek largohej. E pa tek hapte frigoriferin dhe tek e mbyllte sërish, pa nxjerrë asgjë që andej. Më pas, e pa tek shkonte deri në anën tjetër të banakut. E pa tek fërkonte xhamin e shndritshëm, si në fillim. Atëherë, gruaja foli sërish, por tani me një ton prekës dhe të butë : Është e vërtetë që më do, Pepijo? Hoze – e thërriti. Burri nuk e vështroi.
– Hoze!
– Shko të flesh! – tha Hozeja. – Dhe bëj një dush përpara se të shtrihesh, që të të dalë pija.
– E kam seriozisht, Hoze. – tha gruaja. – Nuk jam e dehur.
– Atëherë je bërë e keqe – tha Hozeja.
– Hajde këtu, dua të flas me ty. – tha gruaja.
Burri u afrua me mëdyshje mes kënaqësisë dhe mosbesimit.
– Afrohu!
Burri u ndal sërish përpara gruas. Ajo u përkul përpara, e kapi prej flokësh, me rrëmbim, por me një gjest të qartë dashurie.
– Ma përsërit edhe një here, atë që më the në fillim!
– Çfarë? -pyeti Hozeja. Mundohej ta shihte me kokën e përkulur nga kapja e flokëve.
– Që do ta vrisje atë burrë që shkon me mua.
– Do ta vrisja atë burrë që do të shkonte me ty, mbretëreshë. Është e vërtetë – tha Hozeja.
Gruaja e lëshoi.
– Po në qoftë se do të isha unë ajo që do ta vriste, a do të më mbroje? – Ajo i tha me vendosmëri e seriozitet këto fjalë, dhe, me një lëvizje të fortë e tunduese, e shtyu tutje kokën, si të derrit, të Hozesë.
Burri nuk iu përgjigj fare; buzëqeshi.
– Mu përgjigj, Hoze! – tha gruaja. – Do të më mbroje, në qoftë se unë do ta vrisja?
– Kjo varet – tha Hozeja. – Ti e di që kjo nuk është aq e lehtë sa duket…
– Askujt, më shumë se ty, nuk i beson policia. – tha gruaja.
Hozeja buzëqeshi, krenar dhe i kënaqur. Gruaja u përkul sërish drejt tij, nga maja e banakut.
– Është e vërtetë, Hoze. Jam gati të vë dorën në zjarr që ti nuk ke thënë kurrë, qoftë edhe një gënjeshtër.
– E kush ia ka parë hajrin kësaj gjëje… – tha Hozeja.
– Pikërisht – tha gruaja. – Policia e di dhe të beson çdo gjë, pa të të pyetur dy herë.
Hozeja filloi t’i binte lehtë banakut, përpara saj, pa ditur ç’të thotë. Gruaja pa sërish drejt rrugës. Më pas, pa orën dhe modifikoi tonin e zërit të saj, sikur të donte ta mbyllte dialogun përpara se të vinin klientët e parë.
– Po për mua, a do të thoje një gënjeshtër, Hoze? – i tha. E kishte seriozisht.
Hozeja u kthye ta shihte, dhe e pa, por ashpër, me dyshim, sikur t’i kishte mbirë një ide e tmerrshme në kokë. Një ide që hyri nga njëri vesh, u rrotullua për një moment, e zymtë, konfuze dhe më pas doli nga tjetri, duke lënë një gjurmë të lehtë ankthi.
– Në çfarë telashi ke hyrë, mbretëreshë?
Ai u përkul përpara, dhe i kryqëzoi sërish duart mbi banak. Gruaja ndjeu avullin e fortë dhe pak të amonjaktë të frymëmarrjes së tij, që bëhej e vështirë nga presioni që ushtronte banaku mbi stomakun e burrit.
– E kam seriozisht, mbretëreshë! Në çfarë telashi ke hyrë?
Gruaja ktheu kokën nga ana tjetër.
– Në asnjë – tha. – Thjesht, po flisja për të kaluar kohën.
Më pas, filloi ta shihte sërish.
– Thashë se mos ke ndërmend të vrasësh ndonjë njeri?!… – tha gruaja.
– Asnjëherë nuk kam menduar të vras dikë. – tha Hozeja i shpërqendruar.
– Jo, o njeri! – tha gruaja. – E kam fjalën për dikë që fle me mua.
– Ah! – tha Hozeja. – Tani po, që po flet qartë. Gjithnjë kam menduar, se nuk ke nevojë të bësh këtë jetë. Të betohem se në qoftë se e le këtë gjë, do të të jap biftekun më të madh çdo ditë, pa të marrë asnjë qindarkë.
– Faleminderit, Hoze! – tha gruaja. – Por çështja, nuk është këtu. Tashmë, nuk do të mund të shkoj më, me askënd.
– Prapë po i bën lëmsh gjërat. – tha Hozeja.
Gruaja po fillonte të dukej e paduruar.
– Nuk po bëj lëmsh asgjë. – tha ajo. – Pastaj u mbështet në karrige dhe Hozeja pa gjoksin e saj të varur dhe të trishtuar nën bust.
– Nesër do të iki, dhe të premtoj se nuk do të të bezdis më kurrë. Të premtoj se nuk do të shtrihem më me askënd.
– Nga të hipi kjo temperaturë? – tha Hozeja.
– E vendosa para një çasti. – tha gruaja. – Vetëm para një çasti e mblodha mendjen përfundimisht se kjo është një gjë e pistë.
Hozeja e mori përsëri leckën dhe nisi të fërkonte xhamin, pranë saj.
– Prandaj e bën ti këtë gjë, se është gjë e pistë. – tha ai, pa e parë në sy. – Duhet ta kishe menduar prej kohësh.
– Prej kohësh e kam menduar – tha gruaja. – Por, vetëm përpara një çasti u binda plotësisht që kam neveri nga burrat.
Hozeja buzëqeshi. Ngriti kokën për ta parë, ende duke buzëqeshur, por e pa si të ngrirë, konfuze, duke folur dhe me shpatulla të ngritura; duke u lëkundur në karrigen rrotulluese, me një shprehje të pikëlluar në fytyrën e argjendtë, në të cilën kishte rënë një pluhur i parakohshëm vjeshte.
– Nuk mendon se duhet lënë e qetë një grua që vret një burrë, sepse, pasi ka shkuar me të, ndjen neveri nga ai dhe nga të gjithë burrat që kanë shkuar me të?
– Nuk ke pse të shkosh aq larg. – tha Hozeja, i prekur dhe me një nuancë keqardhjeje në zë.
– Edhe nëse gruaja i thotë burrit se ka neveri nga ai kur e sheh duke u veshur, ngaqë kujtohet se ka qenë duke u zhgërryer me të gjatë gjithë mbasdites dhe atë çast ndjen se, as sapuni dhe as shtupa nuk do të mund t’ia heqin erën e tij?
– Kjo gjë ndodh, mbretëreshë – tha Hozeja, tani akoma më i përqendruar, duke pastruar banakun. – Nuk ke pse ta vrasësh. Thjesht, lëre të ikë.
Por, gruaja vazhdonte të fliste dhe zëri i saj ishte një rrymë uniforme, e lëshuar, pasionante.
– Edhe kur, megjithëse gruaja i thotë përsëri se ka neveri nga ai, burri, sikur të mos ketë dëgjuar asgjë, zhvishet përsëri e vrapon drejt saj ta puthë edhe një herë, ta…?
– Këtë gjë nuk e bën asnjë burrë i denjë – tha Hozeja.
– Por, nëse e bën? – tha gruaja, me një ankth të padurueshëm. – Po nëse burri nuk është i denjë dhe e bën, dhe atëherë gruaja ndjen se mund të vdesë nga neveria për të, dhe e di që e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund të gjithë kësaj historie është t’i fus një thikë nga poshtë?
– Ky është kanibalizëm! – tha Hozeja. – Për fat të mirë, asnjë burrë nuk e bën atë që thua ti.
– Epo, mirë, – tha gruaja, tani akoma dhe më e paduruar. – Po nëse e bën? Le të supozojmë, se e bën.
– Po mund ta durosh, se nuk zgjat shumë. – tha Hozeja dhe vazhdoi të pastronte banakun, pa lëvizur nga vendi, por tani pak më i shpërqendruar dhe jo aq i vëmendshëm ndaj bisedës.
– Gruaja goditi xhamin me grusht, e vendosur dhe e irrituar.
– Ti je kafshë, Hoze! – tha. – Nuk kupton asgjë.
Pastaj, e kapi me forcë nga mënga:
– Hajde, thuaj që gruaja duhet ta vriste.
– Dakord – tha Hozeja, me një kthesë pajtuese. – Ti ke të drejtë në të gjitha ato që thua.
– Ti, Hoze, mendon se kjo është mbrojtje personale?!… – tha gruaja duke e shkundur nga mënga.
Hozeja, atëherë, i hodhi një shikim të vakët dhe miratues për t’ia bërë qejfin. “Gati, gati”, tha. Dhe i shkeli syrin, me një gjest që ishte njëkohësisht një mirëkuptim i përzemërt dhe një marrëveshje e frikshme bashkëpunimi. Gruaja e lëshoi dhe vazhdoi serioze.
– A do të thoshe një gënjeshtër për të mbrojtur një grua që e ka bërë këtë gjë?
– Varet – tha Hozeja.
– Nga se varet? – tha gruaja.
– Varet nga gruaja. – tha Hozeja.
– Le të supozojmë se është një grua të cilën e do shumë. – tha ajo. – Jo për të fjetur me të, a më kupton? Por, siç thua ti, që e do shumë.
– Mirë, si të thuash ti, mbretëreshë! – tha Hozeja, dhe shfryu i bezdisur.
U largua përsëri. Pa orën. Pa që ora po shkonte gjashtë e gjysmë. Mendoi, se brenda disa minutave restoranti do të mbushej me njerëz dhe ndoshta, për këtë arsye nisi të fërkonte xhamin më me shumë forcë, duke parë drejt rrugës përmes kristalit të dritares. Gruaja qëndronte në karrige e heshtur, e përqendruar dhe duke parë me një hije trishtimi lëvizjet e burrit. Duke parë, sesi mund të shohë një burrë, një llambë që ka nisur të shuhet. Papritur, foli sërish, me një zë tepër të butë.
– Hoze!
Burri e vështroi me një ëmbëlsi të thellë dhe paksa i trishtuar, si një viç i vogël, qumështor. Nuk e vështroi për ta dëgjuar, ndoshta vetëm për ta parë, për të ditur që ishte aty, duke pritur një shikim që nuk kishte pse të ishte mbrojtëse apo solidariteti. Ndoshta thjesht një shikim.
– Të thashë se nesër do të iki, dhe nuk më the asgjë – tha gruaja.
– Po. – tha Hozeja. – Por nuk më the se ku.
– Atje, – tha gruaja. – Ku të mos të ketë burra që duan të flenë me një femër.
Hozeja nisi të buzëqeshë përsëri.
– Seriozisht do të ikësh? – e pyeti, duke e ndryshuar papritur shprehjen e fytyrës, në një mënyrë të tillë, sikur po meditonte mbi jetën.
– Kjo varet nga ti. – tha gruaja. Në qoftë se do të dish të thuash, se në çfarë ore erdha, nesër do të iki dhe nuk do të përzihem më me këto gjëra. A të pëlqen kjo gjë?
Hozeja, i buzëqeshur, bëri me kokë një gjest pohues dhe të qartë. Gruaja u përkul andej nga ishte ai.
– Nëse një ditë do të kthehem këtej, do të bëhem xheloze po të gjej një grua tjetër duke folur me ty, në këtë orë dhe pikërisht në këtë karrige.
– Nëse kthehesh këtej, duhet të më sjellësh diçka – tha Hozeja.
– Të premtoj se do ta kërkoj gjithandej arushin e lëkurës, që të ta sjell, – i tha gruaja.
Hozeja buzëqeshi dhe e kaloi leckën në hapësirën që ndodhej midis tij dhe gruas, sikur të ishte duke pastruar një kristal të padukshëm. Edhe gruaja buzëqeshi; tani, me një gjest të përzemërt dhe joshës. Pastaj burri u largua duke pastruar xhamin nga cepi tjetër i banakut.
– Çfarë? – tha Hozeja, pa e parë në sy.
– A do t’i thuash kujtdo që të të pyesë, se në çfarë ore erdha; se erdha në gjashtë pa një çerek? – e pyeti gruaja.
– Përse? – tha Hozeja, ende pa e parë dhe tani në një mënyrë të tillë, sikur sapo e kishte dëgjuar.
– Kjo s’ka rëndësi – tha gruaja. – Çështja është që ta bësh.
Atë çast, Hozeja vuri re klientin e parë që hyri nga dera lëvizëse dhe eci drejt një tavoline në cep. Pa orën. Kishte shkuar fiks gjashtë e gjysmë.
– Dakort, mbretëreshë! – tha i shpërqendruar. – Si të duash ti. Gjithmonë, unë bëj atë që do ti.
– Mirë. – tha gruaja. – Atëherë më përgatit një biftek.
Burri iu drejtua frigoriferit, nxori një pjatë me mish dhe e la në tavolinë. Më pas ndezi sobën.
– Do të të përgatis një biftek të mirë lamtumire, mbretëreshë.
– Faleminderit, Pepijo! – tha gruaja.
Ajo qëndroi e menduar, sikur papritur, të ishte zhytur në një botë të çuditshme, e banuar nga forma të turbullta, të panjohura. Nga ana tjetër e banakut, nuk u dëgjua zhurma që bëri mishi i freskët kur ra në yndyrën e përvëluar. Nuk dëgjoi më pas, kërcitjen e thatë dhe shushuritëse, kur Hoze ktheu biftekun në tenxhere dhe era e këndshme e mishit të skuqur filloi të mbushte, ngadalë, ajrin e restorantit. Mbeti kështu, e përqendruar, e ripërqendruar, derisa ngriti përsëri kokën, duke pulitur sytë, sikur vdiq dhe u ngjall sërish. Atëherë pa burrin që qëndronte pranë sobës, i ndriçuar nga zjarri i flaktë dhe bubulak.
– Pepijo! Ah! Për çfarë po mendon?
– Po mendoja, a do të mund ta gjesh me ndonjë vend arushin prej lëkure – tha Hozeja.
– Sigurish që po – tha gruaja. – Por, ajo që dua të më thuash është, nëse do të më jepje për lamtumirë çdo gjë që do të të kërkoja?
Hozeja e pa që matanë sobës.
– Sa herë do, që të ta përsëris? A do ndonjë gjë më shumë se biftekun më të mirë?
– Po – tha gruaja.
– Çfarë? – tha Hozeja.
– Dua një çerek ore më tepër.
Hozeja çoi trupin mbrapa, për të parë orën. Pastaj pa klientin që vazhdonte të qëndronte në heshtje, duke pritur në cep, dhe në fund pa mishin, e skuqur në tenxhere. Vetëm atëherë foli:
– Seriozisht nuk po kuptoj gjë, mbretëreshë.
– Mos u bëj budalla, Hoze. – tha gruaja. – Kujtohu që jam këtu që nga ora pesë e gjysmë…
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëTraditat dhe ritet e dikurshme të dasmave shqiptare
Lufta e Vraninës dhe akti heroik i Oso Kukës
Kanuni, “një botë e mbyllur"
Thënie për nënën: Nëna është personi i vetëm në botë që të do para se të të shohë!
Historia e fotos ikonike nga Belfasti i trazirave
PARAJA
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town
Ngjarja me Drilonin dhe Edin - Sarës i përkeqësohet gjendja në Big Brother VIP Kosova?
Pochettino e injoroi dhe bëri sikur nuk e njeh, ish-ylli i Chelseat ka një përgjigje për argjentinasin
Real Madridi në mesin e klubeve të interesuara për transferimin e mbrojtësit nga Serie A