LAJMI I FUNDIT:

Policia jep detajet nga të shtënat me armë zjarri në Kavajë

Policia jep detajet nga të shtënat me armë zjarri në Kavajë

Policia e Kavajës ka dhënë informacionin paraprak për ngjarjen e rëndë të ndodhur sot në mesditë në Kavajë, ku pas konfliktit me armë zjarri midis disa personave, mbeti i vrarë një kalimtar i rastit, shtetasi Ramazan Haslliu.

Në njoftimin e policisë nuk thuhet si nisi ngjarja, por sqarohet se autorë të saj janë dy vëllezërit me iniciale Marius Aliaj dhe Denis Aliaj. I pari ka mbetur i plagosur dhe mbahet në ruajtje nga shërbimet e Policisë në spitalin e Durrësit, ndërsa i dyti është shpallur në kërkim pasi ka mundur të largohet nga vendngjarja.

Katër shtetas të tjerë kanë mbetur të plagosur dhe ndodhen në spitalin e Durrësit jashtë rrezikut për jetën. Ata janë identifikuar si Erald Hyka, Rustem Berberi, Sali Mekja dhe Arben Hajdini.


Sa i përket konfliktit, Top Channel ka mësuar se sherri ka nisur mes Erald Hykës dhe Denis Alisë, paraditen e së enjtes, e më pas dy të rinjtë kanë marrë armët e kanë hapur zjarr ndaj njëri-tjetrit.

Njoftimi i policisë

Sot rreth orës 12:30 në lagjen nr. 2 Kavajë, pas një konflikti mes disa personave, ka mbetur i vrarë shtetasi R. H., (kalimtar i rastit) dhe kanë mbetur të plagosur 5 shtetas, të cilët po marrin mjekim në spitalin e Durrësit, jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe falë veprimeve të shpejta kanë bërë të mundur identifikimin e autorëve dhe janë vënë në ndjekje të njërit prej tyre.

Për zbardhjen e plotë të ngjarjes u ngrit menjëherë një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorit të Rrethit dhe nga veprimet paraprake dyshohet se autorët e ngjarjes janë dy vëllezër, shtetasit M. A dhe D. A.

Shtetasi M. A (autori i dyshuar), mbahet në ruajtje nga shërbimet e Policisë në spitalin e Durrësit, pasi është i plagosur.

Policia është vënë në ndjekje të autorit tjetër, shtetasit D. A. dhe vijon krehja e zonës për kapjen e tij

Policia ka bllokuar dy automjete që u përkasin pjesëtarëve të palëve që janë konfliktuar.

Janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Kavajë disa persona dhe vijon puna për shoqërimin e personave të tjerë.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. /TCH/