LAJMI I FUNDIT:

Deputeti i PDK-së kërkon unitet politik në Kosovë

Deputeti i PDK-së kërkon unitet politik në Kosovë

Për shkak të shumë proceseve që kanë stagnuar në Kosovë njohës të çështjeve politike, por edhe opozita po konsiderojnë se vendi çdo ditë e më shumë po i afrohet krizës politike dhe se zgjidhja për të janë zgjedhjet e parakohshme, përderisa nga Qeveria bëjnë thirrje për unitet për ta kaluar këtë fazë kritik.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, u shpreh se ndonëse Kosova po përballet aktualisht me disa probleme, sipas tij nuk është kohë e përshtatshme për zgjedhje.


Ai thekson se për t’i kaluar problemet në Kosovë duhet koordinim veprimesh mes pozitës dhe opozitës.

“Nuk konsiderojmë që zgjedhjet janë zgjidhje, nëse një gjë e tillë do të ishte e vërtetë ne do të kishim punuar në atë drejtim. Zgjidhja për momentin është që pozitë e opozitë t’i harmonizojnë veprimet dhe ta përfaqësojmë vendin si duhet. Kosovës i duhet një unitet për ta kaluar gjendjen nëpër të cilën po kalojmë. Përderisa po bëhen samite për Kosovën ne nuk po arrijmë nga brenda të bashkohemi, nuk mendoj që kjo është e mirë për vendin. Mendoj që kemi nevojë për unitet që ta kalojmë këtë situatë”, ka thënë Beqa, për “Zërin”

Megjithatë Beqa thotë se nuk mund të konsiderohet vendi si i bllokuar, edhe pse koalicioni ka pak numra Kuvendi po funksionon.

“Nuk konsideroj se vendi është në bllokadë, kemi pasur disa pengesa gjatë kësaj legjislature me numrin e votave dhe kalimin e ligjeve në Kuvend, mirëpo nëse i shohim statistikat ka pasur shumë ligje të miratuara. Megjithatë konsideroj që Parlamenti është duke funksionuar, por edhe opozita duhet ta luajë rolin e saj”, ka thënë ai.