LAJMI I FUNDIT:

LDK-ja nuk do ta votojë platformën e Ekipit negociator për dialogun me Serbinë

LDK-ja nuk do ta votojë platformën e Ekipit negociator për dialogun me Serbinë

Ekipi negociator ka finalizuar draft-platformën për dialogun Kosovë-Serbi, e cila pritet të dërgohet të premten në Kuvendin e Republikës së Kosovës për t’u votuar nga deputetët e saj.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti në një prononcim për Telegrafin ka thënë se platforma për dialog është Kushtetuta e Kosovës si dhe Ekipi negociator është Qeveria e Kosovës.

Sipas tij, çdo format tjetër është jo legjitim dhe nuk do të ketë përkrahje asnjëherë.


“Platformë për dialog është Kushtetuta e Kosovës. Ekip negociator është Qeveria e Kosovës, me legjitimitet politik, që ushtron kompetencat e veta kushtetuese. Çdo format tjetër është jo kushtetues dhe nuk do të ketë përkrahje asnjëherë. Kosova është shteti i pavarur dhe duhet të përfaqësohet nga institucionet kushtetuese. Nëse këto institucione nuk kanë fuqi politike dhe nuk kanë legjitimitet, atëherë duhet ndjekur rrugët për të fituar legjitimitetin fillimisht. Askush nuk duhet të eksperimentojë me shtetësinë e Kosovës”, ka thënë Hoti.

Telegrafi po ashtu ka tentuar që të marr dhe një përgjigje nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), mirëpo nuk ka arritur që të kontaktoj me ndonjërin prej tyre.

Ndryshe, Ekipi negociator pritet që takohen në orën 15:00 për ta votuar formalisht draft-platformën nga delegacioni shtetërorë. Më pas ky Ekip, të premten do ta dërgoj në Kuvendin e Republikës së Kosovës këtë draft-platformë për t’u votuar nga deputetët e saj. /Telegrafi/