LAJMI I FUNDIT:

Musine Kokalari në një dashuri platonike

Musine Kokalari në një dashuri platonike

Musine Kokalari, një nga personazhet e njohur të letrave, nuk i ka fshehur emocionet në letërkëmbimet që ka pasur me mikeshat e saj. Një prej tyre është historia me një të ri gjatë kohës së studimeve në Itali. Një nga miket e saj më të mira ishte Selfixhe Ciu, me të cilën ndau kohën e ëndrrave rinore. E shoqja, në pjesën më poshtë, flet për dashurinë platonike mes Musinesë dhe një izraeliti me emrin Pattak.

Tepër të drojtura, gati si ditare, si rrëfime të vetvetes ishin shkrimet tona të para. Musinea sapo e kish marrë maturën e atë verë, verën e vitit 1937 e kaluam së bashku në shtëpinë time në plazhin e Durrësit. Unë kisha filluar të botoj më parë, krejt rastësisht e nxitur nga kushëriri im Shemsi Totozani, që i lexoi shkrimet dhe më ndihmoi t’i botoj në shtypin e kohës, në revista e gazeta me pseudonimin Kolombja.

Musinea ende lëkundej, jo se s’kish guxim të botonte, apo pengohej nga njeri, jo aspak. Në familjen e saj ishin të gjithë të kulturuar dhe askush nuk e pengonte, po ishte ajo vetë që kërkonte nga vetja. Ajo ishte shumë kërkuese ndaj vetes.


Në ditarin e saj janë këto shkrime: “Shoku im”, “Ti” etj. që janë shkruar në ditët kur Musinea mbushi njëzet vjeç. Shkrimi “Shoku im” është për një djalosh izraelit me emrin Pattak, mbiemri s’më kujtohet.

Ishte një miqësi e çiltër, dashuri platonike brenda zemrës së secilit, po që nuk e pohoi askush, asnjëherë. Pattaku ishte një djalë me një konstrukt atleti, me ballë të gjerë dhe shumë inteligjent. Nuk e di ç’u bë më vonë. Nuk dëgjova më kurrë të flitej për të, pasi mori maturën. Ishte koha kur ne lexonim shumë. Diskutonim me zjarr dhe kishim që të gjithë dashuri të ethshme që Shqipëria jonë e vogël dhe e varfër të përparonte.

Ajo verë e vitit 1937 ka qenë stina jonë e ëndrrave dhe e fillimit të krijimtarisë së botuar të Musinesë me pseudonimin “MUZA”. Pasi mori maturën Musinea erdhi tek ne në Durrës. Ecnim me orë të tëra në bregdet. Shkonim në këmbë deri tek Ura e Dajlanit.

Pastaj ktheheshim në dhomat tona e secila bënte gati shkrimin për në gazetën “Shtypi”. I dërgonim në adresën e Kolë Berishës dhe mbajtëm që nga gushti deri në fillim të janarit 1938 me Petro Markon (DEMO KOTI) rubrikën “Rrymëzime”.

Ajo ishte stina jonë e paharruar. Dhe ëndrra më e madhe për ne qe, sigurisht, universiteti, ku priste të regjistrohej Musinea. /Gazeta Shqip/

 

Në trend Kultura

Më shumë
Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Kulture
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
GJUHA SHQYPE

GJUHA SHQYPE

Poezi
HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

Fjala+
KUMBULLA PËRTEJ MURIT

KUMBULLA PËRTEJ MURIT

Fjala+
NJË POEZI PËR PAQEN

NJË POEZI PËR PAQEN

Poezi
Kalo në kategori