LAJMI I FUNDIT:

Çelaj: “Evropa për qytetarët”, mundësi për aplikim në shumë programe të BE-së

Çelaj: “Evropa për qytetarët”, mundësi për aplikim në shumë programe të BE-së

Në trajnimin e organizuar për zyrtarët komunalë për programin e BE-së, “Evropa për qytetarët”, u theksua përkushtimi për forcimin e bashkëpunimit me komuna dhe shoqërinë civile në të gjitha drejtimet për përmirësim të qeverisjes.

Trajnimin e hapi, zëvendësministri i Integrimit Evropian, Lirak Çelaj, me ç’rast theksoi se trajnimi bëhet me mbështetje të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian, për t’i trajnuar zyrtarët komunalë se si të aplikojnë në thirrjet e programit “Evropa për qytetarët”.


“Programi i BE-së, “Evropa për qytetarët” mbështet projekte që kontribuojnë rritjes së njohurive të qytetarëve rreth BE-së, historisë dhe diversitetit të tij dhe projektet që nxisin qytetarinë evropiane si dhe për përmirësimin e kushteve për pjesëmarrje qytetare dhe demokratike në nivel të BE-së.

Në thirrjet e këtij programi mund të marrin pjesë autoritetet lokale dhe organizatat e shoqërisë civile, vuri në dukje Çelaj dhe shtoi se Ministria e Integrimit Evropian është institucion koordinues i këtij programi, prandaj ka organizuar trajnimin për komunat e Kosovës. Sidoqoftë, theksoi Çelaj, ju do të aplikoni drejtpërdrejt te agjencitë e Bashkimit Evropian, të cilat janë përgjegjëse për programin, dhe për këtë do të mësoni më shumë nga ky trajnim”, thuhet në njoftimin për media.

Ministria e Integrimit Evropian do të ofrojë ndihmën e nevojshme për të mundësuar aplikimin sa më të suksesshëm në kuadër të thirrjeve të këtij programi dhe do të organizojë sesione informuese dhe trajnime. /Telegrafi/