LAJMI I FUNDIT:

Skenari “parapërgatitur” i Thaçit për pezullimin e taksës ndaj Serbisë

Skenari “parapërgatitur” i Thaçit për pezullimin e taksës ndaj Serbisë

Deklarata e presidentit Hashim Thaçi se Kosova është gati që ta shqyrtojë heqjen e taksës 100 përqind ndaj produkteve serbe, “nëse Kosovës i jepet një rrugë e qartë drejt arritjes së një marrëveshjeje finale paqësore me Serbinë”, është pritur me shumë kritika gjatë 24 orëve të fundit në vend.

Duke e cilësuar si të dëmshëm dhe ofendues për institucionet dhe qytetarët e Kosovës veprimin e kreut të shtetit, analistët politik në vend vlerësojnë se kjo është një parapërgatitje e opinionit publik lidhur me mundësinë e pezullimit të tarifës doganore që Qeveria e Kosovës ka vënë për produktet serbe.

Valmir Ismaili nga Demokracia Plus (D+), thotë për Gazetën Jeta në Kosovë, se deklarata e presidentit të vendit, mund të shihet si një parapërgatitje e opinionit publik që taksa ndaj produkteve serbe mund të largohet ose së paku të pezullohet për një periudhë të caktuar.


“Duke e ditur që z. Thaçi është në qendër të bisedimeve dhe ka të gjitha informatat për çdo çështje që bisedohen, atëherë ky paralajmërim i tij duhet të merret seriozisht. Natyrisht që presioni më i madh për heqjen e taksës do të bie mbi z. Haradinaj i cili ka vendosur taksën ndaj produkteve serbe. Gjasat janë që për t’i dhënë një mundësi dialogut, taksa të pezullohet për një periudhë të caktuar”, theksoi Ismaili.

Megjithatë, sipas tij taksa ndaj produkteve serbe nuk mund të jetë e përhershme.

“Kjo taksë është vënë kryesisht si kundërpërgjigje ndaj politikës agresive serbe ndaj përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në institucione ndërkombëtare. Në rast se shihet se ka gjasa që Kosova dhe Serbia do të arrijnë shpejt një marrëveshje finale, atëherë, pezullimi i përkohshëm i taksës nuk do të ishte i dëmshëm. Natyrisht, që për këtë do të duhej të kishte garanci të forta nga ShBA-të”, vlerëson ai, duke shtuar se nuk do të ia vlente që taksa të hiqej/pezullohej pa pasur garanci të forta nga një palë tjetër, në këtë rast ShBA-të.

“Në anën tjetër, në aspektin afatgjatë, Kosova duhet të mendoj alternativa tjera për të zvogëluar varësinë nga mallrat serbe”, tha ai.

Ndërkaq, sipas njohësit të çështjeve politike në vend Haki Abazi, paralajmërimi për heqjen e vendimit për taksën ndaj Serbisë, është i dëmshëm dhe i rrezikshëm.

“Heqja e taksës tani është jo vetëm e dëmshme, por madje edhe e rrezikshme për shkakun se do të vërtetohej se Thaçi është në gjendje të bëjë çdo gjë për të negociuar për fatin e tij dhe të gjitha mekanizmat mbrojtës të interesave shtetërore janë abortuar”, është shprehur ai.

Sipas Abazit, tërheqja e vendimit pa u përmbushur kushti për njohje do të ishte një miratim dhe pranim i ankesave të Serbisë dhe injorim i interesave të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

“Kostoja e një veprimi të tillë do të ishte shumë më e lartë se sa kostoja dhe presioni që mund të ushtrohet ndaj institucioneve kosovare”, vlerësoi ai.

Përfshirja amerikane në ‘përshpejtimin’ e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mund ta kenë marr me shumë seriozitet arritjen e një marrëveshjeje finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Kështu thotë për Gazetën JnK, Valmir Ismaili (D+), i cili njëherësh përmendi letrën e presidentit amerikan Donald Trump drejtuar Kosovës dhe Serbisë dhe faktin se gazeta prestigjioze amerikane “Washington Post” ka publikuar artikull për procesin e dialogut ndërmjet dy shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Megjithatë, është diçka tjetër se a i konvenon Kosovës që të arrijë një marrëveshje finale kur në krye të ShBA-ve është një president që shquhet për vendime kontraverse si në aspektin politikës së brendshme, ashtu edhe asaj të jashtme”, vlerëson ai.

Në anën tjetër, sipas Haki Abazit, administrata e tanishme amerikane e presidentit Trump është në krizë të thellë, duke u ballafaquar me problemet e veta.

“Lufta tregtare me Kinën, raportet e ftohta dhe të çuditshme me shtetet evropiane, deklaratat joserioze për Malin e Zi, Afganistanin dhe për raportet me Rusinë, largimi apo dorëheqja e figurave eminente e ekspertëve dhe niveli i lartë kontravers i ndërtimit të murit me Meksikën, ka krijuar hapësirë shumë të vogël për të thënë se Trump ka arritur të mbajë SHBA-në si faktor të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare”, theksoi ai.

Abazi vlerëson se çdo administratë do të jetë miqësore ndaj Kosovës duke ju falënderuar diasporës së fuqishme në Amerikë dhe ndikimit që kanë në Kongres dhe Senat dhe siç thotë ai,  kjo nuk varet prej politikanëve në Kosovë, e sidomos jo nga Thaçi.

“Është shumë e rrezikshme që të futet në shqyrtim çështja e kufijve në këtë kohë kur Serbia është në ofensivë për të tërhequr njohjet, për të parandaluar çdo lloj avancimi dhe anëtarësimi të Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Marrëveshja eventuale që do të arrihej është një nënshtrim i Kosovës ndaj kërkesave të Serbisë që krahasimisht do të ishte e barabartë me marrëveshjen e Oslos për Palestinën duke e bërë të pamundur dhe territorialisht jofunksionalë gjithë Kosovën”, thotë ai, duke shtuar se SHBA-të nuk përkrahin një marrëveshje kur nuk ka përkrahje gjithëpërfshirëse nga i gjithë spektri politik.

Kundërpërgjigjja e qeveritarëve ndaj presidentit

Deklaratës së presidentit Hashim Thaçi lidhur me taksën e produkteve serbe, i janë kundërpërgjigjur edhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka thënë se presidenti Thaçi nuk mund të jap premtime të tilla për heqjen e taksës ndaj shtetit të Serbisë sepse siç tha ai, taksën e ka vendosur Qeveria e Kosovës me propozimin e tij si ministër dhe jo presidenti.

“Përderisa ekzistojnë arsyet të cilat neve si Qeveri e Republikës së Kosovës na kanë shty me vendosë këtë taksë, do të thotë arsyet të cilat unë i kam prezantuar, kur e kam propozuar vendimin për këtë taksë, atëherë asnjëherë kjo taksë nuk do të eliminohet”, kishte thënë ministri Shala.

Në të njëjtën linjë, ka vepruar edhe zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani.

Përmes një publikimi në Facebook, Ramadani është shprehur se taksa nuk hiqet deri në njohjen e Kosovës nga Serbia.

“Taksa 100 për qind nuk është vënë për t’u hequr pa ndryshuar plotësisht rrethanat. Njohja e Serbisë për shtetin e Kosovës, sipas 17 shkurtit 2008, hap mundësinë për të diskutuar, jo anasjelltas.  Siguria Kombëtare nuk vihet në kalkulime”, ka shkruar zëvendësministri.

Presidenti Thaçi mori kritika edhe nga ana e qytetarëve, të cilët i reaguan virtualisht në rrjetin social Facebook.

Komentuesit e kritikuan presidentin se po kujdeset më shumë për ekonominë e Serbisë, ndërsa i kanë sugjeruar të mos ndërhyjë në vendimet e qeverisë.

Në anën tjetër, delegacioni i Serbisë është shprehur i vendosur të pezullojë pezullojë dialogun me Prishtinën zyrtare, deri në heqjen e tarifës doganore prej 100 për qind ndaj produkteve serbe. /Kallxo.com/

Në trend Lajme

Më shumë
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Lajme
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar

Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar

Lajme
Zbardhen detaje nga vrasja e 43-vjeçarit në Tropojë, viktima dhe autori ishin shokë

Zbardhen detaje nga vrasja e 43-vjeçarit në Tropojë, viktima dhe autori ishin shokë

Lajme
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Reshjet e shiut, vërshohen disa rrugë në Prishtinë

Reshjet e shiut, vërshohen disa rrugë në Prishtinë

Prishtina
Philip Reeker: Dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioritet për administratën e Trumpit

Philip Reeker: Dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioritet për administratën e Trumpit

Lajme
Kalo në kategori