LAJMI I FUNDIT:

Autoritetet serbe arrestojnë në kufi Boban Stankoviqin, zëvendësministër në Qeverinë e Kosovës

Autoritetet serbe arrestojnë në kufi Boban Stankoviqin, zëvendësministër në Qeverinë e Kosovës

Të mërkurën në pikën kufitare të Merdarës, autoritetet serbe kanë arrestuar zëvendësministrin e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Boban Stankoviq, i cili njëkohësisht është dhe nënkryetar i Partisë Liberale të serbëve të Kosovës.

Këtë lajm e ka konfirmuar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në profilin e tij në Facebook, duke shtuar se shteti serb po vazhdon provokimin dhe qasjen jokonstruktive ndaj qytetarëve të Kosovës.


Ai ka treguar se Stankoviq po merret në pyetje nga zyrtarë të BIA-së serbe.

Postimi i plotë i Kryeministrit Haradinaj

Vazhdojnë provokimet dhe qasja jokonstruktive e shtetit serb ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës

Sot në pikën kufitare në Merdare, është ndaluar nënkryetari i Partisë Liberale të serbëve të Kosovës si dhe zëvendësministër në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Boban Stankoviq. Ai po mbahet nga zyrtarët policorë serb pa asnjë arsye dhe në bazë të informacioneve që kemi ai po merret në pyetje nga zyrtarë të BIA-së serbe.

Ftojmë autoritetet serbe që të ndalojnë praktikat tilla të presionit ndaj qytetarëve serb, të cilët duan ta ndërtojnë jetën e tyre në Republikën e Kosovës. Kosova është shtet i gjithë qytetarëve të saj dhe ne nuk do të pranojmë që në këtë formë të frikësohen qytetarët tanë. /Telegrafi/