LAJMI I FUNDIT:

Eurostat: Ekonomia në Eurozonë me rritjen më të ngadaltë në 4 vite

Eurostat: Ekonomia në Eurozonë me rritjen më të ngadaltë në 4 vite

Ekonomia e Eurozonës u rrit me normën më të ngadaltë në 4 vite gjatë tremujorit të tretë 2018, ndërsa rritja e punësimit u ngadalësua gjithashtu, sipas të dhënave të agjencisë së statistikave të Bashkimit Europian.

Produkti i Brendshëm Bruto në zonën e valutës së përbashkët u rrit me 0.2 për qind në periudhën Korrik-Shtator, sipas Eurostat, që konfirmoi vlerësimet fillestare.

Kjo ishte norma më e ngadaltë që prej tremujorit të katërt 2014 dhe shënoi një ngadalësim nga rritja me 0.4 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti. Me bazë vjetore, rritja ekonomike u regjistrua në 1.6 për qind sipas Eurostat, që rishikoi vlerësimin fillestar prej 1.7 për qind.


Ekonomia e Gjermanisë, më e madhja në Europë, u tkurr me 0.2 për qind gjatë tremujorit, Franca u rrit me 0.4 për qind, ndërsa Italia u tkurr gjithashtu me 0.1 për qind.

Eurostat ka publikuar gjithashtu të dhënat mbi rritjen e punësimit në Eurozonë. Numri i personave të punësuar në zonën e valutës së përbashkët u rrit me 0.2 për qind nga tremujori i dytë dhe me 1.3 për qind me bazë vjetore. /Telegrafi/