LAJMI I FUNDIT:

Posta e Kosovës lanson pullën postare me imazhin e veprimtarit Adem Demaçi

Posta e Kosovës lanson pullën postare me imazhin e veprimtarit Adem Demaçi

Me rastin e festës së 28 Nëntorit, Dita e Flamurit Kombëtar, Posta e Kosovës në kuadër të tematikës “I patunduri – Adem Demaçi”, ka emetuar një pullë postare me imazhin e veprimtarit të madh Adem Demaçi, heroi i kombit shqiptar.

Me këtë rast, kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, i dhuroi pullën e parë postare familjes Demaçi, të punuara në bronz, si dhe disa prej bashkëveprimtarëve të tij.


Hoxha deklaroi se është krenari për Postën e Kosovës dhe të gjithë punonjësit e saj, që përmes emetimit të kësaj pulle postare të nderojmë figurën më të ndritur të kombit shqiptar, simbolin e rezistencës dhe sakrificës për liri dhe bashkim kombëtar.

“Adem Demaçi u rreshtua përkrah Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke u bërë edhe Përfaqësues Politik i saj, detyrë që do ta kryej me një guxim të pashoq në zyrën e hapur në Prishtinë. Emri i heroit kombëtar, Adem Demaçi, nga sot e mot do të përjetësohet edhe në pullë postare. Imazhi i tij i ndritur do të udhëtojë në tërë botën përmes dërgesave tona postare dhe do t’i lartësoi vlerat që i krijoi kombi ynë ndër shekuj në shërbim të atdheut dhe vlerave paqësore të njerëzimit” u shpreh kryeshefi Hoxha.

Për jetën dhe veprimtarinë e Adem Demaçit foli bashkëveprimtari i tij, Ilaz Pireva, i cili paraqiti veprimtarinë e tij patriotike.

Të pranishmëve me një fjalë përshëndetëse iu drejtua edhe bashkëshortja, Xhemajlije Demaçi, e cila me emocione shpalosi fisnikërinë dhe qëndresën e saj gjatë viteve që i kaloi jetë me atë. /Telegrafi/