LAJMI I FUNDIT:

Rrëfimi për jetën dhe fotografinë më të mirë të Dorothy Bohmit

Rrëfimi për jetën dhe fotografinë më të mirë të Dorothy Bohmit

“Më thanë se kishin dalë për të blerë për nënën e tyre…”, thotë fotografja Dorothy Bohm, për foton që kishte realizuar në vitet ’50 të shekullit të kaluar. Rrëfimin e saj për ditoren Guardian, Telegrafi ua sjell më poshtë.

Në mesin e viteve 1950, burri im dhe unë jetonim në Paris. Një ditë erdhi vëllai im për të na vizituar. Ia tregova qytetin; e dërgova në vendet e mia të preferuara. Ishim në Montmartre kur pashë këta fëmijë, të cilët ishin rreth nëntë e pesë vjeç. Frëngjishtja ime ishte mjaft e mirë për të biseduar me ta. Më thanë se kishin dalë për të blerë për nënën e tyre. Vajza e vogël mbante kuti të pluhurit ‘Omo’, për larje, e djali mendoj se kishte një shishe verë. Kam bërë disa foto, por kjo është më interesantja (në foton kryesore dhe e para më poshtë). Mund të shihni se rrinin lirshëm, duke shikuar vëllain tim që fliste me ta.

I dua ekspresionet e tyre, por ajo që e bën këtë imazh prekës është se mbetet një pjesë e historisë: fakti se rrugët nuk ishin shtruar si duhet; shenja në mur; mënyra se si fëmijët ishin veshur. E shikoj dhe pyes veten për jetën që kanë bërë; për djalin që kujdeset për motrën e vogël. Jeta nuk duket të ketë qenë luksoze për ta.


Këto ditë Montmartre është plot me turistë, por unë e njihja kur i përkiste artistëve. U njoftova me shumë nga ta nga mikja ime Marie Nordlinger, që e kam takuar në Mançester kur isha 16 vjeçe e ajo kishte 65 vjet. Ishte artiste që kishte jetuar në Paris, qëkur ishte e vogël. Kushëriri i saj ishte i dashuri i Marcel Proustit dhe ajo dhe Proust u bënë të afërt. Më kujtohet kur më tregonte letrat që ia kishte shkruar asaj, dorëshkrimi i pamundur që shkonte në këtë apo atë mënyrë.

Gjatë asaj kohe nisa ta njihja kënaqësinë që ta ofron puna jashtë, me dritë natyrale. Louis, bashkëshorti im, punonte për një kompani petrokimike dhe vazhdimisht udhëtonte. Kam kaluar shumë kohë vetëm. Kam takuar një artist të quajtur Avigdor Arikha dhe, përmes tij, mësova Parisin që turistët nuk e shohin. Mbaj mend të kem bërë një shëtitje me të dhe ai kërkoi të bëja një fotografi të koshit të plehrave. Ishte fotografi interesante që më mësoi diçka.

Nuk e nisa fotografinë për t’u bërë fotografe. Kur isha 14 vjeçe më çuan në Britani për të shpëtuar nga nazistët. Babai im kishte një Leica, që në vitet 1930 nuk ishte aq i shpeshtë. Teksa largohesha nga Lituania, në dritare të trenit, duke u përshëndetur ai ma dha atë duke thënë: “Kjo mund të jetë e dobishme”.

Isha fëmijë i dhënë pas librave dhe doja të bëhesha mjeke. Por, nuk kisha para për këtë. Kushëriri i babait ma sugjeroi fotografinë dhe më çoi në një studio në Londër te një fotografe francezo-çeke, Germaine Canova. Kur e vura këmbën në studio, ishte sikur të bija në dashuri. Canova pranoi të më mësonte, por bombardimi nisi dhe duhej të iknim nga Londra. Canova e mbylli studion dhe unë shkova për të studiuar fotografinë në Mançester, aty ku ishte vëllai im.

Atje e takova Louisin, i cili po kryente doktoratën. Kam pranuar të martohem me të, me kushtin që ai të vazhdote studimet e tij. Ndjehesha e aftë për të fituar mjaftueshëm për të dy. Akoma jam krenare për këtë: në moshën 21 vjeçe, në vitin 1945, po e mbaja jetën tonë. Shumica e miqve të mi atë kohë ishin burra, sepse shumica e vajzave ishin të interesuara vetëm për t’u martuar dhe për të pasur fëmijë. Por, unë udhëhiqja biznesin time, Studion Alexander, duke punuar me shumë zell. Dukesha shumë e re dhe njerëzit nuk besonin se unë jam pronarja.

Do të bëhem 95 vjeçe vitin e ardhshëm. Kur Louis vdiq 25 vjet më parë, isha e shkatërruar. Ishim bashkë qëkur isha 16 vjeçe. Por, thash se do të ishte turp për mua nëse nuk vazhdoj tutje. Që atëherë u përqendrova tërësisht në punën time që gjithmonë e ka pasur një theks te fëmijëria dhe humori. Këtu ku jetoj sot në Londër, ka shumë shkolla dhe mua më pëlqen të shoh nxënësit tek lëvizin. Fëmijët duken më mirë në ditët e sotme: janë më të shëndetshëm dhe më mirë të ushqyer.

Gjatë tërë karrierës sime jam përqendruar te gjërat që janë shpresëdhënëse dhe frymëzuese. Neve gjithmonë na thonë sesa të tmerrshme janë gjërat. Unë përpiqem të shkoj në anën tjetër.

“CV”-ja e fotografes Dorothy Bohm:

Viti dhe vendi i lindjes: Konigsberg, Prusia Lindore (tani Kaliningrad, Rusi), 1924.

Trajnimi: Kursi në Teknologjinë Fotografike, në Kolegjin e Teknologjisë në Mançester.

Ndikimet: “Filmat italianë të viteve 1940, veçanërisht Fellini; gjithashtu Ingmar Bergman. Jo fotografët tjerë, tek të cilët kam hasur në fillim të viteve 1970, sapo u bëra drejtoreshë e Galerisë së Fotografëve në Londër”.

Suksesi më i madh: “Ndoshta ekspozita e vitit 2005 e fotografive të mia në Muzeun Carnavalet në Paris, pjesërisht për shkak të reagimeve pozitive nga parisienët që erdhën për të parë dhe pjesërisht sepse kisha shumë kujtime të mira për vitet kur jetova në Paris me burrin tim Louis në mes të viteve 1950”.

“Dështimi”: “Jo dështim, por periudha kur dy bijat e mia ishin shumë të vogla, në mes të viteve 1950 dhe 1960, që ishin vitet më pak produktive për mua.”

Këshilla kryesore: “Mos shkrep derisa nuk je i sigurt se kjo është fotografia që do.” /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
MOS U DORËZO KURRË

MOS U DORËZO KURRË

Poezi
Në nder të Sylvia Plathit

Në nder të Sylvia Plathit

Analiza
Fjalimi i Skënderbeut!?

Fjalimi i Skënderbeut!?

Fjala+
Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Kulture
Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?

Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?

Kulture
GJUHA SHQYPE

GJUHA SHQYPE

Poezi
Kalo në kategori