LAJMI I FUNDIT:

KEK-u prodhon vetëm rreth 375 megavat, furnizimi mbulohet nga importi

KEK-u prodhon vetëm rreth 375 megavat, furnizimi mbulohet nga importi

Mungesa e prodhimit vendorë të energjisë elektrike, ka bërë që të vështirësohet furnizimi me rrymë, e kjo zakonisht ka ndodhur gjatë stinës së dimrit. Në blloqet e Termocentraleve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), janë duke u prodhuar vetëm 375 Mw/h energji elektrike, derisa pjesa tjetër mbulohet nga importi.

Zyrtarët e KEK-ut kanë thënë se janë përgatitur mjaftueshëm për sezonin e dimrit, por nuk kanë treguar se sa janë duke prodhuar.

“Korporata Energjetike e Kosovës, gjatë nëntë mujorit të këtij viti ka arritur me sukses të realizojë prodhimin konform planifikimeve dhe bilancit energjetik. Po ashtu kemi bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme edhe për periudhat e ardhshme. Janë duke u përfunduar të gjitha remontet sipas planifikimeve të parapara dhe janë krijuar rezerva të mjaftueshme te thëngjillit”, kanë thënë zyrtarët e KEK-ut,


Ata janë shprehur të bindur se prodhimi do të vazhdojë me të njëjtin ritëm, duke respektuar me përpikëri obligimet kontraktuale ndaj KEDS/KESCO.

“Sa i përket gjendjes aktuale, siç është e paraparë me licencë dhe obligimet qe ka Korporata, operatorët në treg, KOSST dhe KEDS janë njoftuar 24 orë me herët për sasinë e energjisë të cilën do e ofrojmë nga kapacitetet tona prodhuese. KEK-u nuk ka asnjë përgjegjësi sa i përket reduktimeve të energjisë elektrike. Furnizues publik sipas licencës janë KEDS-i dhe KOSST-i”, theksohet në përgjigjet e KEK-ut.

Ndërkaq, zyrtarët e KEDS-it kanë thënë se janë duke iu përmbajtur planit të furnizimit me energji elektrike, nga importi për shkak se në KEK janë duke u prodhuar vetëm rreth 375 Mw/h energji elektrike.

“Ka reduktim të prodhimit të energjisë elektrike. Vetëm dy njësi janë në prodhim, të cilat prodhojnë rreth 375 Mw/h energji elektrike. Kjo nuk mjafton as për së afërmi. KEDS menjëherë ka filluar importin, që shkon deri në 420 MW/h. Pra, mbi gjysma e konsumit të pikut dhe gjatë ditës është duke u mbuluar nga importi. Brenda ditës janë duke u importuar mbi 5000 MW/h, që është sasi enorme, kur dihet se temperaturat nuk janë më të ftohtat “, ka treguar zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.

Sipas tij, mungesa e energjisë elektrike në rajon krijon vështirësi të mëdha në furnizim të konsumatorëve me rrymë. “Kjo situatë sjellë vështirësi të mëdha, pasi dihet se edhe rajoni ka mungesa të energjisë elektrike dhe sigurimi i saj është shumë i vështirë”, tha Buzhala. /Telegrafi/