Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës dhe njohësit e zhvillimeve politike e kanë dënuar presionin e Serbisë ndaj pjesëtarëve serbë të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët kanë nisur të parashtrojnë kërkesat për dalje nga kjo forcë.
Në fakt, tetë pjesëtarë serbë të Forcave të Sigurisë së Kosovës nga rajoni i Gjilanit kanë parashtruar kërkesat për dalje nga kjo forcë, për shkak të kërcënimeve dhe presionit gjithnjë e më të madh të Serbisë ndaj tyre, ndërkohë që lidhur me këto kërkesa, Ministria e Forcave të Sigurisë së Kosovës do të vendosë në gjashtë muajt e ardhshëm.
Presionet e Serbisë ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së janë shpeshtuar në muajt e fundit, fillimisht me paraburgimet në vendkalimet kufitare me Serbinë, e më pas edhe me deklaratat e autoriteteve serbe se atyre iu kërcënohet dënimi deri me 10 vjet, për shkak të pjesëmarrjes në formacionet e huaja të armatosura.
Janë shënuar edhe disa raste të sulmeve me koktej molotovi ndaj pronës së këtyre pjesëtarëve.
Zëvendësministri i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani, thotë se presionet e Serbisë ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së janë duke u rritur, veçanërisht nga muaji mars i këtij viti dhe kjo ka shkaktuar panik tek disa individë. Siç ka theksuar ai, FSK-ja po bën përpjekje që të largojë presionet e tilla, por megjithatë, sipas tij, secili mund të vendosë për vete. Për këtë situatë, thotë zëvendësministri Ramadani, janë njoftuar të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë edhe NATO-n.
“Është krejtësisht e qartë se kërkesa për largim lidhet në formë të drejtpërdrejtë me presion e vazhdueshëm ndaj tyre dhe familjarëve të tyre, që kanë ndodhë sidomos gjatë këtyre muajve të fundit. Po flasim për pjesëtarët e FSK-së, të cilët kanë shërbyer për sigurinë e komunitetit të vet dhe për FSK-në, për vite të tëra. Është fatkeqësi veprimi i Serbisë ndaj serbëve të Kosovës dhe është krejtësisht e papranueshme kjo logjikë vullgare e reagimit”, tha Ramadani.
Ai shton se tashmë është e qartë që, siç i ka quajtur ai, politikave të vjetra të Serbisë u dhemb në mënyrë të jashtëzakonshme integrimi i serbëve në institucionet e Kosovës dhe besimi i tyre ndaj këtyre institucioneve.
Zëvendësministri Ramadani gjithashtu thotë se mbi 5 për qind e pjesëtarëve të Forcave të Sigurisë së Kosovës, i takojnë bashkësisë serbe dhe ata, para së gjithash, shërbejnë për sigurinë brenda bashkësisë së tyre, e më pas edhe për sigurinë e Kosovës dhe rajonit.
Rangjel Nojkiq, analist i çështjeve politike nga radhët e komunitetit serb, thekson se nuk sheh ndonjë ndryshim ndërmjet Policisë së Kosovës, në të cilën është integruar bashkësia serbe dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës, e cila ende nuk është ushtri.
“Në qoftë se kemi serbë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, por edhe në Ministrinë e FSK-së, atëherë nuk e kuptoj se pse nuk u lejohet serbëve të jenë edhe në ato Forca të Sigurisë. Këto janë dy binarë të tërësishëm që shfrytëzohen për tema ditore politike. Kjo gjendje i vë serbët në situatë krejtësisht të papërshtatshme. Në njërën anë kanë presion nga ana e Beogradit, me kërcënimet se do t’i burgosin kur të dalin nga territori i Kosovës dhe në anën tjetër, është krejtësisht normale që do të kenë presion edhe nga ana e institucioneve të Kosovës”, thekson Nojkiq.
Por, sipas tij, Beogradi sërish mund të thotë se serbët duhet të jenë në këtë forcë.
“Në qoftë se ato do të jenë forca që merren me sigurinë dhe nëse themi që siguria e serbëve është në rend të parë, atëherë është krejtësisht normale që serbët të jenë aty. Por, kjo do të ndodhë vetëm në momentin kur kjo do t’i nevojitet dikujt në Beograd, për poenë politikë. Në të kundërtën, ata njerëz do t’i lënë në stihi”, tha Nojkiq.
Në muajin shkurt të këtij viti, në Zubin Potok, komunë kjo në veri të Kosovës, janë parë afishet, në të cilat në mënyrë të hapur kërcënohen pjesëtarët serbë të Forcave të Sigurisë së Kosovës.
Afishet ishin të nënshkruara nga e ashtuquajtura “Armata e Veriut”, e cila ka bërë thirrje që këta pjesëtarë serbë të FSK-së, “të mos lejohen të jetojnë dhe punojnë në Zubin Potok dhe të mos lejohet që atyre t’iu ndihmojë Komuna e Zubin Potokut dhe kryetari i saj”.
Gjithashtu, në ato afishe, janë renditur emrat dhe mbiemrat e mjaft pjesëtarëve të Forcave të Sigurisë së Kosovës, me kërcënimin se nuk do të mund t’i ruajë as Policia e Kosovës e as komuna.
Në fund të muajit nëntor të vitit të kaluar, në Zubin Potok, në shtëpitë e dy pjesëtarëve serbë të FSK-së, janë hedhur mjete shpërthyese. Ndërkaq, në gusht të vitit të kaluar, është evidentuar edhe tentimi për djegie të një automjeti, pronë personale e një pjesëtari serb të FSK-së.
Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë 103 pjesëtarë nga bashkësia serbe.
Kosova po mëton t’i transformojë këto forca në Ushtri të Kosovës, por për këtë nevojiten ndryshimet kushtetuese, gjegjësisht, mbështetja e deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës, të cilët tash për tash, janë kundër formimit të kësaj ushtrie. /rel/Telegrafi/
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
Ruajtja e shumicës shqiptare në Komunën e Bujanocit, tri parti lidhin koalicion paszgjedhor
Togerja e Policisë së Kosovës fiton çmim ndërkombëtar për shërbim në komunitet
Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën
Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën
Togerja e Policisë së Kosovës fiton çmim ndërkombëtar për shërbim në komunitet
A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar
Konkursi për gradimin e policëve, dyshohet për favorizime të familjarëve të eprorëve
Italiania e dashuruar me Sarandën: Sa erdha thashë do të jetoj këtu, tani kam biznes
Meta: Ambasadorin italian do ta kisha shpallur “non grata” në Shqipëri
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Krijo hapësirën tënde të biznesit – zyre me qira te 4 Llulat – 300€/muaj ID-252
Më të lexuarat
Grushte të fuqishme dhe hedhje në tokë, turko-gjermani Cinkara e fiton luftën ndaj boksierit kosovar Armend Xhoxhaj
Xhensila Myrtezaj rrëzohet në skenë, në nisje të performancës: Uroj të mos e keni kapur këtë
Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën
Ish-legjenda e Liverpoolit tregon ‘arsyen e vetme’ që çoi tek përplasja e Salahut me Kloppin
NASA dhe Nokia po dërgojnë rrjetin 4G në hapësirë - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin?
Pamje të reja nga përplasja e Salahut me Kloppin tregojnë saktësisht se çfarë ka ndodhur