LAJMI I FUNDIT:

Martin Segoni, “i pari” që shfaqi interes për temën shqiptare në letërsi

Martin Segoni, “i pari” që shfaqi interes për temën shqiptare në letërsi

Ndonëse me veprën e tij njihemi shumë vonë, në vitin 1970 – nga studiuesi italian Agostino Pertuzi – në figurën e Martin Segonit shohim për të parën herë një interesim për çështjen shqiptare. . Pasues të denjë të veprës së tij konsiderohen Marin Beçikemi e Marin Barleti.

Publiku shqiptar do të njihet gjerësisht me kontributin e këtij humanisti nga dy studies shqiptarë që studiuan mbi Pertuzin. Dhimitër Shuteriqi dhe Aleks Buda ia paraqitën fillimisht konferencave shkencore e më pas publikut të gjerë “zbulimin” e tyre.

Si edhe për Gjon Gazullin, origjina e Segonit është e dyshimtë. Studiuesi italian Pertuzi është i bindur në prejardhjen e tij arbërore, por ka teza që atij i atribuojnë kombësi sllave apo kroate. Është Shuteriqi ai që jep detaje mbi jetën e Segonit, duke treguar se ai ka shërbyer në kishën katolike të Novobërdës, krahinë arbërore, çka rrëzon rrëzon tezën e prejardhjes serbe.


Sipas Shuteriqit, Segoni është ose dalmatin, ose shqiptar, por jo serb.

Një ndër shkrimet e tij më të rëndësishme është “Tregimi mbi Gjergj Kastriotin” i cili, sipas studiuesve, ka trajtën e një skice letrare e historike, me informacione të rëndësishme për figurën e heroit tonë kombëtar.

Segoni ka trajtuar momentet më kyçe të jetës së Skënderbeut duke filluar qysh me marrjen e tij në oborrin e sulltanit, e duke përfunduar me kthimin e tij në Krujë dhe triumfet e njëpasnjëshme.

Sipas Segonit, Papa çmonte shumë figurën e heroit tonë kombëtar. Kjo gjë vërtetohet edhe nga dokumenti që tregon akordimin e titullit “Atlet i Krishtit” nga Papa për Gjergj Kastriotin.

Është interesante shfaqja që i bëhet Skënderbeut dhe natyrës së tij. Ai jepet me një temperament të gëzuar dhe të gjallë. Sipas Segonit, fjalimet e tij ishin aq të zjarrta, sa “ndiznin peshë zemrat e ushtarëve e shqiptarëve”. Gjithashtu, Segoni është i pari që flet për shpatën e Skënderbeut.

Në vitin 1475 ai përfundon doktoraturën në Universitetin e Padovës. Duke qenë se të dhënat biografike për të mungojnë, mund të themi se ai ishte 30 ose 35 vjeç në këtë moshë e nga kjo mund të nxjrerim edhe një vit si të mundshëm për lindjen e tij (1440 ose 1445, pra së paku katër dekada pas të parit humanist, Gjon Gazullit).

Segoni është autor edhe i disa relacioneve që sot vlejnë si burime informacioni për trojet shqiptare. Ai flet mbi “Rruga Egnatia që nis në Epir ose Durrës”, “Mbi fillimin, lidhjen dhe rrjedhën e lumenjve të dy Drinave”, “Rruga bregdetare e Kandavisë që kalon nga Apolonia” e të tjera.

Duke qenë se ishte prift, Segoni shërbeu si meshtar në disa zona. Më 1482, “në fund të jetës së tij” e gjejmë si Ipeshkëv të Ulqinit, vend që banohej nga bashkëkombësit e supozuar të tij.

Vepra e Segonit pa dyshim është shumë më e gjerë se kaq, por deri më sot kaq është mundur të zbulohet. /konica.al

Në trend Kultura

Më shumë
HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

Fjala+
Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Kulture
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Brenda korridoreve të UNESCO-s, jashtë odës së kombeve

Brenda korridoreve të UNESCO-s, jashtë odës së kombeve

Kulture
Donika Kastrioti, princesha e Arbërit

Donika Kastrioti, princesha e Arbërit

Kulture
MALL

MALL

Poezi
Kalo në kategori