LAJMI I FUNDIT:

Në Parisin e artistëve

Në Parisin e artistëve

Në vitin 1995 u takova dy herë radhazi me Ernesto Sabaton, i cili për herë të parë do të shkonte në Shqipëri. Kjo intervistë u zhvillua në hotel Madison, përballë kishës më të vjetër të Parisit, së Saint-Germain-des-Près. Pikërisht atëherë mësova se atje kishte jetuar nobelisti i famshëm Albert Camus, i cili sapo kishte përfunduar “L’Etranger” (I huaji) në apartamentin e mëparshëm në 16, Rue de Ravignon. Por, në Paris çdo shkrimtar i shquar ka gjeografinë e tij parisiane, itineraret e tij. E tillë ka qenë për George Sand apo Alexandre Dumas e Maupassant, për Baudelaire apo Verlaine, e tillë ka qenë për piktorët e famshëm Gauguin, Van Gogh, Degas, Toulouse Lautrec e qindra të tjerë, i tillë ka qenë për aktorët e mëdhenj të teatrit dhe të kinemasë, për botën e muzikës, baletit, spektaklit …

Luan Rama

Në Quai Voltaire ka vdekur Voltaire, në Rue Saintoge pranë Place des Vosges ka jetuar Blaise Pascal, në kishën e Saint-Sulpice u pagëzua fëmija Baudelaire dhe aty krijoi afresket gjigante Delacroix, krijimet e tij të fundit, pasi aty ai u ftoh dhe pas disa muajsh, pa mbaruar dot një tablo për Boçarin, vdiq në shtëpinë e tij atelier, njëqind metra më larg e që sot është Musée Delacroix. Krah Musée du Louvre është kisha Saint-Germain l’Auxerrois, ku martoheshin mbretërit, edhe pse ajo ishte dhe kishë e artistëve ku u martua Molière dhe gjatë revolucionit u bastis duke e kthyer në fabrikë nitrati …


Një ditë, duke ecur në Rue des Innocents (Rruga e të pafajshmëve) jo larg Chatelait, vetë ky term më bëri të pyes: Përse quhet kështu… Dhe, historia ishte e dhembshme, pasi në Parisin e vogël, të dikurshmin, pikërisht aty hidhnin kufomat e spitalit Hotel de Ville, të vdekurit pa njeri. Meqë përreth vendi kundërmonte shumë, në vitin 1780 gropat u mbyllën dhe kufomat, kockat, i çuan atje ku do të krijohej ajo që do të quhej “Katakombet e Parisit”.

Kalon në Rue de Bruxelles, ngre kokën dhe të paktë janë ata që e dinë se aty lart, në dritaret e asaj ndërtese të vjetër, pas tyre, ishte gjendur i vdekur Zola, të cilin e kishte mbytur gazi i qymyrit që digjej në oxhak. Të nesërmen, në kortezhin funebër, autori i romanit të famshëm Zherminal, përcillej edhe nga minatorët e asaj miniere ku zhvilloheshin ngjarjet, personazhet e tij, të cilët e përshëndetën deri te varri i tij në varrezat e Montmartre-së.

Në restorantin e dikurshëm Au rocher de Cancale, në 78, Rue Montorgueil, mblidheshin Stendhal, Balzac, Alfred de Musset. Balzacut i pëlqente të hante guaska deti. Pikërisht aty ai mendoi për personazhet e Komedisë njerëzore, siç shkruan në kujtimet e tij. Në Café du Croissant, më 31 korrik të vitit 1914 u vra socialisti i madh Jean Jaures, i cili ishte kundër luftës.

Pas vrasjes së tij Franca hyri në luftë dhe popujt e Evropës shkuan drejt një hekatombe të re. Në Montmartre, pas bazilikës së famshme të bombarduar keq dhe të kthyer dikur në një lloj spitali, është një vresht i vogël që mbrohet nga UNESCO. Jo larg saj, në 83 Rue Lepic, ka mbetur ende i vetmi mulli i Parisit me krahët e tij prej druri, ku bluhej drithi dhe ku bëhej një lloj simite prej elbi e quajtur “galet”: Mulliri i Galetës (Moulin de la Galette, i kthyer sot në një restorant të fisëm).

Ecën nëpër Paris, buzë Senës, vështron nga Conciergerie me kullat e saj cilindrike me majë dhe kujtohesh që kjo shtëpi mbretërore më 1370-n ishte kthyer në burg. Aty ishte mbyllur Ravaillac që vrau me thikë në karrocë mbretin Henri IV e që pastaj e shqyen të lidhur në katër kuaj që do të shkonin në drejtime të ndryshme. Andej nisej dhe rruga drejt gijotinës, ku kishin shoqëruar me karrocë mbretin Louis XVI dhe mbretëreshën Marie Antoinette apo dukën e Orleanit, zonjën Du Barry, Charlotte Corday që vrau në banjë gjeneralin e famshëm Marat etj.; andej u shoqëruan Danton apo Robespière ideatori i “terrorit të kuq” të revolucionit …

Në atë shesh, duke vendosur kokën në gijotinë, Dantoni i thoshte gjithë revoltë ekzekutuesit të tij Sanson: Kokën time tregoja popullit, pasi ia vlen ta tregosh atë! Ah, Parisi, me katedralen e famshme të saj Notre-Dame, e cila u bastis gjatë revolucionit dhe u la në mëshirë të fatit. Por një tribun si Victor Hugo ngriti zërin që ta mbronin nga shkatërrimi i plotë. Dhe ai u ringjall…

Kambanat u rivunë e bashkë me to dhe gargujt e shkatërruar si shenja të një bote mistike … Pikërisht aty, në sheshin para katedrales, është një pllakë që shënon pikën zero të Francës, referencën e qendrës së Francës, ku për francezët maten të gjitha largësitë, brenda saj dhe me botën. Dyqind metra më tutje është ai sahat i mrekullueshëm ngjitur pas murit, që vështron mbi lumin e Senës, lyer në ar, dhe që është sahati më i vjetër i këtij qyteti, apo i Francës, vendosur më 1371-shin.

Pema aty pranë në Quartier latin, është plot prej katër shekujsh, ndërsa akoma më larg është ndërtesa më e vjetër e Parisit në 51, Rue de Montmorency, shtëpia e Nicolas Flamel e ndërtuar më 1407-n. Gurët, rrugicat, sheshet mbartin histori nga më të habitshmet. Obelisku i Bastijës e quajtur Colonne de Juillet (Kolona e korrikut), duke kujtuar ditët e revolucionit, është ngritur mbi trupat e revolucionarëve të vrarë më 27 – 29 korrik 1830. Buzë Senës ndodhet dhe një nga restorantet më luksoze të Parisit La Tour d’Argent, ku janë dhe verërat më të shtrenjta të Parisit. Pikërisht atje, një natë para se të kthehej në Shqipëri, Jusuf Vrioni kishte kaluar natën e fundit me të dashurën e tij franceze. Sena poshtë shkëlqente nën një mori dritash.

Pika zero e Parisit Parisin mund ta kundrosh vetëm nëse je një këmbësor i tij, nëse udhëton buzë Senës dhe pikëtakon bukinistët e saj, statujat e panumërta që mbushin e dekorojnë këtë qytet, gjenitë e artit, letërsisë, shkencës dhe historisë, heronj nga të gjithë popujt, nga Charlemagne, Jean d’Arc, Henri IV, Louis XVI, Bolivari apo Churchill e deri te gjenerali De Gaulle, pasi Parisi u ka dhënë strehë, i ka vendosur në vendet që meritojnë, midis njerëzve dhe popujve, i ka ata në themelet e një historie të madhe. Eci nëpër Paris, vështroj ndërtesat “hausmaniane” të vendosura që nga epoka e baronit Hausmann, prefekt i Parisit dhe duke vështruar qiellin, herë gri e herë blu, mendoj për Louis Aragon, një nga surrealistët e parë, që aq bukur i këndoi Parisit. Ka shumë tone të ngjyrës gri në Paris. Është një gri me tone trëndafili, një refleks qiellor.

Është grija bezhë e tarracave në lesë. Është grija e zezë në të bardhë me të cilën vishen mermerët. Por ka dhe një gri të pisët, të tmerrshme, një gri e verdhë që shkon drejt jeshiles, një gri në ngjyrë bizeleje … Duke iu rikthyer gjithnjë Parisit, një ditë ai do të shkruante: Me këtë Paris kam bërë poezitë e mia. Është ky krater i hijeve që mbart … Po të ma shkulni zemrën, aty do të shikoni Parisin. Ç’shprehje lapidare! Dhe padyshim, Parisi ishte lënda e tij letrare, ashtu siç ishte dhe për parisianin Baudelaire apo Verlaine, Rimbaud …

Shumë këngë për Parisin, shumë bardë! Pa dyshim, imazhi i kullës Eiffel është një nga referencat më të shpeshta për Parisin, çka aq bukur e shohim dhe në serinë e tablove të Chagall, ku gjithçka e bukur endet rreth tij, të dashuruar, zogj, pëllumba, e ndërkohë mendoj për ditën e inaugurimit të kësaj kulle të hekurt për të dëshmuar superioritetin e teknologjisë franceze e që në përurimin e saj, në mars të vitit 1889 bashkë me Gustave Eiffel ishte dhe miku i tij i afërt Georges Bizet. Për kompozitorin parisian, Eiffel kishte ngjitur dhe një piano deri në majën e kullës, që Bizet t’i përshëndeste miqtë me sonatat e tij.

Ndërsa Apollinaire në poezitë e tij e krahasonte kullën nëpër re me bariun qiellor që kulloste dhentë … Ecim nëpër Paris, kalojmë në Rue du Bac, lexojmë një pllakë përkujtimore për Romain Gary, shkrimtarin ku kaloi vitet e fundit të jetës së tij, i cili, meqë nuk e duronte dot plakjen, u vetëvra, ndërsa përgatiste letrën e lamtumirës shtrirë në shtrat gati për të qëlluar veten me një revolver dhe për të ikur njëherë e mirë nga kjo botë. Në të gjitha rrugët do të pikëtakosh pllaka, emra personazhe të kohës, Marie dhe Pierre Curie, Chateaubriand, Lamartine … Do të shohësh dritaren e Duras në Rue Saint Benoit, apo dritaren e hotelit ku vdiq Oscar Wilde, në L’Hotel, Rue des Beaux Arts …

Vetëm në kopshtet e Luksemburgut, aq të njohura nga ne përmes romanit Të mjerët, gjen portretet e shumë personaliteteve të Francës. Ora më e vjetër e Parisit Ah ky qytet i madhërishëm që ka në vetvete hiret dhe tragjizmin e vet, varrezat e veta si në Montmartre ku shkoja të kërkoja varrin e Léon Gerôme, piktorit që aq shumë pikturoi shqiptarët, apo varrezat e Montparnasse, me varret e Baudelaire, Duras, Sartre, Beauvoir, por dhe të François Pouqueville, konsullit francez në Janinë në fillimet e shekullit XIX. Por po kështu dhe varrezat e Passy-së dhe vizitori i huaj që vjen nga larg çuditet se përse këto varreza janë brenda qytetit dhe pastaj e kupton se varrezat dikur ishin jashtë qytetit, por me shtrirjen e tij të mëvonshme, varrezat u rrethuan nga ndërtimet dhe lagjet e reja, nga dashuria njerëzore.

Është Parisi dehës, entuziast, historik, letrar siç e përshkruaj disi dhe në librin tim Parisi letrar, Parisi i Sorbonës, i Panteonit, Harkut të Triumfit me eshtrat e “Ushtarit të panjohur” dhe atë flakë të kujtesës që nuk shuhet, Parisi i Montmartre-së me bazilikën e famshme dhe piktorët emigrantë në Place de Tertre, Parisi i Montparnasse me atelierët e piktorëve të famshëm çka na rikujton dhe Modilianin e madh, Parisi i Grand Opera apo i Madelaine-s, Parisi që aq bukur i këndoi poeti i Rezistencës Robert Desnos, i cili në këngën e tij luftarake Le veilleur au pont-au-change nuk i harron as shqiptarët … Në cep të Parisit, në varrezat e Père Lachaise, në skaj, është “Muri i Federeve”, muri i komunarëve të vrarë të Komunës së Parisit.

Dhe përsëri duke kapërcyer urat e shumta të këtij qyteti, nga Pont d’Austerlitz në Pont de la Tourelle, Pont Neuf, Pont de Notre-Dame, Pont Alexandre III etj., duke ecur nëpër udhët e bulevardet e qytetit, qoftë dhe tek ajo më e vogla, në La Huchette buzë lumit, pikëtakoj kafenetë e vjetra të shqiptarëve, ato të shekullit XX, Les Balkans, në Quartier Latin apo Lagjja e Latinëve, ku mblidheshin studentët e viteve 1930, apo emigrantët e kësaj periudhe deri në vitet 1960, në Café Luxembourg në Boulevard de Saint Michel e Odeon, siç ishte dhe shqiptari përmetar i Pouqueville, i cili që në fillimet e shekullit XIX frekuentonte kafenenë më të vjetër të botës Le Procop, që u kthye vend i debateve iluministe e revolucionare …

Në trend Kultura

Më shumë
MOS U DORËZO KURRË

MOS U DORËZO KURRË

Poezi
Fjalimi i Skënderbeut!?

Fjalimi i Skënderbeut!?

Fjala+
Në nder të Sylvia Plathit

Në nder të Sylvia Plathit

Analiza
Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Kulture
HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

Fjala+
PAS VDEKJES SIME

PAS VDEKJES SIME

Poezi
Kalo në kategori