Insistimi i Listës Serbe që formimi i Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe të bëhet sipas Marrëveshjes së arritur në Bruksel, por duke përjashtuar vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me përputhshmërinë e kësaj marrëveshje me Kushtetutën e Kosovës, është shkak i insistimit tjetër të këtij subjekti politik që të bëhen ndryshimet kushtetuese dhe ato ligjore për formimin e Asociacionit, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.
Sipas tyre, Marrëveshja e Brukselit për Asociacionin parasheh një autonomi dhe kompetenca ekzekutive në fusha të caktuara, të cilat më pas Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në dhjetor të vitit 2015, i kishte vlerësuar në 23 pika jo në harmoni me Kushtetutën. Vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese, gjithashtu, është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit.
Politologu Ramush Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Lista Serbe ka synim të qartë që komunave me shumicë serbe t’iu krijojë një lidhje të organeve të komunave që ato t’i përfaqësojë përmes Asociacionit dhe të mos kenë më ndërlidhje me Qeverinë qendrore.
“Bashkësia e komunave (me shumicë serbe) është një lloj autonomie. Nuk mund të ketë diçka tjetër, sepse edhe komuna vetëvetiu është një lloj autonomie në nivelin lokal. Kjo nuk do të thotë se është diçka e keqe ose e mirë, por është e tillë. Në Kosovë mbetet që të respektohet Kushtetuta dhe ndryshimet të bëhen me marrëveshje. Por, jo që ndryshimet në Kushtetutën e Kosovës të bëhen jashtë funksionit të karakterit të shtetit të Kosovës dhe të bëhen me imponim për shkak të gabimit të dikujt ose për shkak të Marrëveshjes në Bruksel sepse ajo është marrëveshje bilaterale. Nuk është konventë ndërkombëtare që e obligon Kosovën. Kosovën duhet ta obligojë Kushtetuta dhe ligji”, theksoi Tahiri.
Ndërkaq, analisti i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, fillimisht ka rikujtuar deklaratat e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ditë më parë ka folur për një akomodim më afirmativ të komunitetit serb në Kosovë. Ai e ndërlidh këtë deklaratë me kërkesat e Listës Serbe për nevojën e ndryshimeve kushtetuese për formimin e Asociacionit.
“Presidenti Thaçi, së fundmi ka përmendur, si kompromis në marrëveshjen që do të arrihet me Serbinë, siç ka thënë ai ‘akomodimin më afirmativ të serbeve’. Unë besoj që flitet vetëm për një lloj autonomie. Asociacioni, si i tillë çfarë po pretendohet të krijohet në Kosovë, nuk mund të funksionojë, përkatësisht, nuk ka vend në Kushtetutën aktuale, në rregullin aktual kushtetues. Kështu që, sido që të quhet, qoftë Asociacion, qoftë me një emër tjetër, nuk është me rëndësi forma, por përmbajtja. Për mua, ajo do të jetë një lloj autonomie”, u shpreh Mushkolaj.
Megjithatë, sipas politologut Tahiri, edhe në rast se në cilëndo mënyrë iniciohen ndryshimet kushtetuese për formimin e Asociacionit, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk do të mund ta pranojnë realizimin e Marrëveshjes së Brukselit për Asociacionin, në formën të cilën e synon Lista Serbe. Kjo për arsyen se, sipas tij, tashmë ekziston një vendim i Gjykatës Kushtetuese se kjo marrëveshje në 23 pika të saj nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.
“Finalja do të zgjatet dhe do të synohet që të bëhet një kompromis, gjë që është krejtësisht normale. Por, i gjithë ky kompromis do të bëhet në Kuvendin e Kosovës e jo në Qeveri të Kosovës, sepse duhet të kalojnë ndryshimet përmes Kuvendit të Kosovës. Ani që statuti miratohet nga Bashkësia e këtyre komunave, çështja e Asociacionit, e cila e prek thelbin e shtetit, nuk mundet të mos kalojë nëpër Kuvend. Nuk ka organ tjetër që guxon ta miratojë, në qoftë se është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. E ajo është në kundërshtim në 23 pika dhe këtë e ka thënë vetë vendimi i Gjykatës (Kushtetuese)”, tha Tahiri.
Por, analisti Mushkolaj shfaq drojën se deputetët e Kuvendit do t’i nënshtrohen presioneve të caktuara që të mundësojnë ndryshimet kushtetuese, të cilat do të jenë kompromis drejt një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“Pa ndryshimet e nevojshme në Kushtetutë, Asociacioni nuk mund të ekzistojë si i tillë sipas kërkesës së Listës Serbe. Mund të ekzistojë vetëm nëse është organizatë joqeveritare. E të gjithë e dimë që nuk është organizatë joqeveritare. Unë besoj që do të gjendet mënyra që këto ndryshime ligjore dhe kushtetuese të bëhen në mënyrën sa më të lehtë të mundshme. Të mos harrojmë se kur vjen puna te ndryshimet e tilla, hyn në funksion edhe presioni që mund të vijë nga brenda dhe nga jashtë. Ne do të jemi të detyruar që, në emër të një kompromisi që po u dashka që të arrihet, të lejojmë që Asociacioni të akomodohet si një nivel tjetër i qeverisjes”, theksoi Mushkolaj.
Sidoqoftë, Lista Serbe ka deklaruar se ndryshimet kushtetuese dhe ligjore paraqesin “mënyrën e vetme që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të formohet ashtu siç është arritur marrëveshja në Bruksel”. Sipas tyre, gjithçka tjetër, nënkupton zvarritje të sërishme dhe probleme për formimin e Asociacionit.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
Instituti për Krimet e Kryera në Kosovë nënshkruan marrëveshje me Arkivin e Shqipërisë
Demokracia në Veprim: Keqpërdorimi i resurseve publike cenon integritetin e garës zgjedhore
VLEN: Dënojmë provokimet që vështirësojnë dinamizimin e rrugës së Maqedonisë së Veriut drejt BE-së
Detaje se si vdiq 36-vjeçari në QKMF-në në Podujevë
Çka është dialogu strategjik për të cilin angazhohet SHBA-ja?
Telefonata e vajzës që alarmoi Tiranën, zbulohet çfarë gjeti policia në apartamentin në Astir
Qeveria aprovon rritjen e pensioneve për invalidët, veteranët dhe pjesëtarët e UÇK-së
Kush u intervistua në zyrën e kryeministrit, Haxhiu: Insistoni për përgjigje tek Blerim Isufaj
Akuzat e Berishës ndaj Majkos, reagon SPAK
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
Elon Musk nuk është fans i Liverpoolit, por i rivalit të tyre më të madh në Ligën Premier
Trump paralajmëron 'pushtimin' e Grenlandës, vjen reagimi i kryeministrit të ishullit
Zarf i zi në Big Brother VIP Albania 4
Përmasa gjigante: Granit Xhaka në mbështetje të Gjestit
FSK-ja shkoi në veri të vendit për një varrim, Maqedonci u zotua te KFOR-i se nuk kishte provokim
Rina publikon fotografi krah Feros: Akoma s’ka konkurrencë, 2025