LAJMI I FUNDIT:

Mosnjohja nga pesë vendet e BE-së, pengesë për procesin integrues të Kosovës  

Mosnjohja nga pesë vendet e BE-së, pengesë për procesin integrues të Kosovës  

Nuk është Serbia ajo që po e pengon integrimin në Bashkimin Evropian, por janë pesë shtetet që nuk e kanë njohur vendit tonë ato që po e pengojnë integrimin e Kosovës në familjen e madhe evropiane.

Kështu u tha sot në tryezën e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje me temën “Shqiptarët dhe integrimi evropian”, në prag të Samitit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Sofje të Bullgarisë ku do të marrë pjesë edhe Kosova si shtet.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se përvoja ka treguar se më lehtë në BE po integrohen ato vende që nuk e anulojnë politikën nacionale për shkak të integrimit. Sipas tij integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian nuk po e pengon Serbia por pesë shtetet të cilat nuk e kanë njohur.


“Integrimin e Kosovës në BE nuk e pengon Serbia, por pesë shtetet që nuk na njohin me ç’rast ne nuk mund t’i fusim në të njëjtën kategori në këtë moment. Duhet të punojnë më shumë me Greqinë e Spanjën. Derisa mund të themi se anëtarësimi i Serbisë varet shumë nga Kosova”, tha ai.

Profesor Mazllum Baraliu tha se shqiptarët edhe në shekullin 21 vazhdojnë të jenë të defaktorizuar dhe të parëndësishëm për BE-në.

“Në lojëra të rrezikshme gjeopolitike krijohet përshtypja se Evropa ende vazhdon të jetë jo sa duhet e vetëdijshme për konsolidimin dhe faktorizimin e çështjes shqiptare. Shqiptarët vazhdojnë të mbesin të defaktorizuar dhe të parëndësishëm për BE. Duhet të krijohet një strategji gjithëkombëtare për konsolidim si komb shqiptar. Integrimet të bëhen brenda strukturës së brendshme shqiptare dhe pastaj ato rajonale e evropiane”, u shpreh Baraliu.