LAJMI I FUNDIT:

Java e demarkacionit

Java e demarkacionit

Rreth dy vjet e gjysmë pas nënshkrimit të Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, Kuvendi i Kosovës pritet që këtë javë ta ratifikojë këtë marrëveshje. Të paktën kështu ka deklaruar zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, ndonëse partnerja e koalicionit qeverisës, Lista Serbe, ende nuk ka konfirmuar se ka ndryshuar qëndrimin e saj, të cilin e kishte ripërsëritur javën e kaluar, duke thënë se çështja e Demarkacionit me Malin e Zi nuk paraqet kurrfarë interesi për këtë subjekt.

Por, zëvendëskryeministri Pacolli, i cili është lider i Aleancës Kosova e Re, parti kjo brenda koalicionit qeverisës me Partinë Demokratike të Kosovës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe Listën Serbe, ka qenë i prerë në deklaratën e tij se ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin, do të ratifikohet gjatë kësaj jave.

“Jemi lodhur me deklaratat e politikanëve ‘sot, nesër’. Unë ju kam thënë, në javën e dytë të marsit, që moti. Java e dytë e marsit do të jetë java kur do të kalojë, do të miratohet Marrëveshja për semarkacionin me Malin e Zi”, ka thënë Pacolli.


Megjithatë, zëvendëskryeministri Pacolli nuk ka sqaruar nëse për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje është arritur ndonjë pajtim me partneren e koalicionit qeverisës, Listën Serbe.

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, ka thënë se ditëve të fundit, lidhur me krijimin e kushteve për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi është punuar intensivisht me të gjithë partnerët e koalicionit qeverisës, si dhe me partinë opozitare, Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ai ka shprehur mendimin se gjatë këtyre ditëve mund të krijohen kushtet për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.

“Jemi të mendimit që do të jetë një javë vendimtare, java në të cilën jemi dhe është çështje ditësh se kur përmbyllet ky proces. Të gjithë partnerët, të cilët jemi në Qeveri, partitë politike që përfaqësojnë shqiptarët në Kosovë, por edhe partitë politike që përfaqësojnë komunitetet e ndryshme, serbe dhe joserbe, do të votojnë ‘pro’ kësaj marrëveshjeje. Por, kur do të ndodhë, kjo është çështje të cilën do të duhet ta koordinojmë”, theksoi Hoxhaj.

Megjithatë, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, ka thënë se ende nuk ka asgjë definitive lidhur me arritjen e një konsensusi që do të siguronte dy të tretat e votave në Kuvend, për ratifikimin e marrëveshjes.

“Nuk ka asgjë njëherë konkrete. Do të shohim në të ardhmen. Jemi në konsultime me të gjithë”, ka thënë Isufi.

Në anën tjetër, Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti kjo opozitare në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se Kuvendi duhet që sa më parë të mblidhet për të votuar Marrëveshjen për demarkacionin, në mënyrë që ta përmbyllë këtë çështje, siç e ka quajtur ai, të rëndësishme për qytetarët e Kosovës. Por, sipas tij, caktimi i seancës së jashtëzakonshme për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, tashmë është çështje e partive në pushtet dhe arritjes së konsensusit të tyre.

“Tash është çështje komplet e pushtetit. Votat tona, si grup parlamentar i kemi të siguruar. Ju takon atyre që t’i sigurojnë 61 votat e tyre”, ka thënë Hoti.

Ndryshe, partia tjetër opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, si subjekt politik më i madh opozitar, nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj kundër ratifikimit të Marrëveshjes aktuale për demarkacionin me Malin e Zi.

Ditë më parë, përfaqësuesit e partive në pushtet, kishin deklaruar se është “sekret publik që mungojnë edhe dy apo tri vota” për të arritur numrin e domosdoshëm të 80 votave për ratifikimin e Marrëveshjes.

Marrëveshja për demarkacionin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, e nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë, tashmë është ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi. Pa ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, Kosova nuk do të arrijë ta përmbushë një prej dy kushteve të fundit, për të marrë liberalizimin e vizave nga Bashkimi Evropian. /rel/