LAJMI I FUNDIT:

Banka e Shqipërisë: Kujdes me kriptovalutat

Banka e Shqipërisë: Kujdes me kriptovalutat

Banka e Shqipërisë ka publikuar një njoftim të Autoritetit Mbikëqyrës Evropian (AME) që paralajmëron konsumatorët se kriptovalutat janë produkte me rrezik të lartë dhe janë të papërshtatshme për investime, kursime apo plane pensioni.

Kriptovalutat, apo monedhat virtuale, që ekzistojnë aktualisht, janë përfaqësimi digjital i një vlere që as nuk është e emetuar dhe as nuk është e garantuar nga një bankë qendrore, apo autoritet publik, dhe nuk e kanë statusin ligjor të monedhës apo parasë.

“Ato janë tejet të rrezikshme, dhe përgjithësisht nuk janë të mbuluara nga aktive të trupëzuara dhe nuk rregullohen nga legjislacioni i BE-së; rrjedhimisht, ato nuk u ofrojnë konsumatorëve mbrojtje ligjore. Autoritetet shprehin shqetësimin për faktin se një numër gjithmonë e më i madh konsumatorësh po blejnë MV, veçanërisht me pritshmërinë se vlera e monedhave virtuale do të vazhdojë të rritet, pa qenë të vetëdijshëm për rrezikun e lartë se ata mund t’i humbasin paratë që kanë investuar”, thuhet në njoftimin e Bashkës së Shqipërisë, përcjell Telegrafi.


Sipas kësaj Banke, monedha të tilla si Bitcoin, Ripple, Ether dhe shumë të tjera, së fundmi kanë pësuar shumë luhatje, që do të thotë se çmimet e tyre kanë pasur luhatje domethënëse çdo ditë.

“Vlera e Bitcoin-it u rrit dukshëm në vitin 2017, nga rreth 1,000 euro që ishte në muajin janar arriti deri në vlerën mbi 16,000 euro në mes të muajit dhjetor, dhe më pas ra me pothuaj 70 për qind të vlerës, në 5,000 euro në fillim të muajit shkurt. Së fundmi, ajo ka rikuperuar rreth 40 për qind të vlerës më të ulët që shënoi, dhe aktualisht tregtohet në rreth 7,000 euro. Kapitalizimi total i tregut i 100 monedhave virtuale më të mëdha mendohet se e tejkalon barasvlerën e 330 miliardë eurove në nivel global sot”, deklaron kjo Bankë.

AME-ja paralajmëron konsumatorët se MV-të mund të jenë jashtëzakonisht me rrezik dhe janë zakonisht tejet spekulative. Nëse blini monedha virtuale, duhet të jeni të vetëdijshëm se ka një rrezik të madh që të humbisni një shumë të madhe, ose edhe të gjithë shumën, e parave të investuara.

Kur blini monedha virtuale, ose produkte financiare që sjellin ekspozim të drejtpërdrejtë të konsumatorëve ndaj monedhave virtuale, jeni të ekspozuar ndaj një numri të lartë rreziqesh, si, luhatshmëria ekstreme e çmimit, mungesa e mbrojtjes ligjore, mungesa e transparencës së çmimit, etj. /Telegrafi/