LAJMI I FUNDIT:

Privatizimi i filluar me entuziazëm dhe përfunduar me zhgënjim (Video)

Privatizimi i filluar me entuziazëm dhe përfunduar me zhgënjim (Video)

Privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore dhe publike për këto dhjetë vjet shtet konsiderohet si një storie e keqe e Kosovës. Ky model është i keq për ndërmarrjet shoqërore dhe për punonjësit e tyre, ngaqë pas privatizimit, drejtuesit e këtyre ndërmarrjeve i kanë ndërruar destinimin e atyre fabrikave.

Zëvendës drejtoresha menaxhuese për shitje në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Valbona Dibra ka thënë për KosovaPress, se Agjencia Kosovare e Privatizimit ka realizuar 1 mijë e 72 kontrata në vlerë prej afër 336 milionë euro.

“Gjatë kësaj dekade, Agjencia e Privatizimit ka realizuar gjithsejtë 29 valë me Spin-off dhe 38 valë të shitjeve përmes likuidimit. Nga këto valë të realizuara, kontrata të realizuara për këtë periudhë me Spin-off janë diku rreth 348 kontrata në vlerë prej 223 milionë euro, ndërsa nga 38 valë të realizuara përmes shitjeve të likuidimit janë nënshkruar 724 kontrata në vlerë prej 112 milionë euro, që gjithsejtë kontrata të realizuara gjatë këtij dhjetë vjetori në të dyja proceset e shitjes janë 1 mijë e 72 kontrata në vlerë prej afër 336 milionë euro”, ka thënë Dibra.


Ajo ka thënë se kanë bërë një listë të aseteve strategjike në koordinim me Qeverinë e Kosovës.

“I kemi dërguar një listë të aseteve strategjike (Qeverisë), ku pjesë e kësaj liste është Hoteli Grand, MIM Goleshi, Boksitet, Brezovica dhe disa asete të tjera të cilat janë të rëndësisë së veçantë, ne i kemi dorëzuar në Qeveri, jemi në koordinim me qeverinë që këto asete të trajtohen me ligjin për investime strategjike”, ka thënë Dibra.

Këshilltari i Kryeministrit në Qeverinë e Kosovës, Haki Shatri ka thënë për KosovaPress se modeli i privatizimit që është përcaktuar nga UNMIK-u me Spin-off special është implementuar në Kosovë në kohën e UNMIK-ut, por edhe pas shpalljes së Pavarësisë, andaj sipas tij, ky model ka vazhduar te jetë model zyrtarë i privatizimit në Kosovë.

Ai tha se ky model ka qenë i keq për ndërmarrjet shoqërore dhe për punonjësit e tyre, ngaqë pas privatizimit, drejtuesit e këtyre ndërmarrjeve i kanë ndërruar destinimin e atyre fabrikave.

“Është e vërtet se pasuria e Kosovës në këtë periudhë(dhjetëvjeçare) nuk është menaxhuar ashtu si duhet, po flas për ndërmarrjet publike dhe e kam fjalën për Postë Telekomin e Kosovës, e kam fjalën për Aeroportin ‘Adem Jashari’, KEK-un pastaj një ndërmarrje që pasur karakter të ndërmarrjes shoqërore dhe që nuk është trajtuar si ndërmarrje shoqërore që ka pasur një status të veçantë ‘Trepça’ si dhe shumë ndërmarrje të tjera e pasuri të tjera… Shitja (e distribucionit të KEK-ut) ka qenë e tmerrshme dhe e keqe, çmimi por edhe shërbimet tash dhe problemet tjera që po na përcjellin janë storie e keqe e menaxhimit me pasuri publike”, ka thënë Shatri.

Këshilltari strategjik në Odën Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, për KosovaPress ka thënë se është menduar se rregullimi i ligjeve do të përmirësonte ose do ta avancon këtë proces në ekonomi, në mënyrë që me sjellë vlerë të shtuar në ekonomi, por kjo nuk ka ndodhur për shkak se procesi i privatizimit është karakterizuar me shumë probleme.

“Sikur në shumë vende në tranzicion, privatizimi është filluar me shumë entuziazëm, mirëpo ka përfunduar në shumë raste edhe më zhgënjim. A ka qenë e nevojshme me ndodhë(privatizimi)? Mendoj se po. Mirëpo fillimisht ka filluar mbrapsht, me UNMIK-un e pastaj kjo ka lënë pasojat e veta… Ajo çka ka mbetur, është pjesa e likuidimit, nuk ka ndonjë ndërmarrje shumë të rëndësishme për veç aty këtu, ka ndonjë kapacitet në bujqësi, por po shpresojmë që me ligjin për investime strategjike sa do pak në ato pjesë sa ka mbetur mund t’i tejkaloj ato anomali që kanë ndodhur në dhjetë vitet e kaluara”, ka thënë Rukqi.

Si sfidë shumë e madhe për AKP-në mbeten edhe shpronësimet nga Qeveria, që janë diku rreth 74 milionë euro, të cilat ende Qeveria nuk i ka bërë pagesat. Po ashtu, sipas drejtuesve të AKP-së, si sfidë e madhe për AKP mbeten vonesat e Dhomës së Veçantë në trajtimin e lëndëve të AKP-së.

Ndryshe, është një numër i vogël i ndërmarrjeve të privatizuara që kanë qenë të suksesshme në këtë proces, një prej tyre është ‘Banja e Pejës’, ‘Birra e Pejës’. Ndërsa, një prej ndërmarrjeve të dështuara në procesin e privatizimit ka qenë Hoteli Grand, për të cilën ka pasur edhe afera dhe rast nëpër Gjykata. Aktualisht, Hoteli Grand është aset i AKP-së. /Telegrafi/