LAJMI I FUNDIT:

Shqiptarët duan të jenë pjesë e vendimmarrjes për emrin e ri

Shqiptarët duan të jenë pjesë e vendimmarrjes për emrin e ri

Bisedimet për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë, kanë shtuar zërat në mesin e shqiptarëve se edhe ata duan të jenë pjesë e mbylljes së këtij problemi, apo që zgjidhja e mundshme të reflektojë karakterin shumetnik të Maqedonisë.

Forumi i intelektualëve shqiptarë, vlerëson se çdo zgjidhje që mund arrihet, nuk do të jetë e vlefshme për shqiptarët nëse nuk pasqyron realitetin në Maqedoni, si shtet ku jetojnë dy bashkësi të mëdha etnike, maqedonasit shqiptarët.

“Pa një marrëveshje ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve, çdo vendim, çdo emërtim i vendit do të jetë i pavlefshëm për arsye se praktika na ka mësuar që të mendojmë kështu. Në vitin 1991, shqiptarët nuk u përfillën as për Kushtetutën, as për flamurin, as për pavarësinë, e as për asgjë tjetër, prandaj ajo edhe e solli luftën e vitit 2001”.


“Pra, patjetër emri i Maqedonisë duhet të përfshijë realitetin pasi një emër ku përmenden vetëm maqedonasit dhe injorohen shqiptarët, unë besoj se do të jetë bazë për një situatë kofliktuoze në të ardhmen”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Shpëtim Pollozhani, një nga drejtuesit e Forumit Shqiptar, duke bërë të ditur se ky mekanizëm së shpejti do të dalë edhe më një propozim konkret për emrin e ri të Maqedonisë.

Pollozhani për këtë anashkalim të shqiptarëve, fajëson BDI-në, partinë politike shqiptare në qeveri, e cila, sipas tij, ka marrë rolin e të nënshtruarit në qeverinë e kryeministrit Zoran Zaev.

Bisedimet për çështjen e emrit deri më tani janë zhvilluar mes grupeve negociuese të të dy vendeve, ndërsa tani mes vet ministrave të Punëve të Jashtme, të cilët më pas për rrjedhën e bisedimeve apo qëndrimet e palës tjetër, do t’i informojnë drejtuesit më të lartë shtetërorë.

Në këto bisedime konsultuese përveç BDI-së, nuk merr pjesë opozita shqiptare, e cila gjithashtu ka reaguar për mospërfshirjen e saj, ndërsa ka bërë të ditur se do të kundërshtojë çdo zgjidhje që mund të jetë me ndonjë emërtim sllav.

“Ne si Aleancë për Shqiptarët, jemi kundër tendencave për sllavizmin e emrit, ashtu siç e kemi thënë që jemi kundër emrit sllavo Maqedoni. Gjithashtu, jemi kundër propozimit që dëgjohet në qarqet diplomatike rreth idesë që të përdoren emra me përcaktim gjeografik të shkruar vetëm në gjuhën maqedonase si “Gorna Makedonija”. Ne e kundërshtojmë këtë, sepse edhe kjo paraqet tendencë për sllavizëm dhe përvetësim të emirit”, deklaron Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët në opozitë.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim në Qeveri, thonë se shqiptarët janë pjesë e zgjidhjes së kontestit dhe se emri i ri duhet të pasqyrojë realitetin. Por, Bujar Osmani zëvendëskryeministër për çështje evropiane, gjatë vizitës së fundit në Beograd ka deklaruar për mediet se për këtë parti më me rëndësi është që të gjendet një zgjidhje pasi kjo do të zhbllokonte procesin euro- integrues.

“Unë mendoj që shqiptarët janë shumë të interesuar se si do të quhet Maqedonia. Emri i Maqedonisë duhet të reflektojë realitetin demografik në vend dhe prandaj ne jemi pjesë e këtyre bisedimeve. Por, për ne është shumë me rëndësi të zgjidhet, të mbyllet kjo çështje, për shkak se po bllokon integrimin në NATO dhe për ne NATO-ja është si të jesh apo të mos jesh. Është çështje ekzistenciale për shtetin, është çështje ekzistenciale për popujt që jetojnë brenda, përfshi këtu edhe shqiptarët”, ka deklaruar Osmani.

Kryeministri Zoran Zaev së fundi ka deklaruar se qeveria që ai drejton pranon një zgjidhje për emrin me përcaktim gjeografik, ndërsa si emra të mundshëm për zgjidhje përmenden Maqedonia Veriore, Maqedonia e Epërme, Maqedonia e Vardarit dhe Maqedonia (Shkupi).

Bisedimet pritet të intensifikohen nga java e ardhshme, ndërsa Qeveria nuk e përjashton mundësinë e arritjes së një zgjidhjeje deri nga fundi i marsit. Në rast të ngecjes së negociatave pritet përfshirja në to e diplomatëve të lartë perëndimorë.

Zgjidhja e kontestit 25-vjeçar do të nënkuptonte edhe anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe zhbllokimin e procesin të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.