LAJMI I FUNDIT:

OBRM-PDUKM: Çështja e emrit nuk ka të bëjë vetëm me Zaevin, por me gjithë popullin

OBRM-PDUKM: Çështja e emrit nuk ka të bëjë vetëm me Zaevin, por me gjithë popullin

Partia opozitare maqedonase OBRM-PDUKM ka reaguar në lidhje me procesin e bisedimeve mes Greqisë dhe Maqedonisë për çështjen e emrit. Nga kjo parti thonë se Qeveria nuk duhet të heshtë dhe të fshehë hollësirat rreth negociatave.

Ata më tej shtojnë se procesi i bisedimeve rreth problemit që e ka Republika e Greqisë me emrin tonë nuk është çështje që e prek vetëm kryeministrin Zoran Zaev ose anëtarët e Qeverisë së. Çështja ka të bëjë me shtetin dhe gjithë popullin.

“Kryeministri Zoran Zaev mbrëmë tha se është i pranueshëm përcaktimi gjeografik, por nuk tha se në emër të kujt flet dhe cili është ai përcaktim, i cili për të është i pranueshëm. Nuk tha as se cila është fusha e përdorimit, ndërsa heshti edhe rreth asaj se a bëhet fjalë vetëm për përcaktim gjeografik, i cili do të përdorej edhe ndërkombëtarisht ose kjo nënkupton edhe ndryshimin e Kushtetutës, respektivisht emrit kushtetues, kombësisë dhe gjuhës. Gjithashtu, ngeli e papërgjigjur pyetja se vallë ky përcaktim gjeografik do të ketë përkthim anglez ose jo”, thuhet në reagimin e OBRM-PDUKM-së.


Nga kjo parti gjithashtu theksojnë se në rrethana të tilla, kur fshihen hollësirat tjera, përfundimisht është joserioze dhe shumë i rrezikshëm ankandi publik me përcaktimet që janë të pranueshme.

“Paraqitja e kryeministrit Zaev mund të ketë pasoja serioze për tërë procesin dhe në mënyrë dramatike t’i përkeqësojë pozicionet negociuese të Maqedonisë. Ai është njeriu i parë i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe duhet të jetë i vetëdijshëm se paraqitjet e tij nuk janë paraqitje vetëm në emër të tij personal ose në emër të LSDM-së”, thonë nga OBRM-PDUKM./Telegrafi/