LAJMI I FUNDIT:

Vulin: Serbia të kërkojë marrëveshje për ndarje të Kosovës

Vulin: Serbia të kërkojë marrëveshje për ndarje të Kosovës

Serbia duhet të kërkojë marrëveshje për ndarje me Kosovën, me qëllim që të përfundojë kontesti, i cili po e dëmton integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, tha sot ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin.

Beogradi refuzon ta njohë pavarësinë e Kosovës, ku jeton pakica prej 120 mijë serbëve etnikë, me gjithë presionin nga Brukseli ndaj Beogradit dhe Prishtinës që t’i përmirësojnë raportet si parakusht për anëtarësim në BE, raporton agjencia Reuters nga Beogradi.

Duke folur në një tryezë të rrumbullakët për Kosovën, Vulin nuk ka specifikuar se cila pjesë ai beson se do të duhej të ndahej, por në thirrjet e ngjashme të bëra në të kaluarën është theksuar pjesa veriore e Kosovës.


“Përcaktimi i vazhdueshëm dhe i saktë i kufijve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve duhet të bëhet në Kosovë”, tha Vulin në një tryezë të rrumbullakët, në kuadër të dialogut kombëtar në Serbi për Kosovën. /Telegrafi/