LAJMI I FUNDIT:

Hoxhaj u kërkon ambasadorëve të BE-së qasje të balancuar për Kosovën në strategjinë e re të zgjerimit

Hoxhaj u kërkon ambasadorëve të BE-së qasje të balancuar për Kosovën në strategjinë e re të zgjerimit

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka vazhduar me takime të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së të akredituar në Prishtinë, të cilët i ka njoftuar me agjendën e Qeverisë së Kosovës në vitin 2018 në disa prej temave kryesore.

Në takimet me ambasadorët e Greqisë,Konstantina Athanassiadou, atë të Bullgarisë, Nedialtcho Dimitrov Dantchev, të Finlandës, Anne Huhtamäki, të Belgjikës, Jean-Louis SERVAIS, të Holandës, Gerrie Willems dhe të Çekisë, Ivo Šilhavý, zëvendëskryeministri Hoxhaj u ka kërkuar mbështetje për një qasje më të balancuar për Kosovën në strategjinë e re të zgjerimit të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor 2025.

Hoxhaj ka shprehur shqetësimin e tij se në versionet më të fundit të këtij dokumenti që pritet të publikohet së shpejti, i cili nuk ka një gjuhë të qartë për Kosovën pas zbatimit të MSA-së dhe ERA-së për dallim prej vendeve tjera që kanë një kalendar kohor.


Po ashtu, ai ka kërkuar që pas përfundimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, të dyja vendet duhet të shpërblehen njësoj dhe të mos ketë dallime. Përderisa për Serbinë thuhet qartë çfarë ndodhë në cilin vit dhe si lëviz në agjendën evropiane, e njëjta duhet të jetë dhe për Kosovën.

“I falënderova shumë për mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës në të gjitha këto vite. Po ashtu theksova lajmin e mirë që më në fund, BE-ja do të dal me një strategji të qartë të zgjerimit të saj me vendet e Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2025. Ky është një lajm i mirë megjithatë ua shpreha shqetësimet e Qeverisë së Kosovës përkitazi me disa aspekte të saj. U kërkova që të ketë një qasje të balancuar për të gjitha vendet dhe që gjatë dialogut Kosovë-Serbi, të dyja vendet të shpërblehen njësoj. Ashtu sikurse ka një kalendar kohor për Serbinë në agjendën evropiane, duhet të ketë edhe për Kosovën. Pra duhet të ketë edhe një afatizim të përmbushjes së agjendës evropiane edhe për Kosovën” ka thënë Hoxhaj.

Zëvendëskryeministrit i Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar ditë më parë edhe ambasadorë të tjerë evropian të akredituar në Kosovë pas lajmit për strategjinë e re të zgjerimit e cila është në diskutimet finale. /Telegrafi/