LAJMI I FUNDIT:

Dimri dhe mos prodhimi vështirëson furnizimin me rrymë

Dimri dhe mos prodhimi vështirëson furnizimin me rrymë

Ardhja e stinës së dimrit dhe ulja e temperaturave në vazhdimësi krijon probleme për furnizim me energji elektrike. Kjo për shkak të rritjes së konsumit të energjisë elektrike, e cila përdoret edhe për ngrohje, por edhe për shkak të mos prodhimit të mjaftueshëm në blloqet e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Mos prodhimi i mjaftueshëm i rrymës në blloqet e KEK-ut për t’i plotësuar nevojat për energji bënë që mungesat të plotësohen nga importi ku kostoja është mjaftë e lartë, por edhe vështirë gjendet energji elektrike e disponueshme në treg.

Në KEDS kanë bërë të ditur se rënia e temperaturave ka bërë që të kenë vështirësi për furnizim në disa zona të vendit.


Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala ka bërë të ditur se mungesa e prodhimit të energjisë elektrike duhet të plotësohet nga importi, në mënyrë që të mbahet stabil furnizimi i konsumatorëve me energji elektrike.

Sipas tij, planet për periudhën e dimrit për balancën energjetike, parashohin që KEK-u të punojë me katër njësi, apo rreth 750 megavat për orë dhe vetëm një sasi e vogël, rreth 100-150 megavat gjatë orëve të pikut të importohet.

“Devijimi nga këto plane për momentin janë shumë të larta për shkak të mungesës së thëngjillit, siç jemi informuar nga KEK, dhe kjo mungesë e prodhimit duhet të zëvendësohet nga importi, i cili për momentin është shumë i lartë, dhe shkon deri në 50 për qind të konsumit. Për momentin KESCO po e importon të gjithë mungesën e energjisë, por kjo po bëhet gjithnjë e më e vështirë sepse në këtë periudhë edhe kërkesa për energji në rajon është e lartë”, tha Buzhala.

Ndërkaq, zëdhënësi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Skënder Bucolli ka thënë se prodhimi i energjisë elektrike bëhet në Termocentralin “Kosova A” dhe Termocentralin “Kosova B”, shkruan Telegrafi.

Por sipas tij, ndalesa mbi 14 mujore e punës së ekskavatorëve në zbulimin e qymyrit ka shkaktuar dëme të pakompensueshme për KEK-un.

“Në këtë moment jemi duke bërë një luftë të madhe me kohën për të siguruar qymyr për termocentralet gjatë dimrit, pasi duke qenë të varur në tërësi nga prodhimi i energjisë elektrike, çdo mungesë e këtij prodhimi paraqet humbje direkte në të hyrat e planifikuara për mbulim të shpenzimeve e cila nuk kompensohet nga askush”, tha Bucolli.

Zëdhënësi i korporatës së vetme e cila prodhon energji elektrike në vend tregon se ata janë duke i përmbushur obligimet kontraktuale të prodhimit të rrymës.

“Për të gjitha këto probleme KEK-u ka njoftuar ne vazhdimësi të gjithë akterët e sektorit të energjisë. KEK-u, është duke dërguar rregullisht planet e azhurnuara mujore dhe ditorë të prodhimit duke përmbushur me përpikëri obligimet kontraktuale si dhe është në përputhje të plotë me rregullat e tregut në fuqi. Ndryshe, sipas planit të azhurnuar mujor të prodhimit, KEK është aktualisht duke prodhuar rreth 420 megavat orë energji elektrike apo rreth 10,000 megavat orë energji elektrike në ditë”, ka thënë Skender Bucolli. /Telegrafi/