LAJMI I FUNDIT:

Përplasje mes deputetëve të OBRM-PDUKM-së dhe LSDM-së për ligjet e miratuara me procedurë të shkurtuar

Përplasje mes deputetëve të OBRM-PDUKM-së dhe LSDM-së për ligjet e miratuara me procedurë të shkurtuar

Deputetët e pushtetit dhe opozitës edhe sot në Kuvend kishin qëndrime të kundërta. Me procedurë të shkurtër u miratuan 7 ligje të cilat sipas grupit parlamentar të LSDM-së janë tejet të rëndësishme për qytetarët. Por me këtë nuk u pajtua deputeti i OBRM-PDUKM-së Ilija Dimovski i cili u shpreh se miratimi i ligjeve pa debat është një praktikë të cilën vetë LSDM-ja e ka kritikuar kur ishte në opozitë.

“Ju ishit kritikues shumë të zëshëm të çdo procedurë të shkurtuar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Madje, një kohë morët iniciativë për të ndryshuar rregulloren dhe kriteret se cilat ligje mund të shkojnë me procedurë të shkurtuar dhe cilat ligje mund të kenë flamur evropian. Pra, vërejtja ime është vetëm parimore dhe mendoj se nuk isha kritik”, tha Ilija Dimovski, deputet i OBRM-PDUKM.

Ndaj këtij konstatimi të Dimovskit, reaguan nga shumica parlamentare. Sipas tyre ligjet duhej të miratoheshin më shpejtë me qëllim që të njëjtat të zbatohen sa më parë. Deputeti i LSDM-së Tomisllav Tuntev deklaroi se për një pjesë të ligjeve të miratuara, ka pasur diskutim parlamentar në kohën kur ata ishin në opozitë.


“Grupi tjetër i ligjeve nga sfera e financave dhe e mbrojtjes sociale janë miratuar si pasojë e prolongimit të zgjidhjeve ligjore. Bëhet fjalë për papërgatitje teknike apo mosgatishmëri të shërbimeve për t’i zbatuar ligjet. Ligjet janë miratuar në ndonjë periudhë të kaluar, por për shkak të disa arsyeve objektive, implementimi i tyre nuk ka qenë i mundur”, u shpreh Tomisllav Tuntev, deputet i LSDM-së.

Përndryshe, sot deputetët e miratuan nevojën për sjelljen e shtatë ligjeve që ishin në rend ditor: propozim-ligji për sigurim pensional dhe invalidor për sigurim shëndetësor, për kontributet, për akcizat, për Këshillin gjyqësor, për mbrojtje të dëshmitarëve si dhe Ligji për Këshillin për vërtetimin e fakteve.