LAJMI I FUNDIT:

Misteret e vdekjes së Astrit Deharit

Misteret e vdekjes së Astrit Deharit

Një vit pas vdekjes së Astrit Deharit vazhdojnë të mbeten dilema dhe paqartësi, hetimi është para përfundimit dhe një super-ekspertizë pritet të nisë.

Pikërisht në ditën kur Qeveria e Kosovës kishte çuar në Kuvend marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, objekti më i rëndësishëm në Republikën e Kosovës u godit me antitank.

Lidhur me këtë sulm, pa kaluar një muaj, Policia e Kosovës arrestoi si të dyshuar 6 aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.


Saktësisht, një vit më pas, marrëveshja e demarkacionit nuk ka kaluar ende, 1 person është liruar nga dyshimi për kryerjen e sulmit, katër të tjerë po gjykohen, ndërsa Astrit Dehari nuk do të dëgjojë kurrë epilogun e gjykimit për të cilin u arrestua dhe u dërgua në paraburgim nga ku doli i pajetë.

Një vit më pas, rrethanat në të cilat vdiq Astrit Dehari vazhdojnë të mbeten të rrethuara me mister, hetimet për vdekjen e tij nuk kanë çuar askund, edhe pse prokuroria nxori versionin sipas të cilit Astrit Dehari i mori jetën vetes.

Familja e Astritit dhe subjekti që ai i takonte- Lëvizja Vetëvendosje, ngritën shumë pikëpyetje për hetimin dhe drejtuan gishtin drejt pushtetit, duke e quajtur madje këtë vdekje si vrasje.

Marrëveshja që solli mosmarrëveshjen

Insistimi i vazhdueshëm i koalicionit të atëhershëm PDK-LDK që të procedojnë në Kuvendin e Kosovës marrëveshjen për demarkacionin e kufizimit me Malin e Zi, u shoqërua me kundërshtimin e ashpër të opozitës që pretendonte se Kosova humb një pjesë të konsiderueshme të territorit në favor të Malit të Zi.

Kundërshtimi i opozitës u shfaq me bllokimin e seancave të Kuvendit të Kosovës përmes rrethimit të foltores, hedhjes së gazit lotsjellës, fishkëllimave e protestave që shpesh rezultuan me dëme materiale e deputetë të arrestuar për hedhje të gazit lotsjellës.

Mirëpo, sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, këto nuk ishin metodat e vetme me të cilat u tentua pengimi i marrëveshjes së demarkacionit. Pa kaluar një muaj nga mesnata e 4 gushtit të vitit të kaluar kur u sulmua me antitank Kuvendi i Kosovës, Prokuroria identifikoi si të dyshuar për këtë sulm, Atdhe Arifin, Frashër Krasniqin, Astrit Deharin, Egzon Halitin, Adea Batushën dhe Petrit Ademin.

Më 31 gusht të 2016-ës të gjashtë të dyshuarit dolën para gjyqtarit të procedurës paraprake për caktimin e masës së sigurisë. Teksa, Frashër Krasniqi, Adea Batusha dhe Petrit Ademi u liruan në arrest shtëpiak, ndaj të tjerëve u caktua masa e paraburgimit.

Përderisa prokurori, kërkesën e tij për paraburgim e mbështeti me pretendimin se tre nga të akuzuarit kishin blerë motorin i cili ishte përdorur për sulmin në Kuvend dhe se të dyshuarit mund të arratiseshin nëse nuk u caktohej paraburgimi, Astrit Dehari i kishte quajtur “broçkulla” pretendimet e prokurorit duke e ftuar që të merret me “pronton”, “zajednicën” e demarkacionin, e jo me procese qesharake me djem paqësorë”.

Vdekja që mbeti enigmë

Ishin orët e mbrëmjes së 5 nëntorit të vitit të kaluar kur lajmi për Vdekjen e Astrit Deharit në Qendrën e paraburgimit në Prizren mori dhenë.

Përderisa subjekti që Astriti i takonte e quajti shuarje të hershme dhe tragjike vdekjen në moshën 26 vjeçare të Astritit, deklarimet e para dhe kundërthënëse të policisë dhe prokurorisë, qysh në çastet e para i ngritën hijet e dyshimit mbi këtë rast.

Në një prononcim për KALLXO.com, komandanti i Policisë Rajonale të Prizrenit Nexhmi Krasniqi kishte thënë se shkaktari i vdekjes ishin medikamentet që kishte marrë Astriti.

“Në bazë të informatave të para që kemi marrë nga drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Prizren, viktima ka përdorur disa medikamente dhe ka ra në gjendje kome. Rrugës për në emergjencë ka ndërruar jetë. Në emergjencë ka shkuar pa shenja jete”, kishte thënë Krasniqi.

Vdekjen e Astritit, të dyshimtë e pati quajtur edhe kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha. Madje, Hoxha kishte thënë se ka vërejtur edhe diçka tjetër në trupin e pajetë të Astritit.

“E kam pa trupin e viktimës, ka gërvishtje në qafë e në duar (por jo gjak).Kemi informata se ka përdorë medikamente, mirëpo asgjë në shumë nuk mund të themi për momentin. Jemi në pritje të ekipeve të mjekësisë ligjore për detaje më të sigurta”, kishte thënë kryeprokurori Hoxha.

Këto dy deklarata ishin deklaratat fillestare që i paraprinë nisjes së një hetimi që ndonëse në fund gjeti se Astrit Dehari kishte shkaktuar vdekjen e tij, megjithatë nuk e shuan asnjëherë dyshimin që rëndon mbi këtë vdekje.

Thirrjet për zbardhjen e kësaj vdekjeje sa vinin e shtoheshin, teksa u organizuan protesta e marshe në kujtim të Astritit të ndjerë e që si thirrje kryesore patën zbardhjen e rastit.

Jo shumë ditë pas vdekjes, Ministria e Drejtësisë ndonëse njoftoi se ka suspenduar 4 zyrtarë të Qendrës së Paraburgimit në Prizren, suspendimin e arsyetoi me disa neglizhenca të gjetura nga Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë.

Krahas suspendimit të zyrtarëve të Qendrës së Paraburgimit, hetimi për vdekjen e Astritit nuk pushoi me gjithë thirrjet nga Lëvizja Vetëvendosje që të ndërrohej përgjegjësi i hetimeve.

“Për shkak të informacionit të pasaktë të komandantit të policisë, për shkak se kryeprokurori është emëruar në këtë pozitë nga klani ‘pronto’ dhe për shkak se prokurori i rastit është i varur nga Sylë Hoxha, familja e Astrit Deharit dhe VV kërkojnë ndërprerjen e hetimeve nga ky grup”, ishte kërkesa e Vetëvendosjes dhe familjes Dehari.

Me gjithë kundërshtimin, pas autopsisë së të ndjerit, kryeprokurori i Prizrenit Sylë Hoxha 15 ditë pas vdekjes publikisht njoftoi se sipas rezultateve të autopsisë të bëra nga mjekësia ligjore e ku prezentë kishin qenë edhe mjekët e propozuar nga familja Dehari, rezulton se i ndjeri kishte kryer vetëvrasje.

“Të gjitha provat dhe ekzaminimet e kryera gjatë procesit hetimor demonstrojnë se ky rast ishte vetëvrasje. Vdekja ka ardhur si pasojë e asfiksisë mekanike, mbyllja e organeve të frymëmarrjes si pasojë e mbylljes së rrugëve të sipërme të frymëmarrjes nga një mjet i fortë”, kishte njoftuar Hoxha.

Kryeprokurori i atëhershëm i Prizrenit kishte njoftuar gjithashtu se lidhur me rastin ishin marrë në pyetje 17 persona.

Konstatimi i shkakut të vdekjes nga mjekësia ligjore nuk e kënaqi aspak avokatin e familjes Dehari, Tomë Gashi.

Gashi në një konferencë për media kishte prezantuar të gjeturat dhe konstatimet e ekspertëve të pavarur të angazhuar nga familja, e të cilët, sipas Gashit, kishin gjetur se bëhej fjalë për vrasje, e jo vetëvrasje.

“Ata [mjekët e pavarur] kanë konsideruar se kemi të bëjmë me lëndime në krahun e majtë dhe në pjesë të tjera të trupit që kanë qenë si pasojë e lëndimeve nga mjetet mekanike vetëmbrojtëse. Kjo shpie në përfundim se ka qenë vrasje dhe jo vetëvrasje”, kishte thënë Gashi.

Me qëllim të uljes së tensioneve dhe qetësimit të opinionit publik lidhur me objektivitetin e hetimeve, Ministria e Drejtësisë së Kosovës kërkoi ndihmë edhe nga Policia Metropolitane Britanike “Scotland Yard”, por kjo kërkesë u refuzua prej britanikëve.

Çështja Dehari zuri vend edhe në Emisionin “Jeta në Kosovë”, ku u shpalosën probleme të theksuara të sistemit të burgjeve në Kosovë.

E gjetur shqetësuese ishte se Qendra e Paraburgimit në Prizren nuk kishte pasur doktor për ta trajtuar Astrit Deharin.

Megjithëse polemikat rreth vdekjes së Deharit sikur ishin zbehur, një vdekje tjetër në paraburgim e riktheu në qendër të vëmendjes vdekjen e Deharit.

Po ashtu në paraburgim, kësaj here në Lipjan, vdiq njeri që kishte ndarë dhomën me Astrit Deharin në paraburgim në Prizren dhe njeriu i parë që e kishte gjetur Astrit Deharin në qelinë e tij.

Naser Makolli, i dyshuar për veprën penale të ndihmës në vrasje, ishte transferuar në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan pasi kishte ndodhur rasti Dehari.

Sipas njoftimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Makolli kishte pasur probleme të vazhdueshme me shëndetin dhe ishte duke pranuar trajtim mjekësor.

Dyshime për këtë konstatim kishte ngritur vëllai i të ndjerit i cili ekskluzivisht për KALLXO.com kishte komentuar vdekjen e të vëllait.

“Probleme shëndetësore ka pasur ankesë vetëm prej lukthi. Në jetën e tij asnjëherë nuk ka qenë i sëmurë. Këtu diçka është, çka u ba na se dimë. Për 1 muaj 115 kilogramë i ka pasë, tash me këqyr as 50 kilogramë nuk i ka”, kishte thënë vëllai i të ndjerit Naser Makolli.

Në mes të githë këtyre zhvillimeve e përplasjeve të ashpra lidhur me zbardhjen e këtij rasti, si duket, duhet të pritet rezultati i një super-ekspertize e cila do të ndodhë së shpejti.

Me propozim të ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, Qeveria e Kosovës ndau 50 mijë euro për mbulimin e kostos së super-ekspertizës që do të hiqte çdo dyshim mbi vdekjen e Astrit Deharit.

Në dhjetor të vitit që shkoi Kuvendi miratoi një rezolutë sipas së cilës familja e Astrit Deharit mund të kërkojë ekspertizë nga çdo vend i BE-së ose SHBA dhe qeveria t’i heqë të gjitha shpenzimet.

Prindërit e Astrit Deharit në shkurt të këtij viti thanë se ishin përcaktuar që ekspertizën për Deharin ta kryejnë ekspertë zviceranë nga Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Zvicrën Franceze.

Procesi paralel në gjykatë

Paralelisht me procesin jashtë, përballjet më të ashpra e shpeshherë edhe ofendimet e akuzat e ndërsjella ndodhën edhe në procesin gjyqësor, aty ku edhe filloi kjo sagë.

Përderisa hetimet ndaj të dyshuarit Petrit Ademi kishin pushuar dhe ai nuk ishte përfshirë në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës në mungesë të provave që e ndërlidhin me sulmin në Kuvendin e Kosovës, hetimet ndaj Astrit Deharit u përmbyllën me vdekjen e tij.

Ndryshe nga këta të dy, Atdhe Arifi, Frashër Krasniqi, Adea Batusha dhe Egzon Haliti u përfshinë në aktakuzën që u ngrit ndaj tyre.

Procesi gjyqësor filloi në janar të këtij viti, ndërsa të akuzuarit që në seanca paraqiten më veshje me mbishkrimin “Drejtësi për Astritin”, vazhdimisht proklamojnë pafajësinë e tyre duke e quajtur të montuar dhe politik procesin ndaj tyre.

Në procesin që tashmë i janë dëgjuar të gjithë dëshmitarët, përplasjet e ofendimet mes të akuzuarve dhe prokurorit kanë qenë element karakterizues i disa seancave.

Të gjithë dëshmitarët e prokurorisë tashmë janë dëgjuar, ndërsa të akuzuarit kanë zgjedhur heshtjen si mundësi që u jep Kodi i Procedurës Penale në vend që të deklaroheshin për të dhënë mbrojtjen e tyre për akuzën që rëndon mbi ta.

Edhe pse prokurori i Prokurorisë Speciale gjatë gjykimit në seancën e 22 gushit kishte thënë në gjykim se rezultatet e disa fotografive të dërguara për ekspertim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë provë e fuqishme për të ndërlidhur të akuzuarit me sulmin në Kuvend, në seancën e 26 tetorit të këtij viti, ai deklaroi se nga rezultatet e ekspertizave të ardhura nga Byroja Federale e Hetimeve në SHBA- FBI, dhe gjithashtu edhe nga rezultatet e ekspertizave të ADN-së dhe ajo e daktilografisë, nuk ndërlidhen të akuzuarit me sulmin në Kuvendin e Kosovës.

Megjithatë, prokurori tha se këto janë prova shfajësuese dhe e ka obligim ligjor t’i prezantojë, teksa përmendi edhe provat që mbështesin aktakuzën e këtu përmendi procesverbalin e seancës për caktimin e paraburgimit, me të cilin sipas prokurorit vërtetohet se i akuzuari Atdhe Arifi ka pranuar se motori me të cilin u krye sulmi ne Kuvend ishte i tij.

Të gjitha pretendimet përfundimtare të prokurorit dhe të mbrojtjes së të akuzuarve do të shpalosen në seancën ku do të thuhet fjala përfundimtare e palëve, seancë kjo e caktuar të mbahet më 13 nëntor të këtij viti.

Pak ditë pas kësaj seance do të ndodhë edhe shpallja e aktgjykimit ku gjykata do të përcaktojë nëse të akuzuarit kanë sulmuar apo jo Kuvendin e Kosovës e Astrit Dehari asnjëherë nuk do të dijë epilogun e asaj për çka akuzohej.

Në anën tjetër, hetimet për vdekjen e tij, ndoshta do të zbardhen nga super-ekspertiza e financuar nga Qeveria e Kosovës, por ndoshta dyshimet dhe teoritë e opinionit publik lidhur me këtë rast nuk do të ndalojnë asnjëherë.

Sa për ilustrim, avokatja e Adea Batushës, Florije Drevinja, në një proces tjetër gjyqësor ku mbron një të akuzuar në gjykimin lidhur me vrasjen e policit Shemsi Gashi, kërkoi ekzaminim psikiatrik nga gjykata për të mbrojturin e saj.

“Gjendja psikologjike dhe shpirtërore e të mbrojturit tim nga ajo që ka përjetuar gjatë qëndrimit të tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren [është e rëndë] pasi që dyshohet se dy personat me të cilët ka ndarë dhomën kanë vdekur në rrethana të dyshimta. Ai ka parë gjak dhe njeriun me shishe në fyt”, tha Drevinja në seancë.