LAJMI I FUNDIT:

Gjuriq: Edita Tahiri fuqishëm luftoi për interesat e Kosovës

Gjuriq: Edita Tahiri fuqishëm luftoi për interesat e Kosovës

Në sistemin institucional në Prishtinë më nuk ka një institucion përgjegjës për dialogun me Beogradin pasi që nuk ka ministri, zyra apo shërbime të tjera në qeverinë e sapoformuar të Kosovës, ka thënë drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Gjuriq thotë se Kosova më s’është e interesuar për dialog dhe për këtë nuk ka as ekip të dialogojë.

“Është e qartë se Prishtina nuk është e interesuar në dialogun, të cilin e ka udhëhequr deri më tani, përndryshe nuk do të shpërbëhej ministria e udhëhequr nga Edita Tahiri. Mbetet të shihet nëse Prishtina edhe më tej llogarit në shërbimet e Edita Tahirit, e cila fuqishëm, e shpesh herë edhe me shkathtësi, ka luftuar për interesat e vendit të saj”, ka deklaruar Gjuriq për gazetën “Politika”, përcjell Telegrafi.


Gjuriq tha se takimi i fundit që do të mund të vihej në funksion të dialogut Beograd-Prishtinë u mbajt në Bruksel më 31 gusht, kur shefja e politikës së jashtme të BE dhe Federica Mogherini, si ndërmjetësuese në dialog, organizoi një mëngjes pune për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.

“Këto ditë do të shënojmë një vit nga takimi i fundit në nivel ekspertësh. Justifikimi i Prishtinës fillimisht ishte mbajtja e zgjedhjeve parlamentare dhe një vendim i Kuvendit për të ngrirë dialogun, kurse tani nuk kanë asnjë justifikim”, tha Gjuriq.

Ai vuri në dukje se problemi më i madh është mungesa e ndërmjetësimit. /Telegrafi/