LAJMI I FUNDIT:

“Varfëria në tekstet muzikore shqiptare”: Tekstshkruesit dhe kantautorët e njohur rrëfejnë arsyet (Foto)

“Varfëria në tekstet muzikore shqiptare”: Tekstshkruesit dhe kantautorët e njohur rrëfejnë arsyet (Foto)

Muzika ka evoluar jashtëzakonisht shumë, si në tregun muzikor shqiptar, ashtu edhe në atë botëror.

Nëse vite më parë, për të pasur një paraqitje dinjitoze si këngëtar të nevojitej një këngë e bukur dhe tekst, sot absolutisht që nuk është ky kushti primar që një këngëtar shikon te vetja.

E gjithë kjo vjen si pasojë e ‘modernizimit të tepërt’, ose thënë më mirë kalimin e kufijve të modernes, duke e kthyer në atë që quhet vulgare.


Muzika Shqiptare është dalluar gjithmonë për këngët me vlera dhe vargjet e tyre që transmetonin një mesazh, dhe jo më kot të gjithë këngëtarët dikur vraponin për të ngrohur zërin, që të bëjnë një paraqitje sa më dinjitoze në festival.

Sot, kjo kulturë shqiptare ndeshet me sfida të mëdha. Këngë pa vlera, të kota dhe që nuk transmetojnë as edhe një mesazh, e gjitha kjo falë shumë pseudo-këngëtarëve të të ashtuquajturës estradë.

Vet fjala tekst, ka prejardhje nga fjala “tekstum” që në gjuhën shqipe përkthehet “pëlhurë – endje fjalësh”, e është pikërisht kjo “pëlhurë” e cila nuk gjendet më te këngëtarët, si në këngë, ashtu edhe në paraqitje kur bie fjala te këngëtaret vulgare, së cilave u mungon ‘pëlhura’ për tu mbuluar.

Si, dhe pse janë kaq të varfëra tekstet e këngëve sot?

Telegrafi bëri një hulumtin duke pyetur disa nga tekstshkruesit më të njohur që me vite i kanë servuar vetëm poezi të bukura muzikës shqiptare. E arsyen se pse muzika shqiptare ka zbritur në këtë nivel, ata e dinë shumë mirë, por mënyrën se si të ngritet aty ku ishte, e shohin si të pamundur.

Artisti i madh Timo Flloko, tekstshkrues i shumë këngëve, në një prononcim për Telegrafin shtjelloi bukur dhe arsyeshëm temën lidhur me ‘varfërinë e teksteve muzikore sot’, duke potencuar se shkas për këtë gjë mund të jetë imitimi i dobët nga tregu botëror.

Timo Flloko

“Ka një trusni maksimale, të skajshme do thoja, kjo tendenca e sotme e publikut, dhe thjeshtimi sa më i madh i teksteve, gjë që është pozitive ne një kuptim, sepse e bën më ‘trendy’ nga njëra anë, por e varfëron nga ana tjetër sepse, rreken reperët apo këta tekstshkruesit, apo qofte edhe në bashkëpunime këngëtarët dhe kompozitorët, dhe kështu humbasin efektin e fjalës, në shumë raste duke e zbehur filozofinë e saj, madje edhe emocionin. Mos të them që shumë herë synohet edhe drejt vulgaritetit, kinse sensualitetit. Sigurisht ka një ndikim edhe nga muzika amerikane, nga RNB-ja,nga prurjet përherë e më shumë të fondit muzikor të ditës, të muzikës ‘black massive’ në qoftë se do thoshim, secila është origjinale, por jo e bastarduar. Në krijimet përgjithësi flas, në krijimet rutinore, në këto produktet që dalin si themi ne si “simitet prej furrës”, ka shumë varfëri dhe uniformitet, monotoni, rutinë, rreken të mbërrijnë hitet kinse, dhe dalin këngët bashkë me këngëtaret për të zgjedh me doemos një ‘hit ’për të mbërrit famën dhe paratë, e thënë kështu thjeshtë. Po të shohësh muzikën amerikane edhe ajo është multidimensionale, nuk është njëlloj, siç shihet tendenca në Kosovë dhe Shqipëri, edhe muzika shqiptare e anës sonë (Shqipëri) është e ndikuar nga muzika shqiptare e Kosovës, dua të them që këngëtarët kosovarë janë shumë të talentuar, edhe dialekti po themi, në një kuptim, shkon fort mirë me RNB-në, kombinacionet e kështu me radhë. Unë për shembull së fundmi kam shkruar një tekst për Besa Kokëdhimën dhe Elinel, i cili ishte i talentuar si djalë, bukur fort e shtozon koificientin emocional të këngës, e të tilla rastet ka sa të duash. Rastet më të mira janë për tu lavdëruar, unë them tendenca negative kur ajo bëhet e tepruar edhe kalon masën, nuk duhet të kthehet në trend. Thash që në muzikën amerikane ka këngëtarë të mirë të kohës së sotme si: Rihanna, Adele, Lady Gaga e kështu me radhë, ku në tekstet e këngëve të tyre vërehet një filozofi që është më e e përpunuar, në nivel më të lartë, sepse këngët s’duhet të kenë një konsum momental, por një konsum që i reziston më shumë tregut amerikan dhe botëror, sepse kënga në botë ka hapësira shumë të mëdha. Kurse në muzikën tradicionale, teksteve muzikore u mungon filozofia, mungon informacioni dhe ndonjëherë edhe historia nëpër ta, fjalët shpesh janë të rëndomta, te papërzgjedhura, madje vulgare. Tradita e kombit tonë, tradita poetike, është e një niveli të lartë, andaj edhe tekstet e këngëve në rastet më të mira, kanë qenë evidente dhe kanë shprehur këtë traditë, pa hyrë në shembull, thjeshtë po dëgjoja një ditë muzikë, një grup shqiptar të ditëve të sotme, po me dëshirë dëgjoja këngë të ndryshme, qoftë edhe atë “5 minuta” apo këngë të tjera që ruajnë ende edhe melodinë edhe bukurinë e tyre. Duhet gjetur ajo lidhje, ajo shtrirje e përbashkët e frymëzuar sigurisht , midis muzikës, emocionit muzikor dhe tekstit, emocionit përmes së cilit përcjell teksti. Muzika në vetvete është një kuptim abstrakt dhe e merr formësimin e vet nga vargjet e tekstit. Mjafton t’i ndryshosh tekstin një kënge dhe ajo humb sensin, identitetin, madje gjithçka. Si muzika shqiptare, si muzika kosovare, të dyja duke u nisur nga shembujt më të mirë, si Nexhmije Pagarusha apo Vaçe Zela etj, këngëtarë të mëdhenj të trevave tona, me këngët e tyre janë të paharruar në arkivin tonë. Më mirë është të marrësh një tekst te Azem Shkrelit apo Podrimes, sesa një tekst të tregut sot në mënyrë të shthurur, për shkaqe ndikuese shpesh kjo lloj tendence, nga që muzika melodike e mbështetur mbi melodinë, është strukur dhe thuajse është fshire në njëfarë mënyre, jap nje shembull; shumë këngëtare që vijnë nga Shqipëria dhe bëjnë duet në Kosovë, edhe pse nga ana juaj në gjuhën letrare fjalët janë pak më ndryshe, këndojnë me tekst të ndërthurur në dialekt kosovar, nga shqipja e vulgarizuar ne gegërisht, gjë që dihet është ndikim. Duhet kuptuar një gjë, gjithçka që është e bukur, ajo ka të drejtën e ekzistencës, mos të flas për tendencën, por duhet që gjithçka të ketë kufij”.

Ndërsa, pak më ndryshe këtë situatë po e sheh poeti Agim Doçi. Ai i ka dhuruar me vite vargje mbresëlënëse artit shqiptar, duke u nisur që nga “E duam lumturinë” të Parashqevi Simakut e deri te “A vritet pafajësia” që përshkruante me drithërimë të bëmat e Luftës së Kosovës.

Me nervozizëm dhe i dëshpëruar, Doçi për Telegrafin tha se evoluimi i muzikës shqiptare në këtë shkallë s’ka kthim pas. Kultura ka marrë një kahje të gabuar, nga e cila vështirë se do ta rikthejmë na lavdinë e dikurshme.

Agim Doçi

“Duhet të hiqet bezinesi nga arti, sepse u futën tallavatë, dhe prandaj përfunduam në këtë gjendje. Janë bërë studio muzikore të cilat as nuk kanë interes që popullit t’i jepet arti i vërtetë. Këngët pa vlera po prodhohen vazhdimisht, dhe po të njëjtit kompozitorë i bëjnë këto ‘budallalliqe’, sidomos studiot ose këto kompanitë producente të cilat me demek shprehin se bëjnë diçka. Edhe këngëtarët nuk janë më ata ustallarët e interpretimit , po femrat promovojnë zhveshjet në klipe, djemtë ju vërsulen temës së dashurisë me tekste idiote RNB, me këtë gjininë që me gjasme duan të thonë diçka, por nuk thonë asgjë. Është për turp , që ka problem të tilla, ka problem shoqëria jonë, nuk kujtohet më kush për ato fabula, tekste e subjekte, por shkojnë deri te tekstet mjerane. Në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri synohet tregu muzikor vetëm për të fitu në mënyrën më anti-artistike, në mënyrën më anti-art, se di popujt e tjerë të Ballkanit nuk e njohin tallavanë, ndoshta ne shqiptarët, nuk e di se di kë imitojmë. Çështja e rrymave të reja demek nuk janë rryma artistike, janë kanale të ujërave të zeza këto lloj rrymash. Nostalgjia, malli për artin e vërtetë tek unë është më i fortë se të tjerët, sepse unë prej vitit 1974 kam qenë një ndër poetët e festivaleve, se nuk me pëlqen edhe shumë fjala ‘tekstshkrues’, ne jemi poett e këngës. Edhe kur kam shkruar unë poezinë e këngës së Parashqevi Simakut “E duam lumturinë”, 18 mije gra kane protestuar atëherë kundër profesioneve të shtetit serb. Kanë qenë Luljeta Pula, Kaqusha Jashari, Flora Brovina që e kanë udhëheqë atë demonstratë të viteve 87-88. Ndërsa sot nuk duroj këngëtarët që këndojnë vulgarisht, unë s’e di ku duan të shkojnë me këtë muzikë, kur arti, letërsia edhe gjinia më demokratike bërllogjet në këtë formë. Beogradi, Athina thonë : “Mori fund arti shqiptar, çfarë bëjnë ata këngëtarët e tyre?”. Pse e bëjnë gjithë këtë punë? Sepse i paguajnë. Ne nuk marrim më art dhe nuk plazmojmë në emrat e atyre që u flijuan dhe të cilëve me vite u kemi kushtuar këngë. Këta të tallavasë vazhdojnë të bëjnë art me silikon, ky nuk është art bio, është art i botoksit, ku është Nexhmije Pagarusha, Esat Bicurri e plot të tjerë. Shkojnë e këndojnë këto të artit silikon edhe ato dy pare të shkreta jua marrin , Pse duhet të ketë diasporë?. Më vjen keq sot që këngëtarët i kanë kthyer shpinën artit. Fatkeqësi është kjo. Humbja kombëtare. Unë jam malësor, dhe ne malësorët themi ‘Mozomakeq’. Çka të them….”

Këngët e “Eurovisionit” janë cilësuar gjithmonë si të bukura të kënduara në shqip, ndonëse ato janë përkthyer dhe kënduar shpesh në anglisht nga këngëtarët përfaqësuses.

Sokol Marsi, producent muzkor dhe tekstshkrues i shumë këngëve shqiptare, ka çuar disa këngë në “Eurovision”, të cilat kanë marrë vlerësim të lartë. Ai e sheh këtë evoluim si shkas i rrymave të reja muzikore, por jep edhe një ide se si mund ta tejkalojmë këtë ‘varfëri’.

Sokol Marsi

“Me evoluimin e teknikave muzikore, rrymave të ndryshme apo produksioneve ‘playback’ të realizuara kryesisht nëpër studio muzikore, evoluan edhe tekstet por me një ndryshim të madh. Në rastin që rrymat si hip-hop, Rnb apo reggeaton erdhën si influencë e tregut botëror në muzikë dhe zunë vend mirë edhe në tregun komercial të muzikës shqiptare tek tekstet ndodhi e kundërta. Tekstet u varfëruan, nuk ishin më një krijim artistik i mirëfilltë por veç disa fjalë që rimoheshin dhe i mbivendoseshin melodisë. Ky është një problem i madh edhe sot. Pasi sot në shumicën e rasteve ka varfëri temash. Në tekste mungon gjuha letrare por është zëvendësuar nga fjalë të zhargonit, keqpërdoret gjuha dialektore aq sa publiku nuk arrin të kuptojë se për çfarë flet kënga ose çfarë thotë këngëtari! Në disa raste kapërcejnë në banalitete të rëndomta që janë te pa pranueshme për këngën si gjini artistike e mbështetur mbi normat e estetikës! Kjo vjen edhe për faktin që tekstshkrues tashmë bëhet kushdo, me talent..pa talent…mjafton të rimojë fjalë dhe kaq! Jo, nuk është ky qëllimi apo mënyra e të krijuarit, nuk është ky modeli i një tekstshkruesi, kënga është shumë e varfër kur vargëzohet me modele te tilla. Çfarë duhet bërë? Nuk di të them me saktësi çfarë duhet bërë pasi nuk jemi në kohën e censurës artistike por sigurisht që producentët, kompozitorët , këngëtarët prefesionistë duhet të jenë të vëmendshëm, kërkues dhe të kujdesshëm kur realizojnë një këngë, që ajo t’i plotësojë të gjitha kriteret e një krijimi artistik të mirëfilltë dhe jo të marrin e publikojnë gjithçka që ju serviret. Po kështu edhe nëpër aktivitete të ndryshme, festivale apo koncerte publike duhet të ketë filtra të fortë që banaliteti mos të penetrojë lehtë dhe të shitet për art”.

Dashur pa dashur, muzika rok mbetet gjithmonë e pëlqyeshme për publikut. Vargjet e saj duhet të jenë me vlera, ndryshe nuk arrin dot te veshi dëgjuesit.

Grupi Jericho është një grup i cili gjithmonë ka seruar muzikë të të vërtetë për popullin, duke trajtuar tema të ndjeshme dhe nga më të ndryshmet. Lideri i këtij grupit , Petrit Çarkaxhiu gjatë një bisede për Telegrafin dha mendimin e tij lidhur me këtë evoluim fatkeq të këngëve sot.

Petrit Çarkaxhiu

“Një çasje e tillë në art dominon në gjithë botën, e kam fjalën për atë që njihet si ‘mainstreami-i’ i muzikës ndërkombëtare, dhe arsyeja mendoj që është kultura konsumeriste e cila ka për qëllim që njeriu (masa e gjërë) mos të ketë mendim kritik por të jetë vetëm një objekt konsumi. Ky është trend botëror dhe këtu as shqiptarët nuk bëjnë përjashtim. Sidoqoftë njeriu gjithmonë do të ketë nevojë që t’i artikulojë mendimet edhe ndjenjat dhe sado i madh të jetë presioni prapë do të ketë njerëz që do të jenë të thellë në të shprehur”.

Disa prej tekstshkruesve më me emër në tregun muzikor shqiptar, ishin aq të mërzitur me këtë realitet, sa refuzuan edhe të japin përgjigje, rreth një pyetjeje që për ta të çon në një rrugë pa kthim. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Disa shënime mbi traditën moderne greke

Disa shënime mbi traditën moderne greke

Fjala+
Qyteti më i vjetër në botë!

Qyteti më i vjetër në botë!

Kulture
Banesa Kikino, e para në Gjirokastër që i festohet viti i lindjes

Banesa Kikino, e para në Gjirokastër që i festohet viti i lindjes

Kulture
Thënie për gruan: Të arsimosh një femër do të thotë të arsimosh një shoqëri

Thënie për gruan: Të arsimosh një femër do të thotë të arsimosh një shoqëri

Fjala+
PARAJA

PARAJA

Poezi
ME U ZGJUE

ME U ZGJUE

Poezi
Kalo në kategori