LAJMI I FUNDIT:

Haziri premton qeverisje me duar të pastra

Haziri premton qeverisje me duar të pastra

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri, ka gjetur pritje të ngrohtë në tubimin e përbashkët të banorëve të Lladovës dhe Nasalës.

Banorët e këtyre fshatrave kanë thënë se në këtë zgjedhje i besojnë sërish vizionit të Lutfi Hazirit, marrë parasysh projektet e mëdha infrastrukturore që i ka realizuar në këtë zonë.

Haziri ka thënë se ky besim do të përkthehet me përgjegjësi edhe më të madhe për punë në mandatin e ri katërvjeçar.

“Do të vazhdojmë të punojmë në infrastrukturë në Lladovë e Nasalë dhe në Grykën e Karadakut. Vetëm në dy vitet e fundit kemi filluar t’i realizojmë programet tona të katërshes së madhe, pasi që në dy vitet e para jemi marrë me gjendjen e rëndë që e kemi gjetur në Komunë. Do të vazhdojmë të punojmë me duar të pastra dhe dyer të hapura për qytetarët”, tha Haziri.

Në këtë tubim është prezantuar edhe kandidatja për këshilltare komunale nga radhët e LDK-së në Lladovë, Shpresa Kurteshi Emini, e cila aktualisht është kryesuese e Kuvendit.