LAJMI I FUNDIT:

Partitë politike në Maqedoni vazhduan takimet me qytetarët

Partitë politike në Maqedoni vazhduan takimet me qytetarët

Partitë politike në Maqedoni edhe gjatë ditës së djeshme kanë vazhduar fushatën e tyre dhe takimet me qytetarët.

Telegrafi Maqedoni ju përcjell takimet qendrore që kryetarët e partive së bashku me kandidatët e tyre për kryetarë dhe këshilltarë komunash realizuan me qytetarët.

PDSH mbajti tubimin qendror me banorët e Zhitoshes të komunës së Dollnenit. Në këtë tubim mbajti fjalim edhe kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi i cili theksoi se PDSH asnjëherë nuk ka anashkaluar dhe se edhe më tej do të vazhdojë të jetë pranë banorëve të kësaj komune duke ju premtuar mbështetje të plotë të gjitha komuniteteve.


BDI gjate ditës së djeshme vizituan fshatin Pllanicë ku u zotuan se do të bëjnë çmos për përmirësimin e kushteve të tyre, duke kërkuar votën e tyre që më 15 tetor t’i japin besimin kryetarit Fatmir Deari, për të rimarrë komunën e Kërçovës.

Levizja Besa dje nuk ka mbajtur ndonjë tubim madhështor por ajo ka zhvilluar takime të drejtëpërdrejta me qytetarët në komunat përkatëse në të cilat garon. Kreu i kësaj partie, Bilall Kasami dhe disa nga kandidatët e Lëvizjes Besa për kryetarë të komunash dje kanë udhëtuar për në Slloveni për tu takuar me ekspertë sllovenë të pushtetit lokal. Sipas tyre, qëllimi i takimit është shqyrtimi i mundësive për realizim sa më të shpejtë dhe efikas të projektit “Korabi 2025”.

LSDM mbajti tubim qendror në Gjevgjeli. Para të pranishmëve mbajti fjali kandidati për kryetar komune, Sasho Pockov, i cili u premtoi qytetarëve kushte më të mira për jetesë, infrastrukturë më të mirë dhe rritje të standardit jetësorë në këtë komunë. Ai theksoi se më 15 tetor qytetarët e Gjevgjelisë do të vendosin se a do të shkojë Gjevgjelia përpara apo do të mbetet në vendin e njëjtë.

Koalicioni i udhëhequr nga OBRM-PDUKM-ja sonte mbajti mitingje në Vinicë dhe Koçan ku folën kandidatët për kryetar komune si dhe kryetari i partisë Nikolla Gruevski. Siç theksuan, ata e kërkojnë votën e qytetarëve sepse mendojnë se LSDM-ja zhvillon politika të dëmshme për shtetin. Ata thonë se më 15 tetor fuqia është në duart e popullit. OBRM-PDUKM dhe koalicioni nesër do të mbajnë mitingje në Negotinë dhe Kavadar./Telegrafi/