LAJMI I FUNDIT:

Arrestohet edhe një i dyshuar për sulmin terrorist në Londër

Arrestohet edhe një i dyshuar për sulmin terrorist në Londër

Policia në Londër ka njoftuar se ndërkohë është arrestuar edhe një person tjetër, i cili dyshohet për pjesëmarrje në sulmin terorrist në një stacion trenash në Londër, të premten.

Policia njoftoi të dielën në mëngjes, se të shtunën vonë është arrestuar një person 21-vjeçar, në paralagjen perëndimore të Londrës, Hounslow.

Aksioni i arrestimit është kryer pak para mesnatës, ndërsa gjatë ditës së djeshme kanë vazhduar aksionet në kërkimin e përgjegjësve për sulmin terrorist të premten, kur në Londër janë plagosur rreth 30 persona.


Të shtunën është arrestuar një 18-vjeçar në portin Dover. Pak orë më vonë është bastisur edhe një shtëpi në afërsi të aeroportit Heathrow.

Deri tani nuk ka të dhëna për identitetin e personit të dytë të arrestuar mbrëmë vonë. Të premten në stacionin hekurudhor Parsons Green, në perëndim të Londrës, ka ndodhur një shpërthim i rëndë, që si pasojë ka pasur lëndimin e dhjetëra personave, por asnjë prej tyre nuk ka përsuar lëndime të rrezikshme për jetën. Pas sulmit në Britani të Madhe është dhënë sinjali i rrezikut më të lartë nga sulmet terroriste.