LAJMI I FUNDIT:

Lekaj: Nga dita e hënë do të ketë zhvillime pozitive

Lekaj: Nga dita e hënë do të ketë zhvillime pozitive

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se kjo javë do të jetë përfundimtare për krijimin e institucioneve.

Lekaj ka pohuar se duke filluar nga dita e hënë do të ketë zhvillime pozitive në krijimin e institucioneve.

“Këtë javë do të ketë zhvillime pozitive. Pra, kur them se ka zhvillime pozitive, mendoj edhe në mbështetjen e deputetëve. Prandaj kjo javë do të jetë vendimtare për krijimin e institucioneve, përkatësisht konstituimin e Kuvendit dhe për formimin e Qeverisë”, ka thënë Lekaj.


Edhe zëvendëskryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se janë të vendosur si koalicion për të përmbyllur procesin e konstituimit të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë. “Definitivisht do të ketë zhvillime pozitive”, ka thënë Hoxhaj.

Ndërkaq burime të gazetës “Epoka e re” brenda koalicionit PAN kanë konfirmuar se PAN-i dhe AKR-ja përfundimisht kanë arritur të dielën marrëveshje për bashkëqeverisje.