Në deklaratën e ministrit të Jashtëm britanik Atoni Iden (Anthony Eden) të 17 dhjetorit 1942 ndodhej ky gjykim i qeverisë së tij: ajo “nuk paragjykon pozitën e çështjes së Shqipërisë në lidhje me marrëveshjet e ardhme që mund të arrihen midis shteteve të ndryshme ballkanike”. Po ashtu vinte në dukje se “Qeveria e Madhërisë së Tij çështjen e kufijve të shtetit shqiptar pas lufte e shikon si një çështje që do të duhet të shqyrtohet në rregullimin e paqes”.
Më poshtë është një nga arsyet kryesore përse nacionalistët, ata të rreshtuar në Ballin Kombëtar, nuk gjenin asnjë dëshirë t’u futnin krahun britanikëve si aleatë kundër pushtimit fashist. Do të ikte italiani dhe pas tij edhe gjermani dhe nëse vinte anglezi, mendonin ata, do të hynin nga porta kryesore grekët, lakmia e të cilëve qe më e pakta shtrirje pushtuese deri në buzë të Skraparit, por në të vërtetë goja u lëshonte lëng deri në Shkumbin.
Ajo deklaratë rreziksjellëse e Idenit nuk solli aspak humor edhe në radhët e Partisë Komuniste Shqiptare dhe të ushtrisë së saj partizane. Këta të fundit, përveç simpatisë së hapur ideologjike, ndjenin ngrohtësi të madhe prej deklaratës që bëri Vjaçellav Mihajlloviç Molotovi menjëherë, një ditë më pas nga ajo e Idenit, më 18 dhjetor. Ministri i Jashtëm i BRSS shqiptoi para botës fjalët solemne se “Bashkimi Sovjetik, që e sheh me simpati të plotë luftën burrërore çlirimtare të patriotëve shqiptarë kundër pushtuesve italianë, nuk njeh asnjë pretendim të imperializmit italian mbi tokën shqiptare dhe dëshiron ta shohë Shqipërinë të lirë nga zgjedha e pushtuesve fashistë dhe pavarësinë e saj të vendosur”.
Ndërkohë nëpër atë dhjetor 1942 kishte ndodhur një fatkeqësi e rëndë, krejt e papritur dhe si të qe një mallkim mbi nismën që pati marrë qeveria amerikane dhe pas të cilës, të paktën formalisht, qëndronte ideja e Ahmet Zogut. Në ditën e pesëmbëdhjetë të muajit kishte ndërruar jetë, për shkak të një hemorragjie cerebrale, Faik Konica. I kishte tashmë të gjitha arsyet për të hequr dorë nga projekti i një qeverie në mërgim me udhëheqës politik mbretin e dikurshëm dhe kundërshtarin e tij. Me pak fjalë, ai në rast se do të qe shtyrë deri ato çaste prej Faik Konicës, pas vdekjes së këtij do të kishte gjetur rast fare të pastër të tërhiqej njëherë e mirë. Por as që e shkoi nëpër mend.
Ende pa u mbyllur dhjetori, Noli i dërgoi një letër Anton Logorecit në Londër, në të cilën i shkruante: “Ju kërkoj juve dhe miqve tuaj të zgjidhni mosmarrëveshjet me mbretin Zog, që është e keqja më e vogël, deri në Konferencën e ardhme të Paqes dhe të bashkoheni me Frontin e Bashkuar Shqiptar, i cili është e vetmja udhë për të ndihmuar sa më efektivisht si Shqipërinë, ashtu edhe Kombet e Bashkuara”.
Fan Noli nuk po ecte përpara në projektin e nxitur prej monarkut për të qenë ai sërish, pas lufte, i pari i Shqipërisë, por po marshonte. Kishte vënë në kokë “helmetën” e çuarjes deri në fund të këtij misioni. Brenda këtij gjesti të funddhjetorit 1942 duhet kërkuar prej ku i vjen Nolit tërë ky zell. Prandaj edhe na duhet të kthehemi pas për të përshkruar si qe historia e pranimit prej tij të ofertës së Ahmet Zogut.
Na duhet ta shpjegojmë atë duke nisur prej 1 janarit 1942, kur ndodhi edhe një ngjarje me ndikim të fortë në rrethanat ndërkombëtare të atyre çasteve: u shpall Deklarata e Kombeve të Bashkuara (Lidhjes së Kombeve), e cila mbështeste Kartën e Atlantikut. Sipas nënshkruesve të saj, 26 shteteve, të gjithë duhej t’i kundërviheshin me çdo mjet paktit trepalësh fashist (Romë-Berlin-Tokio). Kjo ishte rruga e sigurt e mbrojtjes së integritetit territorial prej çdo agresioni pushtimi dhe patjetër garancia që pas lufte shtetet të ruanin të drejtën e të qenit vend i pavaruar. Mes firmatarëve ishin edhe Greqia e Jugosllavia, të cilat kishin qeveri antifashiste në mërgim. Shqipëria nuk e kishte një të tillë. Doemos që kabinetin qeveritar aktual të Tiranës 26 shtetet firmuese të deklaratës anti Bosht nuk mund ta ftonin. Ajo konsiderohej bashkëpunuese me italianët e qeverisur nga Musolini, në mos fund e krye një krijesë shërbëtore e tyre. Pikërisht në këtë atmosferë përpjekjeje për t’u njohur si faktorë shtetërorë të Shqipërisë, në 25 maj 1942 ish-mbreti i dërgoi një letër Faik Konicës. E quante “Shkëlqesi”. Në të thoshte:
“I dashur mik,
Kam lexuar disa nga numrat e revistës “Dielli” që më kanë dërguar, si edhe kam parë titujt e saj, dhe ju vetë e dini që janë të padrejta.
Jam shumë i gëzuar që shoh që nevoja e madhe për një lidhje të shenjtë midis shqiptarëve është mbështetur edhe nga ju. Por nuk e mendoj që mendimet tona të realizohen me anë të krijimit të Komiteteve ose të organizatave të tjera private. Është e dukshme që të tëra iniciativat që kanë për drejtim luftën për lirinë e popullit tonë duhet të inkurajohen, por iniciativa të tilla nuk mund të na vënë ne në pozicionin më të mirë të mundshëm për të arritur rezultate pozitive të luftës tonë. Me anë të Komiteteve ne rrezikojmë ta gjejmë veten tonë në Konferencën e ardhshme për paqen në të njëjtën situatë që ishim gjatë luftës ballkanike dhe asaj botërore, pra në korridore.
Unë kam arsye për të besuar që momenti i duhur për të krijuar një shtet shqiptar do të jetë ai, kur shtetet e fuqive aleate të pranojnë përfaqësuesit diplomatikë të Shqipërisë nëpër botë, përjashto këtu Greqinë dhe Jugosllavinë.
Qeveritë e tjera i janë përgjigjur pozitivisht letrës time, ku parashtrohej edhe kjo ide.
Pozicioni jonë në sferën ndërkombëtare është duke u forcuar. Dhe kjo gjë do të shërbejë për të shpëtuar interesat e vendit tonë, të cilat ndodhen në rrezik. Fakti që disa shovinistë grekë kanë kërkuar Korçën dhe Gjirokastrën dhe pozicioni i tyre është më i fortë se yni, kjo duket se ndodh për fajin tonë. Dhe është prapë faji ynë kur ata pretendojnë se nuk ekziston një shtet shqiptar dhe se kufijtë shqiptarë duhen rishikuar.
Për të gjitha këto arsye unë mendoj se duhet të formojmë një Qeveri të një lidhjeje të shenjtë dhe jam i gëzuar që më jepet mundësia që të bashkëpunoj me një mik si ju”.
Në vijim të menjëhershëm të këtij teksti grishës Zogu shkruan: “Unë jam i prirur të përdor të drejtat që përmban kushtetuta e vendit tonë për të emëruar një qeveri e cila do të jetë një mundësi më shumë për Shqipërinë për t’u pranuar në Aleancën Demokratike”.
Ja edhe skema që propozon mbreti i ikur pa rezistencë thelbësore në 8 prill 1939: “Unë mendoj se duhet formuar një Këshill prej 10-12 personash të zgjedhur në mënyrë të lirë nga kolonitë tona në Amerikë, Turqi dhe Egjipt, në funksionin e përfaqësuesve kombëtarë”.
Vazhdon Ahmet Zogu skemën e tij të rrugëdaljes për njohje ndërkombëtare dhe ku (çudi e madhe) nuk gjen vend për përfaqësues nga vetë territori shqiptar: “Mbetet për t’u zgjidhur dhe financimi i këtij plani. Do të kisha dashur të isha aq i pasur sa pretendoni ju. Meqë nuk jam i tillë mund të marr përsipër të investoj në mënyrë modeste këtë plan në një periudhë brenda dy viteve. Gjatë kësaj kohe, kjo Qeveri e Lidhjes së Shenjtë mund t’i dëshmojë bashkëpatriotëve që punon në të mirë të tyre dhe është e privuar nga çdo lloj intrige dhe jam i sigurt që do të gjejë një mbështetje të madhe morale dhe financiare”. Pastaj Zogu i adresohet më drejtpërsëdrejti Faik Konicës: “Nëse ju jeni dakord do ju propozoja:
1-Më dërgoni një telegram ku të konfirmoni që jeni dakord me mua.
2-Të më thoni brenda këtij telegrami, nëse ju mund të më dërgoni këtu dikë nga ju për të rregulluar të gjitha detajet, gjithmonë duke marrë parasysh vështirësitë që ekzistojnë.
3-Të më dërgoni një letër personale, ku të parashtroni të gjitha idetë dhe kritikat tuaja, nëse do të keni të tilla, për këto propozime dhe për personat që mundësisht mund të jenë të nevojshëm, etj”.
Duke e mbyllur: “Po jua dërgoj letrën në dy kopje, një ndërmjet postës normale dhe një me avion. Dhe po ju shkruaj në frëngjisht për të evituar ndërhyrjet dhe censurimet e kontrollit. Po ju përsëris edhe një herë, se dua të ndihmoj edhe një herë më shumë për lirinë e popullit tonë me një mik të hershëm. Jam në pritje të një përgjigjeje të shpejtë që do të më dërgoni, mik i dashur.
Përshëndetjet e mia më të mira”.
Nga Parmoo Henley, Uashington, ku i erdhi letra e Ahmet Zogut, në 20 qershor (1942) Faik Konica i ktheu përgjigjen aspak të vonuar: “Duke ndjekur udhëzimet e madhërisë Suaj, kam marrë përsipër të bëj bisedime të shpejta me miqtë politikanë shqiptarë dhe kemi arritur në konkluzione në ato pika që ju kishit parashtruar në telegramin tuaj.
Po ju parashtroj më në detaje si më poshtë. Jemi të bindur që Kabineti duhet të formohet sa më shpejt dhe duhet të jetë ashtu si edhe Ju vetë keni theksuar më i reduktuar (Ne mendojmë që të ketë një Kryeministër, një Ministër të Punëve të Jashtme dhe një Ministër të Punëve të Brendshme dhe kaq do të jetë e mjaftueshme).
Dhe së fundi ne besojmë se, duke parë edhe vështirësitë e komunikimit, këta të zgjidhen nga shqiptarët që jetojnë brenda në Angli. Kjo gjë do të ishte e mundur kur të ketë mbaruar periudha e bisedimeve për paqen dhe Madhëria e Juaj t’i emëronte menjëherë këto personalitete shqiptare në mënyrë që puna të ishte më frutdhënëse”. Më tej: “Do të ishte e dëshirueshme që Madhëria Juaj të kishte një përfaqësues në Uashington dhe një tjetër në Londër. Por duhen evituar ato lloj ministrash që do i vinin në një pozitë të vështirë agjentët e tyre deri në një mënyrë të tillë që Qeveria Juaj të mos njihej zyrtarisht. Përkundrazi portreti i përfaqësuesve duhet të jetë i thjeshtë, elasok dhe i gatshëm në të gjitha rastet”. Në vijim: “Më vonë ne do të formojmë këtu një Këshill me persona të aftë për të ndihmuar lëvizjen. Llogaritjet në Amerikë sipas mendimit tonë, do të shkonin në 5 mijë dollarë në muaj. Kur organizata të jetë e kompletuar, atëherë do të vihet në lëvizje”. E vazhdon Faik Konica shpjegimin e tij për disa paragrafë të tërë dhe, duke e mbyllur letrën e tij përgjigjëse të asaj të Ahmet Zogut, bën të ditur një fakt që do të na ndihmojë në sqarimin e rrethanës në se qe vetë Noli i pasionuar pas postit, për herë të dytë, të kryeministrit apo e vërteta ndodhej në të anasjellën. Shkruan Konica: “Opinioni publik shqiptar sa vjen e po bëhet më në favor të Madhërisë Suaj dhe një ndihmesë e madhe për këtë dhe për punën tonë është Monsinjor Noli. Kam menduar për një moment që Mr. Noli do të ishte njeriu ideal për vendin e Kryeministrit, pavarësisht nga fakti që nënshtetësia e tij amerikane e bënë këtë gjë të vështirë. Por sidoqoftë ai do të jetë një këshilltar i aftë dhe vigjilent.
Shërbyesi besnik i Madhërisë Suaj!”
Në 27 shtator 1942 është ndihmësi i Zogut, Sotir Martini, që i dërgon një letër të gjatë Faik Konicës. “I dashur Bej, niste ajo dhe vazhdonte: “Kjo është letra dhe një autorizim nga Mbreti që ju dërgon si përgjigje të letrës së fundit të datës 20 qershor.
Në përgjigje edhe të letrës që më dërguat edhe mua një kopje, kam kompetencën të të pohoj që Mbreti është mëse i vendosur për të bashkëpunuar dhe për të rënë dakord me ju për ato që kishit shkruar në letrën zyrtare. Ai është i predispozuar të bëjë çfarë është e mundur dhe të gjitha sakrificat e mundura që do t’i shërbenin çështjes së vendit tonë. Ai dëshiron shumë të bashkëpunojë me ju dhe me Mr. Nolin, kështu që ju mund të mbështeteni tek Ai në mënyrë absolute. Por ju duhet të merrni parasysh faktin që lufta mund të zgjasë shumë dhe kjo ndikon në mbështetjen e shpenzimeve të Përfaqësuesve tanë të Konsullatave, gjithashtu të oficerëve dhe pjesëtarëve të tjerë, duke përfshirë edhe shpenzimet e Qeverisë e unë mendoj në mënyrë absolute që është e nevojshme të formohet nën drejtimin e Shkëlqesisë tuaj ose të Mr. Nolit, kur ju bashkë me të të konsideroni momentin e duhur për t’u formuar”.
Siç në këtë letër deklarohet fare qartë, në idenë e Ahmet Zogut kandidatura e parë për shef i qeverisë shqiptare në mërgim duhet të jetë Faik Konica. Fan Noli vjen pas tij. Kjo do të thotë se monarku nuk e kish përfillur shumë propozimin e vetë Konicës që kryeministër të qe Noli. E kishte kuptuar këtë thjesht si përpjekje për t’i bërë bisht.
Sotir Martini e mbyll letrën e tij të 27 shtatorit 1942 me fjalët “Do t’ju lutesha që t’i dërgoni përshëndetjet e mia të mira Mr. Nol dhe ju përsëris edhe njëherë, i dashur Faik Bej, shprehjen e miqësisë sime të sinqertë”. Në 5 nëntor Faik Konica i kthen përgjigje Sotir Martinit, në të cilën i thuhet se “kam nderin t’ju informoj që pranoj të jem përfaqësuesi i Mbretit në Uashington”.
Siç edhe e kemi vënë në dukje shkrimet e mëparshme dhjetë ditë më vonë nga nisja e kësaj letre drejt Sotir Martinit, pra Ahmet Zogut, në 15 nëntor 1942 dyshja Konica-Noli u prit prej Departamentit Amerikan të Shtetit, çfarë dëshmonte se ata tashmë jo vetëm po vepronin vendosmërisht në çështjen e përpjekjeve për njohjen e Shqipërisë nga aleatët e Boshtit Antifashist, por edhe i kishin hyrë punës konkrete si përfaqësues të lartë qeveritarë, të ngarkuar zyrtarisht nga Ahmet Zogu. (Ky nuk qe takimi i parë i Faik Konicës apo i Fan Nolit me punonjës të administratës qendrore amerikane, ata patën kryer të tilla veç e veç edhe më parë. Madje edhe Departamenti i kishte ftuar në takime të veçuara. Në 15 nëntor qe takimi i parë në cilësinë që ata kishin sipërmarrë dhe garantuar prej mbretit Zog: ishin përfaqësuesit më të lartë të qeverisë në mërgim).
Por cili prej tyre qe paraqitur si figurë e parë, çfarë nënkuptonte kryeministrin e ardhshëm? Këtë lë ta nënkuptojë deklarata e shpërndarë për shtyp nga Departamenti pesë ditë më pas, në 20 nëntor. Ajo thoshte: “Departamenti i Shtetit Amerikan thirri dhe tani në fund Imzot Nolin dhe Faik Konicën, Kryetar i Pan-federatës Shqiptare në Amerikë “Vatra”.
Po ashtu në deklaratën e qeverisë amerikane bëhet e qartë arsyeja pse Fan Noli si kandidat për kryeministër dhe Faik Konica si kryediplomat i Shqipërisë i ngarkuar për SHBA, qenë thirrur “për të shprehur mendimet e tyre mbi mënyrën se si mund të organizohej Qeveria Shqiptare në mërgim”. Siç po ashtu bëhet e qartë që në fillim, takimi qe kryer me iniciativë të shtetit amerikan. Sipas kësaj ideje bëhet fjalë për një front maksimalisht të hapur për të tërë shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit.
Kjo e vinte në vështirësi PKSH-në dhe Frontin e saj Nacionalçlirimtar të krijuar vetëm dy muaj më parë, në 16 shtator 1942, në Pezë. Sigurisht Ahmet Zogu i ndiqte me shumë vëmendje ngjarjet dhe afër PKSH-së dhe Frontit të saj kishte mbajtur përfaqësuesin e vet më aktiv në Shqipëri, Abaz Kupin. Ky nuk u distancua, siç bënë ballistët, por qëndroi në marrëdhënie formale bashkëpunimi me komunistët për një kohë jo të shkurtër.
E theksojmë këtë të dhënë për të kuptuar më mirë se Zogu nëpërmjet Nolit dhe Konicës, si edhe platformës për një Lidhje të Shenjtë apo Front të Bashkuar Shqiptar, në nëntor 1942 ecën në këto binarë afrimi me PKSH-në. Fan Noli do të ishte udhëheqësi i këtij Fronti të ri, i cili po kërkonte të pagëzohej tek qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, jo tek Bashkimi Sovjetik.
Dhjetë ditë më vonë nga kjo deklaratë e Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili mund të konsiderohej si një sukses i veprimit diplomatik të Faik Konicës dhe Fan Nolit, hyn në aksion edhe vetë Ahmet Zogu. Në 1 dhjetor ai u dërgoi, me titullin “ZOG I”, mesazhe presidentit amerikan Franklin D. Roosevelt dhe sekretarit amerikan të shtetit për punët e Jashtme Cordell Hull. Thelbi i tyre ishte ky: “Si kryetar i Shtetit Shqiptar, i cili i pari në Evropë e kundërshtoi me armë agresionin fashist, unë Ju vë në dijeni se në përputhje me deklarimet tuaja ne po presim momentin të na jepet rasti të luftojmë për pavarësinë dhe integritetin e Shqipërisë. Shkëlqesia Juaj të jetë e sigurt se lufta jonë guerile do të intensifikohet dhe shumë shpejt, me thirrjen që do t’i bëjmë popullit, do të shndërrohet në një kryengritje të përgjithshme. Ne vetëm pyesim kur do të na jepet mundësia të luftojmë në krahë të Kombeve të Bashkuara në një betejë që është edhe lufta juaj”.
Edith Durham anglo-amerikanëve: “Garantoni indipendencën dhe integritetin e Shqipërisë dhe nuk do të keni miq më të besës dhe më të zotët se shqiptarët
Ndërkohë në 3 dhjetor 1942 në “Manchester Guardian” u shfaq një artikull kushtrues i Edith Durham. Pasi rrufeshëm thoshte se Shqipëria në 28 nëntor 1912 qe shpallur e pavarur dhe në 1939 “vendi i vogël u sulmua prej një force të madhe e të mekanizuar, asnjëri prej bashkë-anëtarëve të Lidhjes së Kombeve nuk intervenoi që ta shpëtojë një vend të vogël”, vijonte më tej me “Lufta e çetave, vrasja e italianëve dhe sabotazhet vazhdojnë pa pushuar, por frika është se pas ikjes së italianëve vendi i tyre mund të ndahet midis fuqive ballkanike” dhe përfundonte me “Garantoni indipendencën dhe integritetin e Shqipërisë dhe nuk do të keni miq më të besës dhe më të zotët se shqiptarët”. Ndërkaq në dhjetor 1942, në këtë moment progresi të lëvizjes nacionale për shpëtim nga pushtimi fashist, u fut ne mes, si thikë, vdekja e papritur e Faik Konicës. Ahmet Zogu sapo e mori vesh lajmin tronditës u shpreh: “Kjo ndodhi tamam në një moment kritik të Shqipërisë”.
Ndihmësi i tij Hysen Selmani do të shtonte me këtë rast se “Tani vendin e të Ndjerit Faik Konica do ta rimarrë Mr. Noli, personi më i përshtatshëm, i cili ka bashkëpunuar me Konicën dhe është i njohur në politikën shqiptare dhe atë botërore. Shpresohet që në Departamentin e Shtetit ky të zërë vëndin e Konicës me një Dekret të Mbretit Zog”.
Ndërkohë në funeralin e të ndjerit mbajti një fjalim shumë të gjatë, ku ka bërë edhe disa deklarime të çuditshme, të diskutueshme, në mos edhe ndopak rrufjane.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme
Mbahet seanca gjyqësore për rastin "Kobra", ai thotë se nuk ndihet fajtor
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Arrestohen 18 persona në Prizren për bixhoz të paligjshëm dhe armëmbajtje pa leje
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje