LAJMI I FUNDIT:

OEK: Problemi me Durrësin u tejkalua, Shqipëria t’i trajtojë më mirë kosovarët

OEK: Problemi me Durrësin u tejkalua, Shqipëria t’i trajtojë më mirë kosovarët

Oda Ekonomike e Kosovës ka bërë të ditur se problemet me të cilat janë përballur ndërmarrjet turistike kohëve të fundit në Durrës tashmë janë tejkaluar.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gerxhaliu, në një konferencë për media, ka thënë se problemet me të cilat janë përballur turistët kosovarë në Shqipëri janë rezultat i mosmarrëveshjes me Shqipërinë dhe se ky problem nuk është i vetmi me të cilin bizneset kosovare po përballen me shtetin shqiptar, raporton Ekonomia Online.

“Duhet të avancohet dialogu më konstruktiv në raport me bashkëpunimin ekonomik me Shqipërinë. Po na ndodhin në mënyrë kronologjike sfida dhe peripeci të tilla, qoftë me eksportin e produkteve nga Kosova qoftë edhe me shërbime por tani edhe me vizitorë. Besoj që Kosova meriton një tretman më të veçantë, këtë bazuar në faktin që jemi dy shtete të një populli të ndarë dhe në qoftë se këto sfida na përcjellin neve atëherë çfarë do të jetë ardhmëria në drejtimin tonë drejt familjes evropiane”, tha Gërxhaliu.


Ai ka thënë se duke pas parasysh që Shqipëria përfiton rreth 500 milionë euro çdo vit nga turistët kosovarë, duhet t’i trajtojë dhe respektojë më mirë.

Ndërsa, kryetari i Shoqatës së Turizmit, Ruzhdi Kurtishaj ka thënë se janë takuar me përfaqësues të qytetit të Durrësit dhe se iu është premtuar se një problem i tillë nuk do të përsëritet më.

“Kjo ka ardhur si shkak i mosdialogut të shoqatave që kanë vepruar më herët. Nga sot të gjithë autobusët e Kosovës janë të mirëpritur nga qyteti dhe nga qytetarët e Durrësit”, tha Kurtishaj.

Ditë më parë Bashkësia e Durrësit mori vendim që autobusët nga Kosova të mos i lejojë të kalojnë në rrugën “Pavarësia” , rrugë kjo që dërgon në plazh.

E kjo bëri që të ketë reagime të ndryshme, duke kritikuar ashpër autoritetet lokale për këtë vendim që u konsiderua si injorim i turistëve kosovarë.