LAJMI I FUNDIT:

PZAP pranon 10 ankesa, ende pa filluar fushata zgjedhore

PZAP pranon 10 ankesa, ende pa filluar fushata zgjedhore

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa deri më tani ka pranuar 10 ankesa për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që do të mbahen më 11 qershor të këtij viti. Këtë e ka bërë të ditur Mulë Desku, kryesues i sekretariatit të PZAP-it.

“Një ankesë ka të bëjë me regjistrimin e një partie politike, dy ankesa kanë të bëjnë vendimin e KQZ-së për emërimin e anëtarëve te Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve (KKZ-ve) në Komunën e Prizrenit dhe në komunat Gjilan, Lipjan dhe Vushtrri. Në komunën e Prizreni ka parashtruar ankesë subjekti PDAK, ndërsa për komunat Gjilan Vushtrri dhe Lipjan ka parashtruar ankesa subjekti politik PDS (Progresivna Demikratska Stranka)”, thuhet në përgjigjen e Deskut.

Sipas PZAP-it, dy ankesa janë parashtruar ndaj vendimit të KQZ-së nga subjekti politik KTAP (Kosovo Turk Adalet Patrisi), së cilës parti nuk i është lejuar që një kandidat të jetë pjesë e listës së kandidatëve të partisë me pretendimet se kandidati është shqiptar.


Ndërsa, një ankesë është parashtruar ndaj vendimit të KQZ-së nga subjekti politik BSDAK (Bosnjacka Stranke Demokratske Akcije Kosova), të cilës parti nuk i janë lejuar dhjetë kandidatë të jenë pjesë e listës së kandidatëve të kësaj partie me pretendimet se kandidatët janë shqiptar.

“Katër ankesa janë parashtruar nga kandidatë të partive serbe të cilët kërkojnë tërheqjen nga lista e kandidatëve. Prej tyre tre ankesa janë vendosur ndërsa tjerat janë në procedurë të shqyrtimit dhe të vendosjes së tyre”, thuhet në përgjigjen e sekretarit të PZAP-it.

Desku gjithashtu ka deklaruar për AktivPress se në këtë panel nuk është dorëzuar ndonjë ankesë nga subjektet politike që i referohet anulimit të debatit kandidatëve për kryeministër nga koalicionet ndërmjet PDK-AAK-NISMA, LDK-AKR dhe Lëvizjes Vetëvendosje. /AktivPress/