LAJMI I FUNDIT:

Z Mobile për çështjen me PTK-në: Bisedimet janë në rrugë të mirë, kemi vullnet për të gjetur zgjidhje

Z Mobile për çështjen me PTK-në: Bisedimet janë në rrugë të mirë, kemi vullnet për të gjetur zgjidhje

Z Mobile nëpërmjet një komunikate për media ka njoftuar se ata i kanë nisur bisedimet me Telekomin e Kosovës, për të gjetur një mundësi për tejkalimin e situatës së krijuar, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, ku PTK-ja detyrohet t’i paguaj 32 milionë euro Z Mobile për mos përmbushjen e kontratës.

Komunikata e plotë

Z Mobile ka shprehur vullnet për të gjetur zgjidhje


Z Mobile ka iniciuar bisedimet me Telekomin e Kosovës, duke shprehur vullnetin e mirë, për të gjetur mundësi për ta tejkaluar këtë situate të krijuar pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Konfirmojmë se bisedimet janë në rrugë të mirë, por ende nuk janë finalizuar. Nga Telekomi i Kosovës kanë pranuar lëshimet në procesin e përmbushjes së obligimeve të kontratës me Z Mobile dhe janë zotuar në respektimin e saj të plotë tash e tutje, me qëllim të afarizmit dhe bashkëpunimit të shëndoshë ndërmjet dy kompanive, gjithnjë duke pasur në mendje konsumatorët dhe të punësuarit në to.

Themeluesi i kompanisë, z.Blerim Devolli, ka ndërmarrë personalisht iniciativën për gjetjen e zgjidhjes, në mënyrë që të mos rrezikohen vendet e punës së punëtorëve të Z Mobiles dhe Telekomit të Kosovës, në mënyrë që këto ndërmarrje të vazhdojnë punën.

Z Mobile mbetet pranë qëndrimit se vendimi për t’iu drejtuar arbitrazhit ndërkombëtar ka qenë i drejtë dhe i domosdoshëm për shkak se aty janë llogaritur humbjet e Z Mobile nga mospërmbushja e kontratës nga ana e Telekomit të Kosovës. /Telegrafi/