LAJMI I FUNDIT:

Xhemaili debuton me Montreal Impactin

Xhemaili debuton me Montreal Impactin

Mesfushori shqiptar me pasaportë zvicerane, Blerim Xhemaili ka debutuar në kampionatin amerikan.

Pasi kompletoi transferimin e tij në Montreal Impact ditë më parë, Xhemaili ka debutuar me humbje me skuadrën kanadeze.


Reprezentuesi zviceran ishte titullar në humbjen 2-3 të Montreal ndaj Columbus Crew.

Gjithsesi paraqitja e Xhemailit u vlerësua shumë në mediat amerikane, të cilat kanë shkruar se Montreal është përforcuar dukshëm me shqiptarin.

31-vjeçari ka qenë i plotë në këtë takim, ndërsa pas ndeshjes është shprehur i lumtur me pritjen nga tifozët edhe pse rezultati e dëshpëroi.

“Ishte një lojë e bukur dhe një pritje fantastike nga tifozët. Gjithsesi rezultati nuk ishte ai që donim por do të kthehemi te fitoret”, deklaroi Xhemaili.

“Unë duhet të përshtatem me jetën dhe futbollin e këtushëm”, u shpreh futbollisti nga Tetova.

Xhemaili iu bashkua Montreal Impactit nga skuadra italiane Bologna, ndërsa ai më parë ka luajtur edhe për Zurichun, Boltonin, Torinon, Parman, Napolin, Galatasarayn dhe Genoan. /Telegrafi/