LAJMI I FUNDIT:

A do ta ketë Qeveria Mustafa fatin e njëjtë me qeveritë Thaçi 1 dhe 2? (Video)

A do ta ketë Qeveria Mustafa fatin e njëjtë me qeveritë Thaçi 1 dhe 2? (Video)

​Që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, asnjë qeveri nuk ka arritur ta përfundojë mandatin kushtetues, ligjor, katërvjeçar. E fatin e njëjtë duket se do ta ketë edhe Qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa. Kjo meqë është paralajmëruar se java e ardhshme do të jetë vendimtare për shkuarje në zgjedhje të parakohshme, që do ta detyronte Qeverinë Mustafa ta përfundojë mandatin një vit para kohe.

Sinjale se mund të ketë zgjedhje të parakohshme ka dhënë edhe vet kryetari i partisë me të madhe në vend, PDK-së, Kadri Veseli, i cili është në koalicion qeverisës, duke thënë se nëse nuk mund të marrin vendime të mëdha për vendin, nuk ka arsye të ekzistojë kjo Qeveri dhe se duhet shkuar në zgjedhje.

Këtë trend të mos përfundimit të mandatit qeverisës, shoqëria civile e sheh si pasojë e mos konsolidimit të demokracisë.


Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se mos përfundimi i mandatit qeverisës nga qeveritë e deritashme, ka pasur për efekt se asnjëherë nuk është ditur qartë se ato dështime të cilat kanë ndodhur prej qeverive se kush është fajtori, meqë partitë politike janë arsyetuar se nuk kanë pasur mandat të plotë.

“Një prej arsyeve pse nuk përfundohen mandatet deri në fund është pikërisht tek partnerët e koalicionit, të cilët nuk vendosin në baza programore por në bazë të ndarjes së pushteteve të interesave momentale të liderëve të këtyre partive politike dhe kjo çon deri tek një prishje e mëhershme e koalicionit. Kjo  sidomos kur partia e parë me të dytën janë në koalicion dhe duke qenë se janë rivalët kryesorë në mes vete dhe presin një moment dobësie të partnerit në mënyrë që të maksimizojnë votat e tyre në zgjedhjet e ardhshme dhe mos përfundimi i mandatit deri në fund është një shenjë e mos konsolidimit të plotë të demokracisë së atij shteti. Në këtë rast edhe në Kosovë kemi mungesë të konsolidimit të demokracisë dhe në anën tjetër nuk kemi pasur një tranzicion të plotë të pushteteve”, tha Krasniqi.

Sipas tij, ndërprerja e mandatit në gjysmë do ta dëmtojë zhvillimin e tërësishëm të shtetit, derisa, ndëshkimi i vetëm është përmes votës së qytetarëve.

Edhe Driton Selmanaj nga Demokracia Plus shprehet se thekson se në një shtet normal kjo do të duhej të merrej si normale, porse në Kosovë një gjë e tillë tregon për paqëndrueshmërinë politike të subjekteve politike.

“Në fakt kjo dëshmon për paqëndrueshmërinë politike, të jetës sonë politike dhe të partive politike në Kosovë. Në një shtet normal demokratik kjo do duhej të kuptohej krejtësisht normale, shembull Italia shpesh herë ndodh që çdo gjashtë muaj të mbaj zgjedhje, megjithatë ka pasur një stabilitet institucional politik. Në Kosovë vazhdojmë të kemi telashet me elementare çka është edhe më eklatante se ende partitë politike nuk kanë instaluar kulturën e respektimit të marrëveshjeve që i draftojnë ato. Do të thotë marrëveshjet i hartojnë me qeverisë me vendin dhe kurdo që njërës apo tjetrës nuk i shkon për shtati vendosin ta shpërndajnë parlamentin dhe të shkojnë në zgjedhje të parakohshme”, theksoi Selmanaj.

Selmanaj thotë se problemi më i madh është nëse përsëritet 2014-ta, kur vendi për gjashtë muaj mbeti pa institucione.

Sipas tij, mungesa e institucioneve paraqet pengesa për zhvillimin e vendit, integrimit dhe proceseve tjera. Për situata të tilla, Selmanaj thekson se ndëshkimi i vetëm duhet të vijë nga qytetari përmes votës.

“Po iu kujtoj vitin 2010, ne kishim një marrëveshje politike për të shkuar në zgjedhje me reformë zgjedhore, brenda një periudhe të caktuar të rrëzimit të presidentit dhe për të zgjedhur një president nga populli, një mandat qeverie një apo dy vite, asgjë nuk ndodhi, krejt ajo u shkel. Çka i bie kjo, i bie që elektorati duhet t’i dënojë fuqishëm këta njerëz, njerëz që diçka tjetër flasin, diçka tjetër nënshkruajnë, diçka tjetër veprojnë, më se paku i duhen politikës”, shtoi ai.

Dy qeveritë e udhëhequra nga Hashim Thaçi pas shpalljes së pavarësisë, nuk arritën ta dërgojnë mandatin deri në fund. Mandati i parë i Thaçit në krye të ekzekutivit nuk pati jetë më shumë se sa tri vjet, pasi koalicioni mes PDK-së e LDK-së, ishte prishur pas tërheqjes së LDK-së nga koalicioni, në vitin 2010, çka bëri që të mbahen zgjedhjet e parakohshme në po këtë vit.

Pas këtyre zgjedhjeve, PDK përsëri fiton dhe Thaçi përsëri merr një mandat të dytë si kryeministër, por edhe këtë mandat Qeveria Thaçi 2, nuk arriti ta çonte deri në fund, meqë humbi shumicën parlamentare. Në vitin 2014, një mocioni i nisur nga AKR-ja, e cila ishte pjesë e qeverisë, bëri që të mos e çojnë mandatin deri në fund.

Javën që vjen qeveria ka paralajmëruar se do ta dërgojë marrëveshjen për demarkacionin në Kuvend, derisa pikërisht nga kjo marrëveshje është vlerësuar se qëndron edhe fati i koalicionit qeverisës, meqë vetë drejtuesit e partive në koalicion e kanë thënë se duhet shkuar në zgjedhje nëse kjo Qeveri nuk mund të marrë vendime të rëndësishme për qytetarët.

“Opozita nuk e ka krijuar koalicionin qeveritarë, e as nuk mund ta rrëzoj. Ajo çfarë do të bisedojmë në çdo rast është interesi i qytetarëve. Çfarë e mundon aktualisht sot Kosovën është se mungon vendimmarrja, vendimmarrje duhet të ketë. Vetë ekzistenca e këtij koalicioni varet nga vendimmarrja. Duhet të ketë një vendimmarrje në interesa të qytetarëve nuk duhet të ketë bllokim të proceseve në vendin tonë. Njerëzit kanë nevoja që të shohin zhvillime pozitive në aspektin e transformimeve ekonomike po edhe vendimeve politike, kemi parasysh Kosova nuk guxon të stagnoj por duhet të ecë përpara“, tha Veseli.

Derisa, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se është kundër shkuarjes në zgjedhje të parakohshme./KP/