LAJMI I FUNDIT:

UEFA inspekton punimet në stadiumin e Prishtinës

UEFA inspekton punimet në stadiumin e Prishtinës

Punëtorë ka pak dhe ritmi i punës është super i ngadalshëm, por përkundër këtij fakti Ministria e Sportit është e bindur që Stadiumi i Prishtinës do të jetë gati në fundin e muajit gusht, për ndeshjet kualifikuese të Kosovës.

Dy inspektorët e UEFA-s, Nicolaus Marshall dhe Tomas Granther, në shoqëri të drejtorit të Departamentit të Sportit, Ibër Alaj dhe disa zyrtarëve të FFK-së, kanë vizituar stadiumin e kryeqytetit për të inspektuar punimet që po ndodhin aty.


Pasi mbërritën në stadium dhe shikuan sipërfaqësisht gjendjen e tij, palët mbajtën një takim në të cilin mediat u lejuan të marrin vetëm pamje.

Me këtë rast Nicolaus Marshall ka bërë të ditur se ata kanë ardhur për të ndihmuar në implementimin e projektit, duke shprehur shpresën se tash kur edhe moti është më i mirë punimet të vazhdojnë në ritëm më të madh. Ai po ashtu ka thënë se do t’i vëzhgojnë punimet në vazhdimësi dhe ka shprehur shpresën që finalizimi i punës të bëhet në afatet e parapara.

Pamje nga inspektimi i stadiumit

Nuk pati të gatshëm për t’u prononcuar, pos fjalëve të projekt menaxherit të mbikëqyrjes së punimeve, Florim Grajcevci, i cili premtoi që stadiumi do të jetë gati në shtator.

Pas takimit që zgjati më se një orë, inspektorët e UEFA-s bashkë me Alajn vazhduan mbikëqyrjen e punimeve të realizuara kryesisht në pjesën e sipërme të tribunës perëndimore, shkruan Tribuna Channel.

Kështu duket stadiumi i Prishtinës

Në prononcimin për media, numri një i departamentit të sportit në MKRS, Ibër Alaj, u shpreh i bindur që stadiumi do të jetë gati në fundin e muajit gusht.

Alaj thekson që stadiumi do t’i plotësojë kriteret për kategorinë e katërt, për zhvillimin e ndeshjeve të Përfaqësueses së Kosovës, duke pohuar më tej që zyrtarët e UEFA-s janë të kënaqur me ecurinë e punimeve.

Në fjalën e fundit, ai konfirmoi që nesër stadiumi Adem Jashari në Mitrovicë do të inspektohet nga zyrtari më i lart i UEFA-s për inspektimin e infrastrukturës sportive, me shpresën që impianti i Trepçës do t’i përmbushë kriteret e kategorisë së dytë, për të mundësuar zhvillimin e ndeshjeve të klubeve kosovare në kompeticionet evropiane.