Kosova në vitin 2016 miratoi themelimin e gjykatës së re me bazë në Hagë që do të gjykojë ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa gjyqet për krime lufte në vend u shoqëruan me polemika dhe shkaktuan protesta.
Autoritetet e Prishtinës e nisën vitin 2016 duke ratifikuar gjykatën e re, të quajtur zyrtarisht Dhomat Speciale të Kosovës që ishte dënuar fuqishëm nga partitë opozitare deri në votimin përfundimtar në Kuvendin e Kosovës.
Sipas një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Holandës të nënshkruar në shkurt, gjykata e re është e autorizuar të gjykojë ish-anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime të dyshuara të kryera gjatë dhe pas luftës së viteve 1997-1999.
Gjykata, e cila do të ketë gjyqtarë ndërkombëtarë, por do të veprojë sipas ligjeve të Kosovës, është diskutuar shumë në vend me kritikë që rgumentojnë se kjo ishte një fyerje për luftën e UÇK-së për çlirim nga Serbia.
Por në intervistën e tij të parë pasi u emërua kryeprokuror i gjykatës së re, David Schwendiman, tha për BIRN se objektivi i tij ishin kriminelët e dyshuar dhe jo vetë UÇK-ja.
“Nuk do të hetoj organizata apo etni. Do të hetoj përgjegjësinë individuale për atë që u bë”, tha Schwendiman në intervistën në nëntor.
Zyrtarët e Kosovës e mbështetën themelimin e gjykatës së re nën presionin nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat u shprehën se gjykata ishte e nevojshme, sepse sistemi gjyqësor i Kosovës nuk mundej apo nuk donte të ndiqte penalisht si duhet ish-figura të larta të UÇK-së dhe as misioni i sundimit të ligjit të BE-së në Kosovë, EULEX, nuk kishte arritur ta bënte këtë.
Gjykata e re do të dëgjojë raste që ngrihen nga një raport i veçantë i Task Forcës Hulumtuese të BE-së i cili tha se zyrtarë të paidentifikuar të UÇK-së do të përballen me padi për një “fushatë persekutimi” kundër serbëve, romëve dhe shqiptarëve të Kosovës që besohet të ishin bashkëpunëtorë të regjimit të Beogradit.
Krimet e dyshuara përfshijnë vrasje, rrëmbime, burgosje të paligjshme dhe dhunë seksuale të kryera midis janarit të vitit 1998 dhe fundit të vitit 2000.
Një raport i Këshillit të Europës për vitin 2011, i cili hodhi bazat për hetimin e Task Forcës së BE-së, ka pohuar se presidenti aktual i Kosovës Hashim Thaçi ishte një figurë kyçe në një rrjet krimi të organizuar përgjegjës për shkelje të të drejtave të njeriut në Kosovën e pasluftës. Thaçi i ka mohuar akuzat.
Analistët thanë për BIRN megjithatë se nëse politikanë të lartë paditen dhe dënohen, kjo mund të ndryshojë të gjithë mjedisin politik në Kosovë.
Kryetarja e gjykatës së re do të jetë ish-gjyqtarja e Gjykatës Penale Ndërkombëtare Ekaterina Trendafilova, e cila u emërua në dhjetor.
“E pranoj të gjithë përgjegjësinë e madhe për t’u siguruar që Dhomat Speciale të zbatojnë praktikat më të mira gjyqësore dhe të jap drejtësinë e duhur dhe të paanshme për ata që nxirren para drejtësisë, si edhe për viktimat e krimeve që dyshohet se ata kryen”, tha Trendafilova pasi u emërua.
Komandantë të UÇK-së dënohen në vend
Gjykimet e ish-figurave të larta të UÇK-së vazhduan në vetë Kosovën gjatë vitit 2016 – gjyqi i profilit më të lartë ishte ai i të ashtuquajturit “Grupi i Drenicës”, dënimet e të cilëve për krime lufte kundër civilëve u lanë në fuqi në apel në tetor.
“Grupi Drenica” ishte burimi i shumë prej udhëheqësve politikë të Kosovës pas luftës, përfshirë presidentin Thaçi dhe gjykimi shkaktoi protesta të vazhdueshme nga mbështetës të UÇK-së.
Në vendimin e “Grupit Drenica”, Sylejman Selimi, ish-ambasador i Kosovës në Shqipëri dhe ish-kreu i Forcës së Sigurisë së Kosovës, u dënua për torturimin e një të burgosuri civil në një qendër të improvizuar paraburgimi të UÇK-së në fshatin Likovc në komunën Skënderaj në vitin 1998 dhe në fillim të vitit 1999. Gjykata e Apelit e uli dënimin e tij me shtatë vjet burg.
Sami Lushtaku, kryetari i Skenderajt, u lirua nga akuza për vrasje në apel, por u dënua për përgjegjësi komanduese për abuzimin e civilëve shqiptarë të Kosovës që mbaheshin në qendrën e burgimit në Likovc.
Dënimi i Lushtakut u reduktua në shtatë vjet burg, edhe pse ai ka thënë se tani do ta çojë çështjen e tij në Gjykatën e Lartë të Kosovës.
Gjatë gjyqit, Lushtaku u arratis nga paraburgimi tri herë. Në nëntor, ai dhe 23 të tjerë u akuzuan për përfshirje në komplote për ta ndihmuar atë të arratisej.
Dy ish-anëtarë të tjerë të “Grupit Drenica” që morën poste politike pas luftës, u dënuan gjithashtu me nga tre vjet burg për rrahje në qendrën e burgimit në Likovc.
Fadil Demaku, një deputet dhe Nexhat Demaku, kryetari i Komunës së Drenasit, të dy dhanë dorëheqjen nga postet e tyre pasi u dënuan.
“Komandant Çeliku” paditet përsëri
Në tetor, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti një padi të re për krime lufte kundër ish-komandantit guerilas Fatmir Limaj, pseudonimi i të cilit gjatë kohës së luftës ishte “Komandant Çeliku” dhe që tani është kryetari i partisë opozitare Nisma për Kosovën dhe deputet në Kuvendin e Kosovës.
Prokuroria e akuzoi Limajn, si komandant të Brigadës 121 të UÇK-së, se nuk arriti të parandalonte vrasjen e dy civilëve shqiptarë të Kosovës që u morën nga fshati Bellanicë i komunës së Malishevës në tetor 1998.
Limaj i cili i mohon akuzat është gjykuar dhe shpallur jofajtor për krime lufte disa herë në të kaluarën.
Në maj të këtij viti Gjykata e Apelit la në fuqi një vendimin që e lironte nga akuzat Limajn dhe nëntë ish-luftëtarë të tjerë të UÇK-së për krime lufte kundër civilëve dhe të burgosurve të luftës në një burg të improvizuar në Kleçkë, gjatë konfliktit të fundit të viteve 1990.
Pas një gjykimi të mëparshëm në Gjykatën e mbështetur nga OKB-ja në Hagë, Limaj u lirua gjithashtu në vitin 2005 nga akuzat për krime lufte kundër serbëve dhe shqiptarëve të dyshuar për bashkëpunim me Serbinë.
Në një tjetër gjyq të shumëpërfolur këtë vit, Oliver Ivanoviq, ish-zyrtar i Qeverisë së Serbisë dhe kryetar i një partie politike të serbëve të Kosovës të quajtur Liri, Demokraci, Drejtësi, u dënua me nëntë vjet burg në janar për krime lufte.
Ivanoviq u shpall fajtor për urdhërimin e vrasjes së nëntë shqiptarëve në Mitrovicë më 14 prill 1999 gjatë bombardimeve të NATO-s, kur ai dyshohet se ishte lideri i një njësie policore paraushtarake.
Nëntë burrat u vranë nga të ashtuquajturit “Rojet e urës” – ekstremistë serbë që patrullonin urën kryesore në Mitrovicë që ndan qytetin në zonën shqiptare dhe atë serbe.
Ivanoviq ka përsëritur vazhdimisht se ndjekja e tij penale ishte e motivuar politikisht dhe hyri në grevë urie për të protestuar disa herë gjatë gjyqit, ndërkohë që autoritetet në Beograd shprehën gjithashtu zemërim ndaj dënimit të tij. Ai tani po apelon kundër vendimit për dënimit të tij.
Thaçi viziton memorialët serbë të luftës
Presidenti Thaçi këtë vit bëri një sërë vizitash në memorialë të viktimave serbe të luftës, duke thënë se ai dëshironte të nxiste pajtimin për të mirën e të ardhmes së Kosovës si një shtet europian.
“Çdo krim duhet të zbulohet dhe dënohet. Krimi është krim, kundër kujtdo që është kryer dhe kushdo që e ka kryer atë”, tha Thaçi në korrik pasi vizitoi një memorial për serbët e vrarë në vitin 1999 në Grackë të Vjetër.
Analistë vendas megjithatë vunë në pikëpyetje nëse Thaçi po tregohej i sinqertë apo thjesht po përpiqej të fitonte pikë miratimi ndërkombëtar duke e paraqitur veten si një ndërmjetës në prag të krijimit të gjykatës së re speciale në Hagë.
Familjet e viktimave në Grackë të Vjetër e kritikuan gjithashtu vizitën e tij dhe disa javë më pas, vandalë të paidentifikuar shënjestruan memorialin me grafite kërcënuese, duke shkruar fjalën “Hakmarrja” në të.
Ndërkohë me qindra shqiptarë të Kosovës organizuan një protestë për të mos lejuar rreth 150 serbë të vizitonin një kishë ortodokse në fshatin Mushtisht në shtator.
Protestuesit e qëlluan policinë me gurë dhe shishe duke brohoritur emrin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Thaçi e dënoi dhunën, duke thënë se ajo nuk ishte “as në interes të Kosovës dhe as në interes të qytetarëve të saj”.
Deri në vitin 1999 në Mushtisht jetonin shqiptarë dhe serbë, por shqiptarët, që përbënin shumicën, pohojnë se disa serbë vendas kryen vrasje, dogjën shtëpi dhe plaçkitën gjatë luftës.
Pas një tjetër proteste nga shqiptarët vendas që akuzonin autoritetet se nuk kishin qenë në gjendje të zgjidhnin krimet e ndodhura atje, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi hapjen e një hetimi për vrasjet dhe zhdukjet e ndodhura në fshat. /BIRN/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme
Dërguti tha se grupi i Osmanit në Guxo është në bisedime për rikthimin në LDK, Meta: Absolutisht e pavërtetë
Sllovakia nuk e njeh Kosovën, por do të dërgojë ushtarë në kuadër të KFOR-it
Tri organizata bashkojnë forcat për të luftuar keqinformimin gjatë zgjedhjeve në Kosovë
Sekuestrohet një Lamborghini në Prizren, duke e vizituar atë ishte një fëmijë 11 vjeçar
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje